Tensione mes protestuesve dhe policisë u shënuan edhe këtë të martë në tubimin para kryeministrisë.

Policia ndërhyri për të zhvendosur protestuesit nga bulevardi Dëshmorët e Kombit në trotuar, për të liruar rrugën dhe për të mundësuar qarkullimin e automjeteve në zbatim të aktit normativ.

Një pjesë e protestuesve refuzuan, gjë e cila shkaktoi përplasje mes dy palëve, një orë pasi protesta kishte nisur. Disa të rinj, mes tyre edhe vajza, disa prej të cilave me shami, dhe një i moshuar u shoqëruan në komisariat.

Në të dyja rastet, protestuesit u përpoqën të pengonin policët duke u dalë përpara automjeteve.

Në një deklaratë për media Partia Demokratike dënoi ndërhyrjen e dhunshme policore gjatë protestës te Kryeministria.

“Edi Rama po dhunon, po merr zvarrë dhe po shoqëron qytetarët që po protestojnë në mënyrë paqësore para zyrës së tij. Partia Demokratike dënon me forcë ushtrimin e dhunës ndaj qytetarëve dhe kërkon ndalimin e menjëhershëm të çdo forme represioni”, thuhet në deklaratën e PD.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:54
Protesta te kryeministria, PD akuza: Dënojmë me forcë ndërhyrjen e policisë, Rama po merr zvarrë qytetarët

1792665419_pd.jpg

Partia Demokratike ka dënuar me forcë ndërhyrjen policore gjatë protestës së sotme te Kryeministria dhe kërkon ndalimin e menjëhershëm të saj.

PD akuzon kryeministrin Edi Rama se po dhunon e shoqëron qytetarët. Akuzat i drejtohen edhe policisë, së cilës thonë se po “bëhen pjesë e një fushate kriminale”.

“Edi Rama po dhunon, po merr zvarrë dhe po shoqëron qytetarët që po protestojnë në mënyrë paqësore para zyrës së tij. Edhe sonte banditët ne uniformë morën me forcë vajza e djem, të cilët thjesht janë grumbulluar duke ushtruar të drejtën universale të protestës paqësore! Qytetarët nuk po kryejnë asnjë akt madje nuk pengojnë as rrugën pasi mblidhen në trotuar. Të vetmin mjet ata kanë thirrjet për largimin e Edi Ramës. Është kjo arsyeja pse ai po i dhunon. Partia Demokratike dënon me forcë ushtrimin e dhunës ndaj qytetareve dhe kërkon ndalimin e menjëhershëm të çdo forme represioni.

Kryeministri më i korruptuar në Europë nuk lejon tanimë as ushtrimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut dhe përdor veglat e tij të dhunës në Policinë e Shtetit për të dhunuar dhe frikësuar qytetarët e Tiranës. Policët dhe urdhëruesit e tyre duhet ta dinë se po bëhen pjesë e një fushate kriminale për të cilën do të mbajnë përgjegjësi. Kur autokrati të bjerë dhe dita nuk do të jetë e largët, ata do të dalin të gjithë para drejtësisë. Do të japin llogari për çdo goditje, dhunim, përplasje, marrje me forcë e torturë që i kanë bërë të rinjve të Shqipërisë. Nga i pari tek i fundit. I bëjmë thirrje të rinjve dhe të rejave që më 28 nëntor ti dëshmojnë dhunuesit se ditët i ka të numëruara dhe ky është kilometri i fundit për narkodiktatorin!”, thuhet në deklaratën e PD.

Ora 22:43
U shoqëruan nga policia, vajzat përshëndesin me simbolin e shqiponjës nga dritarja e komisariatit (VIDEO)

Me simbolin e shqiponjës dhe gjeste entuziaste, një grup vajzash të cilat janë shoqëruar mbrëmjen e sotme nga policia, kanë përshëndetur protestuesit e tjerë jashtë komisariatit nr. 1.

Mes vajzave shihen edhe disa prej tyre që mbajnë shami.

Ora 22:29
Tensione në bulevard, policia shoqëron vajzat e mbuluara me shami, protestuesit i dalin përpara furgonit (VIDEO)

Policia ka shoqëruar mbrëmjen e sotme disa vajza të mbuluara me shami që protestonin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Vajzat dëgjohen teksa bëjnë rezistencë duke thënë “mos më prek me dorë” dhe “jam në trotuar”.

Në një moment, shihen protestuesit e tjerë që i dalin përpara furgonit të policisë dhe mundohen ta bllokojnë duke u përplasur me efektivët.

Ora 22:26
‘Si i bien xhajës ashtu more?’ Policia shoqëron të moshuarin, protestuesit përpiqen ta pengojnë (VIDEO)

Një përplasje është regjistruar midis protestuesve dhe policisë në bulevard ku efektivët kanë shoqëruar një të moshuar.

Policia përpiqet ta fusë në makinë, ndërsa i moshuari bën rezistencë.

“Çfarë bëni mo ej?”

“Si i bien xhajës ashtu more?”, dëgjohen të thonë protestuesit.

Më pas, ata i dalin përpara makinës së policisë dhe përpiqen ta ndalojnë teksa ajo largohet me të moshuarin.

Ora 21:04
‘Bjerini more bjerini’, protestuesi me flamur përplaset me policinë (VIDEO)

Një burrë me flamur në dorë është përplasur me efektivët e policisë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Në një video të shpërndarë në rrjetet sociale, shihen protestuesit dhe policët duke u shtyrë me njëri-tjetrin.

“Gurë, gurë. Bjerini more, bjerini! T’i shpëlajmë”, dëgjohen disa zëra.

Efektivët shihen të përlyer me bojë të kuqe.