Në selinë e PD u strehuan protestues me molotovë që sulmonin policinë. Sapo forcat blu arritën aty dhe hodhën gaz ndaj protetsuesve, në oborr u shfaqën deputetët demokratë Enno Bozdo dhe Belind Këlliçi të cilët mohuan se në selinë e PD-së ishin strehuar protestuesit e maskuar që sulmuan policinë me molotovë. Por, vetëm pak minuta më pas ishte vetë Berisha që e pranoi, madje duke përgëzuar demokratët që i strehuan.

Sipas deputetëve demokratë, në godinë ndodheshin vetëm anëtarë dhe zyrtarë të Partisë Demokratike e të Forumit Rinor, porn ë fakt pamjet tregojnë qartë se si protestuesit futen brenda selisë së PD, madje të tjerë ishin edhe brenda zyrave.

I pyetur nga gazetarët për fikjen e dritave në katin e dytë, ku kamerat kishin filmuar persona të maskuar, Këlliçi u justifikua duke thënë se kishte qenë kaos.

Pyetje: A kishte të mitur në selinë e PD-së?

Belind Këlliçi: Nuk ka asnjë të mitur në selinë e Partisë Demokratike. Ka anëtarë të Forumit Rinor, anëtarë të Partisë Demokratike dhe zyrtarë të lartë.

Pyetje: Zoti Këlliçi, pse u fikën dritat në katin e dytë të PD-së?

Belind Këlliçi: Ka qenë një kaos.

Gazetari: A kishte të mitur në selinë e PD-së?

Belind Këlliçi: Nuk ka asnjë të mitur në selinë e Partisë Demokratike. Ka anëtarë të Forumit Rinor, anëtarë të Partisë Demokratike dhe zyrtarë të lartë.

Deputetët pretenduan se me urdhër të Edi Ramës ishte planifikuar një sulm ndaj selisë së PD.

Belind Këlliçi: Demokratët kanë qenë në oborrin e tyre dhe befas, në një moment, jemi mbushur me gaz. Zyrtarë të lartë, deputetë, drejtues të partisë kanë qenë në ambientet e punës së Partisë Demokratike. Në momentin e parë që ka ndodhur kjo histori, kemi dalë disa deputetë jashtë për të kuptuar çfarë ka ndodhur dhe kemi parë vetëm forca policie. Kemi parë policë me skafandra, me mburoja, që vinin te hyrja e Partisë Demokratike dhe donin të hynin brenda.

Ndërkohë, po ju them me përgjegjësinë më të plotë që kemi rreth tri orë që jemi informuar se rreth orës 21:00, nga grupet e infiltruara dhe të manipuluara personalisht nga Edi Rama në protestë, do të tentohej të goditej dhe të sulmohej selia e Partisë Demokratike. Nuk e kemi bërë publike. Misionin që Edi Rama ua kishte ngarkuar disa të infiltruarve e mori përsipër Ervin Demo me Policinë e Shtetit dhe ka sjellë Policinë e Shtetit për të sulmuar selinë e Partisë Demokratike.

Enno Bozdo: S'kishte as protestues, asgjë. Sigurisht që ata do ta gjejnë arsyen duke thënë se hynë protestues. Nuk ka hyrë asnjë protestues këtu. Ishin vetëm njerëz të Partisë Demokratike. Ky është absolutisht një skenar shumë i turpshëm, i shëmtuar.

Kjo është e turpshme. Jua them unë. Nuk ka ndodhur ndonjëherë që një parti kryesore opozitare të sulmohet me gaz e me dhunë, edhe me ata robokopët që rrinin atje dhe na tregonin mburojat. Kjo është e turpshme nga Policia e Shtetit. Të shkojnë të mbrojnë komisariatet dhe Ministrinë e Brendshme. Atë punë të bëjnë. Nuk kanë punë të merren me partinë opozitare dhe me Partinë Demokratike.

R.Xh/SI.E./Shqiptarja.com
Sa e vlerësoni këtë artikull?
★ ★ ★ ★ ★
5.0 / 5 (4 vlerësime)
  • Sondazhi i ditës: 15 Tetor, 13:43

    A i mbështesni protestat e dhunshme në vend?