Protestuesit në Mbretërinë e Bashkuar kanë bllokuar hyrjet në katër fabrika të armëve që i ofrojnë Izraelit armë dhe furnizime, shkroi të enjten në mediat sociale grupi aktivist "Punëtorët për një Palestinë të Lirë".
“Mbi 1000 sindikalistë në vende të shumta anembanë Britanisë po bllokojnë fabrikat e armëve që po furnizojnë me armë Izraelin. Sot sindikalistët kanë mbyllur 4 site në Britani të cilat prodhojnë komponentë për avionin luftarak F-35 që aktualisht përdoret në bombardimet e Izraelit ndaj Gazës”, shkroi grupi në platformën X (ish-Twitter).
Dhjetra demonstrues me flamuj palestinezë po organizojnë bllokada në fabrikën BAE Systems në Glasgow, fabrikën L3Harris në Brighton dhe në vendet në Bournemouth dhe Lancashire, raporton CNN.
Ata po bëjnë gjithashtu thirrje që qeveria britanike të mbështesë një armëpushim të përhershëm në Gaza.
Mbretëria e Bashkuar është një furnizues kryesor për ushtrinë izraelite, duke siguruar 15% të komponentëve për avionët luftarakë të Izraelit F-35, sipas një raportimi të publikuar nga organizata me bazë në Mbretërinë e Bashkuar Campaign Against Trade (CAAT) më 17 tetor. Vlera totale e këtyre kontratave vlerësohet të jetë 422 milionë dollarë (336 milionë £) që nga viti 2016, sipas CAAT.