TIRANË - Opozita u ngrit këtë të enjte në një protestë kundër qeverisë. Protestuesit e grumbulluar para Kuvendit, aty ku deputetët mbanin seancën plenare, ishin të pajisur me vezë, domate, miell, manderina, patate, dhe tymuese blu. Ata qëlluan ndaj policisë që ishin rreshtuar në një kordon sigurie para Kuvendit, por sulmit me vezë të protestuesve të Partisë Demokratike nuk i kanë shpëtuar as gazetarët.
 
Disa protestues kanë qëlluar me vezë në drejtim të vendit ku ishin pozicionuar kameramanët dhe gazetarët e televizioneve që po ndiqnin protestën e opozitës para godinës së Kuvendit të Shqipërisë.

Në këtë moment kanë ndërhyrë disa drejtues të strukturave rinore të FRPD, të cilët kanë larguar nga turma personat që qëlluan me vezë. Pas këtij incidenti, situata ka qenë e tensionuar për disa minuta

Ndërkohë kryetari i Forumit Rinor të Partisë Demokratike Belind Këlliçi ka mohuar kategorikisht faktin që protestuesit të kenë patur qëllim goditjen e gazetarëve apo operatorëve. Këlliçi tha për Shqiptarja.com se protestuesit kanë pasur në shënjestër disa agjentë civil, të cilit qëndronin pas kordonit të policisë. Agjentët, një mashkull dhe një vajzë janë identifikuar nga disa të rinj, pasi ata i kanë shoqëruar disa herë në komisariat pas protestës së 8 dhjetorit. Ata anë qenë të revoltuar - tha Këlliçi - pasi ndaj tyre është ushtruar dhunë psikologjike.

"Protestuesit edhe të rinjtë, nuk kanë goditur në asnjë moment as policinë as kamerat, pas kamerave kanë qenë disa civil agjentë të policisë së shtetit, që kanë shoqëruar të rinjtë pas protestës së 8 dhjetorit, të rinjtë kanë qenë të revoltuar me ta. Një femër dhe një mashkull që kanë mbajtur në qafë bexhe gazetarësh, i kanë goditur vetëm me vezë domate dhe miell. në asnjë moment nuk kanë qenë shënjestër e sulmit kameramanët dhe policët. Këta qëndronin pas kamerave dhe ose filmonin protestuesit me telefona ose me minikamera, aty i pikasën dhe filluan të qëllojnë me vezë.

Ky ka qenë i vetmi miniincdent. I shpreh mirënjohjen të gjithë gazetarëve dhe kameramanëve për mbulimin e protestës dhe pasqyrimin në kohë reale dhe të vërtetë të protestës, e di që janë lodhur dhe gjej rastin t'i falenderoj në emër të FRPD-së. Edhe unë jam goditur me miell dhe vezë, kur merr pjesë në një tubim. Ata civilë i kanë marrë në pyetje, i kanë kërcënuar edhe me burg dhe i kanë thënë të mos marrin pjesë në protestë. Ata kanë qenë civil që i kanë ushtruar presion psikologjik dhe, dhunë psikologjike kur kanë qenë në komisariate. Gentian Gjonaj është shoqëruar në komisariatin numër 2 vetëm se merr pjesë në protestë"
-tha Këlliçi

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)