Dhunës së protestuesve në Tiranë nuk i kanë shpëtuar as mediat. Një grup të rinjsh të maskuar sulmuan këtë të mërkurë kamerën e Report TV duke pamundësuar përcjelljen e një pamjeje të qartë nga një prej këndeve ku po protestohej.
Ndërsa operatori i Report Tv vijonte punën duke filmuar incidentet në protestë si thyerja e bizneseve dhe zjarret ndaj luleve, ata e sulmuan duke e shkelmuar dhe rrëzuar kamerën në tokë.
Ata vijuan vandalizimin me pretendimin se nuk dëshironin të filmoheshin pasi identifikoheshin, ndonëse gazetarja e Report Tv Raziela Myslymaj u kërkoi disa herë që mjaftonte të spostoheshin nga objektivi. Kamera e lëvizshme e Report Tv tashmë është jashtë përdorimit.
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë dënoi sulmin e protestuesve të maskuar ndaj kamerës së Report TV. Sipas AGSH ‘sulmi ndaj pajisjeve të medias pengon drejtpërdrejt punën e gazetarëve dhe cenon të drejtën e publikut për t’u informuar’.
‘Asnjë pakënaqësi apo pretendim ndaj një medie nuk mund të justifikojë dhunën ndaj ekipeve të saj apo dëmtimin e mjeteve të punës’ shprehet shoqata e gazetarëve duke shprehur solidaritetin me ekipin e Report Tv. AGSH u bën thirrje autoriteteve të hetojnë ngjarjen, të identifikojnë autorët dhe t’i vënë ata para përgjegjësisë ligjore.
Shoqata e gazetarëve apelon protestuesit të respektojnë gazetarët dhe ekipet mediatike, ndërsa Policisë së shtetit i kërkojnë të garantojë sigurinë e tyre.
Reagimi i plotë i AGSH
AGSH dënon sulmin ndaj kamerës së Report TV gjatë protestës në Tiranë
Asociacioni i Gazetarëve të Shqipërisë (AGSH) dënon sulmin e protestuesve të maskuar ndaj kamerës së Report TV, e cila është vandalizuar gjatë protestës në Tiranë. Sulmi ndaj pajisjeve të medias pengon drejtpërdrejt punën e gazetarëve dhe cenon të drejtën e publikut për t’u informuar. Asnjë pakënaqësi apo pretendim ndaj një medie nuk mund të justifikojë dhunën ndaj ekipeve të saj apo dëmtimin e mjeteve të punës.
AGSH shpreh solidaritetin me ekipin e Report TV dhe kërkon nga autoritetet identifikimin e autorëve, hetimin e ngjarjes dhe vendosjen e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. U bëjmë thirrje protestuesve të respektojnë gazetarët dhe ekipet mediatike, ndërsa Policisë së Shtetit i kërkojmë të garantojë sigurinë e tyre. Gazetarët duhet të raportojnë lirisht, pa u përballur me dhunë, kërcënime apo pengim, pavarësisht se nga kush ushtrohen.
Lajmi kryesor:
LIVE TV- ‘Gjendje lufte’ në Tiranë, kaosi ‘padron’ i rrugëve të kryeqytetit! Sulmohen 8 prej institucioneve kryesore të vendit, zjarr 3 ministrive dhe 4 bankave! Në flakë dhe plaçkiten biznese private, 35 të shoqëruar










