Prova e opozitës, PD plan për
prishjen e zgjedhjeve në Kavajë

Prova e opozitës, PD plan për<br />prishjen e zgjedhjeve në Kavajë
Zgjedhjet e parakohshme në Kavajë janë prova e madhe dhe vendimtare nëse përbetimet e Partisë Demokratike për bllokimin e zgjedhjeve të 18 Qershorit, pa pjesëmarrjen e saj, mund të kthehen në një realitet politik.

Zgjedhjet në Kavajë do të jenë gjithashtu prova nëse kriza e brendshme e opozitës mund të shndërrohet në një krizë e përgjithshme kombëtare, duke provokuar destabilizimin e vendit. Gara për pasuesin e Elvis Rroshit është sfida që do të përcaktojë edhe fatin e Partisë Demokratike pas zgjedhjeve të 18 Qershorit.

Në këtë kuadër, kryetari i opozitës, Lulzim Basha ka zhvilluar dje një mbledhje me krerët e partive të tjera opozitare. Përpos rikonfirmimit të vendimit për t’u mos u regjistruar në zgjedhjet e 18 Qershorit, në fokus të takimit ka qenë diskutimi dhe shqyrtimi i strategjive, që mund të ndiqen për të bllokuar dhe delegjitimuar procesin zgjedhor në Kavajë, në 7 maj.

Partitë opozitare kanë vendosur që në 7 maj, ditën e zgjedhjeve të parakohshme, të mbahet një protestë e madhe, ku për të marrë pjesë do të ftohen përkrahësit e opozitës nga të gjitha zonat e Shqipërisë. Në mbledhje është vendosur që protestuesit nga e gjithë Shqipëria të mblidhen në Kavajë që pasditen e gjashtë majit, për t’u përgatitur për protestën që do të zhvillohet në datën 7 maj. Që me 6 maj, lidershipi i Partisë Demokratike do të zhvendoset në Kavajë.  
Plani i opozitës  
Partia Demokratike është para një dileme të madhe sa i takon natyrës së protestës kundër zgjedhjeve në Kavajë. Në mbledhjen e Bashës me aleatët, është vendosur një objektiv, që konsiston në shkatërrimin e procesit zgjedhor, por një protestë paqësore nuk mund ta mundësojë një qëllim të tillë. Prishja e zgjedhjeve në Kavajë është paralajmëruar publikisht edhe nga kryetari i grupit parlamentar të PD, Edi Paloka.

Megjithatë, po publikisht, Lulzim Basha ka deklaruar dje se protesta do të jetë paqësore. Por, mbajtja e një proteste paqësore, sa do masive qoftë, nuk do të bllokonte zhvillimin e një procesi të ligjshëm zgjedhor, çka do të çonte në dështimin e objektivit dhe për pasojë edhe në nënvlerësimin e ultimatumeve të PD për të bllokuar zgjedhjet e 18 Qershorit.

Kjo do të përsëriste precedentin e Kurbinit, ku PD bojkoti zgjedhje, duke i dhuruar fitoren në tavolinë PS. Si zgjidhje alternative, gjatë mbledhjes së djeshme, sipas burimeve, është propozuar skenari i ndërhyrjes së protestuesve në qendrat e votimit, çka do të degjeneronte në akte dhune. Por, një lëvizje e tillë do të prodhonte një reagim të ashpër të SHBA-BE ndaj opozitës, ku nuk do të përjashtoheshin as marrja e masave ekstreme ndaj krerëve të saj. Në këto kushte, në mbledhjen e djeshme, nuk është marrë një vendim përfundimtar sa i takon skenarit që do të zbatohet. Kreu i opozitës, Lulzim Basha dhe krerët e partive opozitare, pritet të mblidhen sërish në ditët në vijim për të përcaktuar modalitet e protestës. Megjithatë, direktivat janë për të mbledhur sa më shumë njerëz në Kavajë. Po gjatë ditëve në vijim, Basha do të mbledhë deputetët dhe krerët e degëve për organizimin e protestës.

Precedenti  
Nuk është hera e parë që Partia Demokratike, subjekti politik më i madh në opozitë, bojkoton zgjedhjet për bashki të ndryshme të vendit. Në zgjedhjet për Bashkinë e Kurbinit, Partia Demokratike tërhoqi kandidatin e saj, Altin Biba. Fillimisht PD regjistroi kandidatin Altin Biba, i cili dha dorëheqjen për arsye personale. Por, KQZ nuk pranoi kërkesën e PD-së për të regjistruar Ilir Pjetrajn, vëllai i Mhill Fufit, si kandidat dhe në të njëjtën kohë nuk pranoi as dorëheqjen e Bibës. Edhe Kolegji Zgjedhor nuk e pranoi dorëheqjen e Bibës. Në këto kushte PD vendosi t’i bojkotojë zgjedhjet në këtë bashki. Nga ana tjetër PS-ja kandidoi Artur Bardhin, i cili fitoi zgjedhjet. Pas daljes së rezultatit, PD tha se nuk i njihte zgjedhjet. 


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg

1/3 e listës së deputetëve e mbyllur, ironizon Sefa: Do shtohen bluzat ‘Free Berisha’ në treg