Autoriteti i Dosjeve të Sigurimit të Shtetit i dorëzoi Prokurorisë së Përgjithshme dhe institucioneve përgjegjëse prova për 6 vendvarrime të dyshuara të personave të zhdukur gjatë regjimit komunist, duke kërkuar vijimin e procedurave ligjore për gërmime dhe identifikim të mbetjeve mortore.
Sipas Autoritetit, pas një hetimi disa-vjeçar, mbledhjes së dëshmive dhe verifikimeve arkivore, si edhe ekspertizave me radarë dhe metoda antropologjike, janë evidentuar të dhëna me probabilitet të lartë për praninë e eshtrave në disa zona të vendit.
Mes vendvarrimeve të referuara janë Varrezat e Rrmajit në Shkodër, zona pranë ish-Burgut të Spaçit, Shpali, Mallkeqi, Shënvasili dhe Sheleguri në malin e Gramozit. Në këto zona dyshohet se ndodhen eshtrat e personave të ekzekutuar ose të zhdukur gjatë viteve të diktaturës komuniste.
Autoriteti i Dosjeve kërkon koordinim ndërinstitucional për realizimin e gërmimeve të kontrolluara, identifikimin me ADN dhe kthimin e eshtrave pranë familjeve.
"Zbardhja e fatit të të zhdukurve mbetet një detyrim human, ligjor dhe moral për shoqërinë shqiptare", thekson Autoriteti i Dosjeve.
Autoriteti i Dosjeve të Sigurimit të Shtetit ka dorëzuar edhe më herët në Prokurori kërkesë për vijimin e procedurave ligjore për gërmime në vendvarrime ky dyshohet se ka eshtra të personave të zhdukur gjatë periudhës së komunizmit, por kërkesa është kthyer mbrapsht për mungesë provash. Pritet të shihet se si do të veprohet me kërkesën e re të Autoritetit, që kanë dorëzuar dëshmi e prova që i kanë me mjete te specializuara.
Në Shqipëri është folur për disa mijëra të zhdukur që u ekzekutuan me vendime gjykatash, u vranë në tentativa për t’u arratisur nga kufiri, nga burgjet dhe kampet apo vdiqën në burgje ndërsa vuanin dënimin. Por deri më tani, Autoriteti ka arritur të regjistrojë 410 raste personash të zhdukur, të raportuar nga familjarët e tyre pranë këtij institucioni.
Komente










Gërmo Tare gërmo se aty kam qenin e ngordhur,merre,merre! (Kadri Roshi te filmi Përballimi)
Përgjigju