'Kandidati i Ilir Metës për Kushtetuesen, cënoi besimin e publikut tek drejtësia'

'Kandidati i Ilir Metës për Kushtetuesen, cënoi besimin e publikut tek drejtësia'

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA arriti në përfundimin se prokurori Besnik Muçi kishte cënuar besimin e publikut në sistemin e drejtësisë për shkak të mungesës së burimeve të ligjshme për blerjen e një apartamenti dhe të deklarimeve të pasakta e të pamjaftueshme për pasurinë dhe vendosi më datë 21 nëntor 2019, të ndryshojë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK, duke e larguar përfundimisht nga sistemi i drejtësisë.

Gjithashtu, në vendimin e zbardhur të KPA identifikohet edhe privilegji i përfituar nga prokurori Muçi prej një personi që i kishte shitur një prej apartamenteve, i cili kishte qenë i përfshirë në një konflikt me armë zjarri pak kohë para aktit të shit-blerjes.

Trupa gjykuese e KPA e përbërë nga Sokol Çomo kryesues, Ardian Hajdari relator dhe Albana Shtylla, Rezarta Schuetz e Natasha Mulaj anëtare, i vlerësuan të drejta pjesën më të madhe shkaqet e ankimit të Komisionerit Publik, Darjel Sina duke çmuar se Komisioni nuk kishte kryer një hetim shterues për Muçin.

Besnik Muçi, prokuror prej vitit 2002, u zgjodh anëtar i Gjykatës Kushtetuese më 16 tetor 2019 nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ndërsa vazhdonte përballjen me shkallën e dytë të vetingut për kriterin e pasurisë.

Pasi Kolegji shpalli vendimin për shkarkimin e tij nga detyra, Muçi tha se KPA nuk ka kompetencë ta shkarkojë atë si anëtar të Gjykatës Kushtetuese, duke u bërë gjyqtari i parë që refuzon të njohë vendimin e vetingut. Në vendim, Kolegji arsyeton edhe mbi këtë pretendim të Muçit.

Kolegji konstaton se Muçi e filloi procesin e rivlerësimit si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Tiranë dhe e përfundoi këtë proces pas emërimit të tij si gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese.

KPA sqaron se subjekti i rivlerësimit kaloi procesin e verifikimit të kushteve ligjore dhe vlerësimin e kritereve profesionale e morale në Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, KED dhe se ky i fundit vendosi lejimin e kandidimit të subjektit të rivlerësimit për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese.

“Kolegji sjell në vëmendje se nëpërmjet këtij vendimi të KED-së, rezulton që subjekti është vënë në dijeni se ai është njëherazi edhe subjekt rivlerësimi në kuadër të procesit të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve, pavarësisht se ai është konfirmuar në detyrë nga Komisioni me vendimin nr. 58, datë 01.08.2018, dhe ndërkohë Komisioneri Publik ka paraqitur ankim ndaj vendimit të sipërcituar të Komisionit dhe çështja është në shqyrtim pranë Kolegjit”, citohet në vendimin e KPA që çmon se procesi i vlerësimit dhe pikëzimit nga KED-ja, për kandidatët për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, që vijnë nga sistemi i drejtësisë, nuk përbën rivlerësimin e subjekteve në kuptim të ligjit për vetingun e prokurorëve dhe gjyqtarëve.

“Po ashtu, fryma e Kushtetutës dhe e ndryshimeve në ligjin për Gjykatën Kushtetuese kërkon që edhe kandidatët për gjyqtarë kushtetues duhet të jenë individë që plotësojnë kriteret kushtetuese dhe ligjore, të cilët nëse vijnë nga sistemi i drejtësisë duhet të kenë një vendim të formës së prerë në kuadër të procesit të rivlerësimit, për konfirmimin e tyre në detyrë”, thekson Kolegji.

Problemet për pasurinë

Ashtu si edhe Komisioneri Publik, Kolegji konsideron se përfundimet e Komisionit lidhur me një apartament me sipërfaqe 57 m2 në Tiranë, të blerë në vitin 2006 për vlerën 1.9 milionë lekë nuk janë në pajtueshmëri me provat dhe faktet e administruara, duke konsideruar se Muçi dhe personat e lidhur me të nuk arrijnë të justifikojnë bindshëm burimin e ligjshëm të të ardhurave.  Sipas KPA, Muçi ka pasur mungesë të burimeve të ligjshme të të ardhurave për të kursyer në fund të vitit 2005 dhe nuk arriti të justifikojë ligjshmërinë e burimeve të huave, deklaruar të marra nga babai, vëllai, xhaxhai, motra dhe bashkëshorti i saj, për krijimin e kësaj pasurie të paluajtshme.

Si burime për pagesën e çmimit të këtij apartamenti, Muçi ka deklaruar fillimisht tre zëra të ardhurash: hua nga babai në vlerën 500 mijë lekë; hua nga xhaxhai në vlerën 3 mijë euro dhe hua nga motra dhe bashkëshorti i saj në vlerën 6 mijë euro. Ndërsa në deklaratën veting ka pasqyruar katër zëra të ardhurash, duke shtuar edhe kursimet e tij në shumën 200 mijë lekë, si edhe ka përshkruar prejardhjen e të ardhurave të huadhënësve që sipas tij janë siguruar nga puna në emigracion. Sipas Kolegjit, Muçi nuk arriti të provojë me dokumentacion ligjor të ardhurat e familjarëve nga puna në emigracion.

Në vendimin e KPA evidentohet fakti se gjatë hetimit administrativ në Komision, nga analiza financiare për vitin 2005, Muçi ka rezultuar me një balancë financiare negative në vlerën 199.945 lekë. Kur prokurori Muçi është përballur me barrën e provës për këtë balancë financiare negative, ka shpjeguar se familja e tij gjatë këtyre viteve ka ndjekur një “regjim të rreptë kursimi”.

Ndryshe nga Komisioni që është bindur nga shpjegimet e Muçit, Kolegji vlerëson se Muçi nuk ka shpjeguar bindshëm burimin e pasurive dhe të të ardhurave.

“Justifikimi i kursimeve të subjektit për mbajtjen e një ‘regjimi të rreptë kursimi’ nga familja e tij dhe mundësia e krijimit të kursimeve në vlerën prej 200 mijë lekësh deri në fund të vitit 2005, nuk u provua nga subjekti, ndaj mbetet në nivel deklarativ”, citohet në vendimin e KPA.

“Ky konkluzion i Komisionit është i pambështetur në prova dhe në dispozitat e ligjit nr. 84/2016 dhe, si i tillë, shkaku i ankimit të Komisionerit Publik është i drejtë”, vlerëson më tej Kolegji.

KPA konkludon se edhe sipas skenarit të Muçit, të pranuar nga KPK, diferenca midis të ardhurave dhe shpenzimeve do të ishte -80.926,59 lekë dhe se situata financiare negative e subjektit të rivlerësimit nuk do të ndryshonte. ”Pra ai përsëri nuk kishte mundësi për të krijuar kursime në shumën 200.000 lekë”, citohet ne vendim.

Në përfundim Kolegji vlerëson se Muçi ka pasur mungesë të burimeve të ligjshme të të ardhurave për të kursyer në fund të vitit 2005 dhe nuk arriti të justifikojë ligjshmërinë e burimeve të huave, të deklaruara të marra nga babai dhe xhaxhai.

“Kjo pasi edhe me provat e reja të shqyrtuara në Kolegj, subjekti i rivlerësimit nuk arriti të provojë bindshëm mundësitë financiare të babait dhe xhaxhait të tij për t’i dhënë huat e pretenduara”, citohet në vendimin e KPA.

Privilegjet e përfituara nga një i proceduar

Kolegji identifikon trajtimin në mënyrë të privilegjuar të prokurorit Muçi nga ana e shitësit së një apartamenti 78.4 m2 në Tiranë në vitin 2016, për vlerën 75 mijë euro.

Për blerjen e këtij apartamenti Muçi ka deklaruar si burime krijimi kursime nga të ardhurat prej punës së tij dhe bashkëshortes në vlerën 25 mijë euro dhe një hua në shumën 15 mijë euro nga kunati dhe bashkëshortja e këtij të fundit e cila është shtetase turke, ndërsa 35 mijë euro është përcaktuar në kontratë që të shlyen deri në vitin 2019.

Si burime financiare të huadhënësve janë deklaruar kursimet e tyre prej punës në kompaninë në pronësi të babait të bashkëshortes së kunatit të Muçit dhe nga menaxhimi i dy dyqaneve, shitje me shumicë dhe pakicë, mobileri me sip.2.000 m2 dhe 3.600 m2, ndodhur në qytetin Kostamonu të Turqisë. Ndryshe nga Komisioneri, Kolegji vlerëson se Muçi arriti te provojë mundësinë e vëllait të bashkëshortes për dhënien e huasë 15 mijë euro.

Por, pavarësisht kësaj, identifikohet pamundësia e shlyerjes së pjesës tjetër të vlerës së çmimit në shumën 35 mijë euro me të ardhurat e prokurorit Muçi dhe bashkëshortes së tij.

Në vendim thuhet se pasi trupa gjykuese e KPA ka shqyrtuar pretendimet e Komisionerit lidhur me  informacionin e përcjellë nga DSIK, ka konstatuar se në kontratën e shit-blerjes së apartamentit 78.4 m2, prokurori Muçi kishte krijuar marrëdhënie të posaçme me një individ që ishte përfshirë në konflikt me armë zjarri për motive pronësie.

Muçi ka pranuar se kishte shoqëri me shtetasin A.L., pasi ishin të dy nga Pogradeci, por ka deklaruar se nuk ka marrëdhënie biznesi dhe se nuk ka qenë ndonjëherë në kushtet e konfliktit të interesit me këtë person. Ai ka shtuar se nuk ka qenë në dijeni të përfshirjes së mikut të tij në konfliktin me armë zjarri, edhe pse Kolegji evidenton faktin se kjo ngjarje ka qenë e njohur publikisht dhe nuk i beson deklarimeve të tij.

“Kolegji, në analizë të faktit të marrëdhënies shoqërore me individin A. L., krijoi bindjen se subjekti i rivlerësimit ishte në dijeni më parë se ky individ ishte përfshirë në konflikte fizike me individë të tjerë ku ishte përdorur edhe armë zjarri, fakt që nga burime të hapura të informacionit, rezulton të jetë bërë i njohur edhe për publikun e gjerë nga mediat. Në kuptim të nenit 49, paragrafi 3 i ligjit nr. 84/2016, Kolegji nuk i besoi subjektit të rivlerësimit …”, citohet në vendim ku theksohet se Muçi ka dhënë deklarime të pavërteta kur është shprehur se nuk kishte dijeni për ngjarjen ku ishte përfshirë miku i tij që i ka shitur apartamentin 78.4 m2.

Trupa gjykuese çmon se Muçi e ka krijuar marrëdhënien juridike me A.L. nëpërmjet kontratës noteriale të shitjes së pasurisë së paluajtshme me kusht, të vitit 2016, pak kohë pas kësaj ngjarje.

Kolegji konsideron edhe faktin e privilegjeve të përfituara prej prokurorit Muçi në blerjen e këtij apartamenti nga A.L., në cilësinë e shitësit. “Ky fakt rezultoi i provuar gjatë shqyrtimit gjyqësor të çështjes, nga provat e administruara në Komision, por edhe në Kolegj, ku sipas kontratës së shitjes me rezervë të lidhur para noterit publik D. B. P. …, të datës 13.05.2016, subjektit të rivlerësimit pas nënshkrimit të kësaj kontrate i ka mbetur pa likuiduar vlera prej 35.000 eurosh”, thuhet në vendim.

“Privilegj e konsideroi Kolegji faktin se z. A. L., si administrator i vetëm i “{***}” ShPK, rreth dy muaj para se t’ia shiste subjektit të rivlerësimit apartamentin e sipërcituar, ia ka blerë në vlerën 74.500 euro shitëses, znj. E. Sh., me aprovimin e bashkëshortit të saj, z. G. H., pra 500 euro më pak nga vlera që ia ka shitur subjektit… . Kolegji, duke e vlerësuar këtë fakt privilegj, ka parasysh logjikën e veprimeve financiare që duhet të kryejë një subjekt tregtar në fushën e ndërtimit…”, çmon Kolegji që evidenton më tej se huadhënësi i ka dhënë afat tre vjeçar për shlyerjen e diferencës së papaguar prej 35.000 eurosh.

Kolegji çmon se Muçi nuk ka pasur mundësi reale për ta shlyer brenda tri viteve këtë vlerë, ashtu si ishte përcaktuar në kontratë, ndërkohë që vlerën e mbetur të çmimit të këtij apartamenti e ka likujduar gjatë shqyrtimit gjyqësor në Kolegj.

Balanca negative

Kolegji e gjen të drejtë shkakun e ankimit të Komisionerit mbi mosmbulimin e shpenzimeve nga të ardhura të ligjshme për vitet 2003, 2004, 2005, 2006 dhe 2016.

Kolegji vlerëson se me të gjitha metodat e përllogaritjes së shpenzimeve të jetesës: ato të pretenduara nga subjekti; ato të përdorura nga Komisioni dhe Komisioneri Publik; si edhe me metodat e publikuara nga INSTAT-i për përllogaritjen e shpenzimeve të jetesës të cilat zbatohen nga ILDKPKI-ja, Muçi nuk mund të mbulojë shpenzimet e jetesës me burime të ligjshme për vitet 2005, 2006 dhe 2016.

“Nga analizat financiare të pasqyrave të gjithë skenarëve të pretenduar, subjekti i rivlerësimit rezulton me balancë negative në disa vite. Kolegji e vlerëson pretendimin e subjektit të rivlerësimit për t’u përdorur shpenzimet e jetesës sipas shkresës së ILDKPKI-së, të paraqitur si provë, si një përpjekje të tij për të paraqitur në mënyrë të pasaktë pasurinë e tij”, thuhet në vendim.

Nga analiza financiare e kryer në Kolegj sipas standardeve të shpenzimeve të jetesës të vendosura në Komision dhe të përdorura edhe nga Komisioneri Publik, kanë rezultuar balanca negative, konkretisht: në vlerën 102.844 lekë për vitin 2003; për vitin 2004 në vlerën 123.343 lekë; për vitin 2005 në vlerën 199.944,33 lekë dhe për vitin 2006 në vlerën 1.519.152,26 lekë.

Bazuar në shpenzimet e jetesës sipas shkresës së ILDKPKI-së, kanë rezultuar balanca negative për tre vite. Në vitin 2005 në vlerën 38.184,33 lekë; në vitin 2006 në vlerën 1.195.576,59 lekë dhe në vitin 2016 në vlerën 58.056,2 lekë.

Kolegji vëren se në të dyja analizat ekonomike nuk janë përfshirë të ardhurat nga huadhëniet e babait, xhaxhait, motrës dhe kunatit të Muçit, në vitin 2006, pasi nuk mund të justifikohen me burime të ligjshme.

“Çmohet se prapësimi dhe pretendimi i subjektit të rivlerësimit në lidhje me këtë shkak ankimi është i pabazuar në ligj e në prova dhe, për rrjedhojë, edhe konkluzioni i Komisionit për këtë fakt është i gabuar”, konkludon KPA.

Kolegji vlerëson se edhe kërkimi i Komisionerit në lidhje me mosdeklarimin e pasurisë tokë-arë të bashkëshortes, në bashkëpronësi me familjarët e saj të origjinës dhe të përfituar nga ligji 7501 i vitit 1991, është i drejtë dhe duhet pranuar. KPA e ka rrëzuar pretendimin e Muçit se bashkëshortja nuk mund të përfitojë të drejta pronësore nga familja bujqësore pas martesës në vitin 1997 dhe se për këtë arsye nuk kanë pasur detyrim ligjor për deklarimin e kësaj pasurie.

“Nga ana tjetër, çmohet se prapësimi dhe pretendimi i subjektit të rivlerësimit në lidhje me këtë shkak ankimi është i pabazuar në ligj e në prova dhe, për rrjedhojë, edhe konkluzioni i Komisionit për këtë fakt është i gabuar”, thuhet në vendim ku theksohet se në këtë rast Muçi ndodhet në kushtet e deklarimit të pasaktë dhe të paplotë për kriterin e pasurisë. Birn

*Titulli redaksional

/G.M./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Monik Lavire: 27/02/2020 23:23

    Po ti o koke mushke kete debilin gjete per gjykate kushtetuesr?

    Përgjigju
    • Kok lops: 28/02/2020 14:59

      E ka zgjedh sipas “shembelltyres” se vete.

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?