Kreu i PL-së, Ilir Meta ka vijuar sërish me sulmet nga qelia e paraburgimit, ku ndodhet prej një viti tashmë, lidhur me provat e reja që paraqiti SPAK në seancën paraprake të një dite më parë të dosjes së tij, lidhur me një letërporosi të ardhur nga SHBA me pagesa për çështjen e lobimit të LSI-së. 

Meta pretendon se nuk ka asnjë fakt penal ndaj tij dhe se midis kompanisë GSIS dhe LSI-së ka patur një kontratë të detajuar dhe të mirëpërcaktuar se si do të realizoheshin shërbimet dhe pagesat. Kjo kontratë, thotë Meta, është në dispozicion të SPAK-ut dhe do ta bëjë publike pas seancës paraprake. 

Meta pretendon se nuk ka autorizuar asnjë njeri dhe nuk ka patur dijeni për pagesa që supozohet të jenë bërë nga biznesmeni Adrian Shatku, kushëri i Monika Kryemadhit, për kompaninë GSIS apo të tjerë, dhe thotë se nëse është e vërtetë, këta persona duhet që të vihen para drejtësisë amerikane dhe atë shqiptare. 

Ai e cilëson këto prova si "tigrat e Bangladeshit të Yuri Kim, ish ambasadores së SHBA, ndërsa shënjestron edhe kreun e SPAK, për të cilin thotë se "Nëse prodhimi i lajmeve të tilla e ndihmon Dumanin të rregullojë frymëmarrjen e rënduar në Kuvend ia mirëkuptoj hallin, por nuk mund t’ia zgjidh dot unë."

SPAK e akuzon Ilir Metën, ish kryetar i LSI-së në vitet 2016 - 2017, se lidhi dhe ekzekutoi kontrata për shërbim konsulence dhe lobimi me kompanitë Global Security and Inovative Solution LLC dhe Grupi McKeon Inc (GSIS) në SHBA. Marrëveshja është firmosur më 3 shkurt 2016 mes Petrit Vasilit si nënkryetar i LSI-së dhe Dennis Burke për GSIS. Kompania do të këshillonte LSI-në lidhur me marrëdhëniet e saj me qeverinë e SHBA dhe drejtuesit politikë si dhe do të siguronte takime me përfaqësues të kongresit amerikan dhe senatit. Sipas SPAK, për periudhën Janar 2016 - Dhjetor 2017, LSI i ka paguar kompanisë GSIS, për qëllime konsulence dhe lobimi 463.546,26 USD dhe ka deklaruar shpenzime për konsulencë pranë KQZ si dhe ka paraqitur pranë organit procedues vetëm tre fatura të paguara kompanisë GSIS LLC, shumën 11.720.552 lekë (93,761 USD).

Seanca paraprake dje u shty për shkak të mungesës së avokatit të Monika Kryemadhit. SPAK paraqiti prova të reja ndërsa gjyqtarja Irena Gjokla vendosi pezullimin e afateve të paraburgimit për Ilir Metën. Avokati i Metës, Kujtim Cakrani e quajti gjyqtaren si të kapur dhe të presionuar nga prokurorët sepse po e hetojnë për akuzat që ka ngritur Sali Berisha se ka fshehur një dënim për falsifikim dokumentesh në Greqi. Po ashtu, avokati tha se organi i akuzës shkeli ligjin me provat që paraqiti pasi i ka mbyllur hetimet.

SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror. Meta dhe Kryemadhi akuzohen për korrupsion pasiv, pastrim parash dhe mosdeklarim pasurie. Të pandehur janë edhe Pirro Xhixho, Fatime Kryemadhi dhe Ema Çoku. 

Reagimi i plotë: 

Provat "amerikane" të Dumanit janë si tigrat e Bangladeshit të Kimetes

Dje u shpërnda lajmi i “madh” për të njëqindën herë në mediat e regjimit nga SPAK-u i Duman zëmekurit një natë më parë në Kuvendin e Shqipërisë se kishte mbërritur prova “amerikane” kundër Ilir Metës me letërporosi nga matanë Atlantikut.

Dua të garantoj të gjithë qytetarët shqiptarë se “prova amerikane” kundër Metës është si tigrat nga Bangladeshi që solli Kimetja, që nuk prodhojnë energji për shqiptarët.
Edhe kjo “provë” nuk prodhon dot as fakt penal dhe as fajësi për Ilir Metën.

Midis kompanisë GSIS dhe LSI ka patur një kontratë shumë të detajuar e të mirëpërcaktuar se si realizohej çdo shërbim dhe çdo pagesë dhe kjo është në dispozicion të SPAK-ut e do bëhet publike nga ne pas seancës paraprake të gjykimit.

Vija e kuqe e theksuar në këtë kontratë ishte respektimi i ligjit antikorrupsion në SHBA për të mos pranuar asnjë pagesë të parregullt.

Ndaj nëse është e vërtetë se GSIS ka pranuar pagesa nga biznesmeni shqiptaro-amerikan A.SH apo kushdo tjetër për llogari të LSI kjo i vlen vetëm drejtësisë amerikane për të proceduar kompaninë në fjalë për shkeljen e ligjeve amerikane por edhe të kontratës së nënshkruar me përfaqësuein e autorizuar të LSI në shkurt 2016.

Po kështu nëse kjo është e vërtetë edhe shtetasi A.SH e kushdo tjetër duhet të procedohet nga drejtësia amerikane për shkelje të ligjeve amerikane.

Nëse dikush nga LSI ka autorizuar shtetasin A.SH të bëjë veprime të tilla të paligjshme padiskutim që duhet të përgjigjet maksimalisht para ligjit shqiptar.

Por është e padiskutueshme që unë Ilir Meta, as kam autorizuar njeri dhe as kam patur dijeni për veprime të tilla dhe kjo do provohet në gjykatat shqiptare dhe amerikane, 

Nëse prodhimi i lajmeve të tilla e ndihmon Dumanin të rregullojë frymëmarrjen e rënduar në Kuvend ia mirëkuptoj hallin, por nuk mund t’ia zgjidh dot unë.

Ai është mësuar të ngatërrojë ligjin me Maliqin, siç mund të ngatërrojë Amerikën me Bangladeshin dhe McGonigalin me Amerikën.

Verifikojini se mos letërporositë për Charles McGonigal i kanë mbetur në ishujt Azore se Hulusiu është i fortë në gjeografi.

E garantoj Dumanin se kjo histori nuk është një lojë “Kaladibrançe” dhe fundi i saj do jetë i merituar për këta mercenarë pa Atdhe dhe pa nder.

Postimi i Metës