TIRANE - Prova kryesore që prokuroria e Vlorës kërkonte të sekuestronte në ambientet e bashkisë së Vlorës, është vjedhur nga banorët e rrugës Trans-Ballkanike, të cilët në 29 janar të këtij viti hynë me forcë në zyrën e kryebashkiakut Shpëtim Gjika. Ky ka qënë argumenti që ka dhënë kreu i bashkisë Vlorë i vënë nën hetim për “Falsifikim dokumentash” dhe “Shpërdorim detyre”, i cili pak kohë më parë është paraqitur në prokurori dhe ka dëshmuar para anëtarëve të grupit hetimor. Gjatë dëshmisë së tij Gjika nuk ka pranuar akuzat e ngritura ndërkohë ka shtuar se ai në asnjë rast nuk ka fshehur provat dhe dokumentat e bashkisë.

Dëshmia e Gjikës
Sipas dëshmisë së kryebashkiakut, libri dhe procesverbali ku është mbajtur dhe diskutimi i mbledhjes së KRT së Bashkisë Vlorë në 2011, për miratimin e disa lejeve ndërtimi, ka qenë në zyrën e tij. Më tej Gjika ka shtuar në dëshminë e tij, duke habitur prokurorët se si libri dhe procesverbali, dy dokumentat shumë të kërkuara nga organi i akuzës nuk gjendeshin në zyrën e tij, dhe se ai dyshonte se këto dokumenta janë vjedhur në datën 29 janar 2015, ditë kjo kur në ambientet e bashkisë së Vlorës kanë hyrë me forcë dhjetëra qytetarë të Vlorës, që kërkonin shpronësimin e banesave dhe pronave të tyre, pasi i kapte ndërtimi i rrugës Trans-Ballkanike. Kjo dëshmi nuk ka bindur prokurorët, të cilët për të disatën herë i janë drejtuar sërisht me një shkresë zyrtare bashkisë, në mënyrë që ajo të dorëzojë dy dokumentat.

Kontrolli i prokurorit
Vetëm katër ditë pas arrestimit të kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika, një oficer policie dhe prokurori i çështjes kanë shkuar në ambientet e bashkisë së Vlorës ku kanë ushtruar një kontroll të imtësishëm në zyrën e protokollit dhe arshivës. Në pamundësi për të gjetur librin e mbledhjes dhe procesverbalin e mbledhjes së 2011, ku është dhënë leja për ndërtimin e një pallati 11 katësh në Vlorë, është kërkuar që kontrolli të shtrihej më tej, në zyrën e kryebashkiakut të Vlorës Shpëtim Gjika. Zyra e këtij të fundit është hapur me forcë, por që pas kontrollir sërisht në tavolinën e punës së Gjikës, nuk janë konstatuar këto prova.

Prangosja e Gjikës
Teksa ishin mbushur 71 ditë, që kryebashkiaku i Vlorës Shpëtim Gjika gëzonte pafajësinë e tij të dhënë nga gjyqtari Arben Micko, Gjika sërisht i është kthyer problemeve me drejtësinë, ku këtë herë ka përfunduar në qelitë e shoqërimit të policisë së Vlorës.

Sërisht kanë qënë abuzimet me lejet e ndërtimit dhe fallsifikimi i tyre që kanë sjellë arrestimin e tij, ku këtë herë sipas prokurorisë bëhet fjalë për një pallat 11 katësh, që ndodhet në qëndër të Vlorës, pranë Xhamisë. Njësia hetimore Task-Forcë,ka drejtuar hetimin ku dosja është verifikuar me imtësi, ndërkohë që gjatë kësaj faze Gjika dhe Doriana Sulaj, kanë fshehur dhe nuk dorëzuan procesverbalin e mbledhjes së 17 janarit 2011 të KRRT Vlorë,megjithëse ky dokument kërkohej zyrtarisht si dhe nga vetë prokurori,që ka shkuar në ambjentet e bashkisë, për të sekuestruar provën.
 
Premtimi “Sapo të dal nga spitali do të dorëzoj dy provat”
Kryebashkiaku Gjika, teksa ndodhej i shtruar në spital ka pohuar në një dalje publike se ai sapo të dilte nga spitali, procesverbalin dhe librin e mbledhjes së 17 janarit 2011, do ja dorëzonte prokurorëve. Ai ka këmbëngulur se në asnjë rast nuk ka pasur qëllim të fshehë provat për prokurorinë, duke shtuar se këto dy dokumente ndodheshin në zyrën e tij, dhe për pasojë do ia dorëzonte prokurorëve. Por ndryshe nga këto deklarata Gjika sot e kësaj dite nuk ka dorëzuar këto dy prova kryesore për hetimin, duke pohuar gjatë dëshmisë së tij se dokumentat janë vjedhur në 29 janar të vitit 2015. Kjo dëshmi ka habitur prokurorët, të cilët kanë shtuar se megjithëse nuk disponojnë këto prova, hetimi kundër Shpëtim Gjikës dhe disa personave të tjerë do të vijojë.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)