Në udhëzimin e Maturës Shtetërore 2012, i cili mban firmën e ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, thuhet se për përllogaritjen e pikëve do të procedohet si më poshtë: Shënojmë me M (nota mesatare e shkollës së mesme), D1 (Letërsia), D2 (Matematika), Z1, Z2 dhe (Z3) përkatësisht pikët e lëndëve me zgjedhje. Shënojmë me K koeficientin e shkollës së mesme, i cili përcaktohet nga vetë universitetet publike, dhe shënojmë me F1, Fz, (F3) koeficentët që universitetet publike do u japin të gjithë lëndëve me zgjedhje si atyre të kurrikulës bërthame si të kurrikulës me zgjedhje. Më pas të gjitha mblidhen dhe shumëzohen me 100, që është për efekt të llogaritjes së pikëve, dhe dalin pikët përfundimtarë që ka fituar maturanti nga matura shtetërore dhe me të cilët do të hyjë në garë për në shkollën e lartë. Sipas udhëzimit të ministrit Tafaj, formula e pikëve, kur maturanti/kandidati jep 2 provime me zgjedhje, llogaritet në këtë mënyrë Iz = 0.2 x [M +D1 +D2] x K + 0.4 x [z1 x F1+ Zz x Fz] : 2} x 100 x 5; ndërsa kur maturanti jep 3 provime me zgjedhje pikët llogariten me formulën: Iz=0.2 x [M +D1 +D2] x K +0.4 x [z1 x F1+ Z2 x F2 + Z3 x F3]: 2} x 100 x 5. Ku koeficienti 0.2, tregon që nota mesatare (M), Gjuha Shqipe dhe Letërsia (D1) dhe Matematika (D2) kanë secila nga 20 për qind të peshës së vlerësimit përfundimtar dhe koeficienti 0.4 tregon që lëndët me zgjedhje së bashku kanë 40 për qind të peshës së vlerësimit përfundimtar. Ndërsa shumëzimi me koeficientin 5 në këtë formulë, bëhet për efekt të referimit me pikët në maturat para 2012. Në udhëzimin e saj Ministria e Arsimit ka dhënë edhe shembuj konkretë se si mund të llogariten pikët. Më poshtë maturantët do të mund të gjejnë tri shembuj të llogaritjes së pikëve, ku në të tre rastet të rinjtë kanë dhënë tre provime me zgjedhje. Në këtë formulë janë marrë parasysh edhe koeficientët për lëndët me zgjedhje sipas programeve të studimit në universitetet publike që janë: 1; 1,1; 1,2; 1,3; 1,4, si dhe koeficientët për të gjitha profilet e shkollave të mesme që do të jenë 1; 1.1; 1.2, 1.3 1,4.
LËNDËT ME ZGJEDHJE
Matura e këtij viti është e para që përfundon shkollën me sistemin 3-vjeçar. Por ndryshimi nuk është vetëm te kohëzgjatja e shkollës së mesme, por edhe në faktin se aktualisht në shkolla po aplikohet sistemi i kreditove dhe jo i notave. Gjatë gjithë viteve të shkollës supozohet që maturanti duhet të ketë grumbulluar rreth 90 kredite në total, për t'u drejtuar më pas dyerve të fakulteteve ku synojnë të studiojnë. Gjithashtu maturantët duhet të kenë një minimum prej 8-12 kredite për lëndët që japin si provim me zgjedhje, por diferenca midis këtij limiti nuk reflektohet me pikë apo vlerësim më të lartë në totalin e pikëve të maturës shtetërore.
(aq/shqiptarja.com)