Pesë minuta. Kaq zgjati prova e Marlon Brando-s, vetëm 23 vjeç në atë kohë, por me një talent të jashtëzakonshëm. Audicioni daton në vitin 1947, dhe bëhet fjalë për filmin "Rini e djegur", ndërkohë që Brando kishte mahnitur tashmë publikun dhe kritikët teatrale të Broadway me dramën e Tennessee Williams "Një tramvaj i quajtur dëshirë".
Marlon Brando do e refuzonte pjesën, dhe skenari pasi u modifikua disa herë, përfundoi në duart e James Dean. Për Brando-n, debutimi në ekranin e madh do të ishte me "Burrat", i njohur edhe si "Trupi im të përket ty", ku ai shfaqet në rolin e një veterani paraplegjik të Luftës së Dytë Botërore. Dhe pse i ri, Brando do të tregonte një përkushtim të madh, duke kaluar një muaj në shtrat në një spital të vërtetë, për t'u përgatitur për rolin.
Dhe ky është vetëm fillimi i një karriere të madhe e të pabesueshme , nga ku hapi i ardhshëm ishte ekranizimi i dramës "Një tramvaj i quajtur dëshirë", që e projektoi Brando-n në Olimpin e yjeve më të ndritur në historinë e filmit.












