Proza e Kadaresë/Rusja në vendin
që mezi mjafton për varret e banorëve të tij

Proza e Kadaresë/Rusja në vendin<br />që mezi mjafton për varret e banorëve të tij<br>
Mbi tregimin "Vdekja e ruses“ dhe romanin "Kukulla“ të Kadaresë botuar në këto kohë në serbisht dhe kroatisht. Si i sheh këto dy vepra shkrimtari boshnjako-kroat Miljenko Jergoviç... Ismail Kadare, shkrimtar i madh ballkanik, një prej më të mëdhenjve të Europës ende i gjallë. Jeton kryesisht në Francë dhe shkruan në një gjuhë e cila në kroatisht nuk ka përkthyes letrarë, madje as në Zagreb në ekziston Katedra për gjuhën shqipe. Romani „Kukulla“ është libri i parë në prozë i Ismail Kadaresë që botohet në kroatisht.

Tregimin shumë të shkurtër, jo më shumë se një faqe e gjysëm, të titulluar „Vdekja e ruses“, Ismail Kadareja e botoi në vitin 1981, kohë në të cilën Enver Hoxha ishte ende gjallë, ndërsa shteti në të cilin ai mbretëronte i mbyllur si kuti sardelesh. Është historia e një ruseje, nga fundi i jetës së saj dhe nga perspektiva e varrit, e cila në vitin 1959 u martua me një oficer të ushtrisë shqiptare. Udhëtuan për muaj mjalti në atdheun e tij, marrëdhëniet mes vendeve vëllazërore u ndërprenë, Shqipëria u mbyll, dhe ajo mbeti përsosmërisht e vetme. Pikërisht për këtë vetmi shkruan Kadareja, dhe për kunatat, motrat e bashkëshortit të saj, të cilat e qajnë me hidhërim rusen e gjorë, „qajnë para së gjithash për vetminë e tyre. Por me siguri edhe për të sajën“.

Antarja e Kryesisë së Frontit Popullor të lagjes mban një fjalim mbi varrin  e  saj ende të hapur, por në asnjë fjali nuk përmend kombësinë e saj, „për të cilën edhe i ra mbi kokë vetmia më e madhe që mund të mendohej“. Në fund thotë: „Mirupafshim Nina!“. Dhe këto fjalë, pohon përkthyesi, janë të vetmet fjalë të natyrshme që foli. „Por akoma më të natyrshme ngjajnë grushtat e dheut dhe gurët që kërcasin mbi arkivol me një gjuhë universale, shumë më të kuptueshme sesa të gjitha gjuhët njerzore, megjithëse varrin për këtë grua të vdekur nuk e dha Rusia e pamatë, por toka e ngushtë e shqiptarëve, e cila mezi është e mjaftueshme për varret e njerëzve të saj“.

Kjo histori është e pazakontë jo vetëm për mënyrën e të shkruarit të Kadaresë, sepse në të duket sikur ka diçka autobiografike. Sikur, Zot më faltë, është vetë shqimtari Nina që po e varrosin, sikur bëhet fjalë gjatë gjithë kohës vetëm për të. I kufizuar dhe i murosur me gjuhën që askush në botë nuk e kupton, në vendin në të cilin- përveç ndonjë miku anonim gjithsesi të parëndësishëm-kjo nuk ka rëndësi, i fshirë nga konteksti stilistiko-gjuhësor, shoqëror, imagjinativ për letërsinë e tij, shkrimtari ia krijon vetvetes konteksin, përshkruan historinë dhe historinë e letërsisë së tij, nëpërmjet së cilës do të mund të kuptohen tregimet e tij.

„Vdekja e ruses“ është publikuar para disa javësh në përkthimin serbisht dhe e botuar nga Samizdati B92 i Beogradit, në kuadrin e një libri me novela të zgjedhura, të titulluar „Bisedë mbi brilantet një pasdite dhjetori“. Në të njejtën kohë, ndoshta në të njejtën javë, doli në përkthimin kroatisht romani i shkurtër autobiografik i Kadaresë „Kukulla“ botim V.B.Z-së. Çudia është e dyfishtë: në njërën anë çudia përbëhet nga fakti se në të njejtën kohë janë botuar dy libra të një shkrimtari veprat e të cilit janë botuar shumë pak dhe në mënyrë të varfër në gjuhët tona, megjithëse puna për përkthimin e tyre ka filluar që prej më shumë se tridhjetë vitesh. Deri tani kryesisht në Sarajevë dhe në Beograd, ndërsa „Kukulla“ është- po të mos marrim parasysh një pamflet politiko-kultutor, është libri i parë i Kadaresë që është publikuar në Zagreb. Ana tjetër e çudisë është akoma më e çuditëshme: përkthimi serb i novelave dhe përkthimi kroat i romanit është bërë i njejti përkthyes, Shkëlzen Maliqi.

Në Zagreb, që nga kohët e Shuflait, nuk ka patur interes për kulturën dhe letërsinë shqipe, kështuqë nuk ishte e mundur të gjendej përkthyes nga kjo gjuhë, ndërsa në Beograd, pavarësisht nga armiqësia e thekur ndaj shqiptarëve, gjithsesi ekziston fakulteti për studime në gjuhën shqipe, e për pasojë, është krejt e logjikshme, ka edhe përkthyes letrarë nga gjuha shqipe. Shkëlzen Maliqi, shkrimtar, folozof, dhe kritik arti, madje edhe politikan i përkohëshëm, është beogradas i dikurshëm dhe pa dyshim përkthyesi më i mirë letrar i poezisë dhe prozës nga gjuha shqipe. Duke pranuar përkthimin e tij, në vend që të kërkohej më kot një përkthes nga Kroacia, ose, çfarë është më e keqja, të vazhdojnë edhe më tej ta injorojnë Kadarenë dhe tërë korpusin letrar shqiptar, në Shtëpinë botuese V.B.Z, ndërmorën një veprim që në kushtet kroate mund të themi se është pothuajse revolucionar. Me këtë veprim u krye një precedent, le të shpresojmë, që do të shpjerë në ndryshimin e zakoneve, e kështu në të ardhmen do të zëvendësojë mungesën e përkthyesve letrarë jo vetëm të atyre nga gjuha shqipe, por edhe nga disa gjuhë të tjera. Përkthimi në serbisht i Maliqit, është i përpunuar pjesërisht dhe redaktuar brenda gjuhës standarte kroate, gjë e cila për nga pikëpamja e letërisë dhe e së vërtetës mbi tekstin, atë origjinal dhe në përkthim, janë pakrahasimisht  autentikë, të drejtë dhe të vërtetë, ndryshe nga ato përkthimet çalamane dhe të çuditëshme nga një gjuhë e tretë, kur, le të themi, veprat nga arabishtja apo ato të shkrimtarëve norvegjezë përkthehen nga përkthimi në anglisht apo gjermanisht (gjë e cila në botimet kroate këto vitet e fundit është rast i shpeshtë).

Kukulla është nëna e Kadaresë. Grua e ftohtë dhe e distancuar, me fytyrën e lyer të ngjashme me ato të kukullave japoneze. Tregimi për të është historia e të rriturit në Shqipëri, gjatë Luftës së Dytë Botërore, vendosjes së rregjimit komunist, dallimet klarore dhe gjinore, e pastaj edhe historia mbi shtëpinë, e cila sikur të ishte një organizëm e gjallë, transformohet sa nga vitet e sa nga ndryshimet e epokave.

Janë të paqarta dhe të pasigurta dallimet mes Patriarkatit dhe Matriarkatit. Në bashkësitë fisnore, në territorin e maleve Dinarike, në vende si puna e Malit të Zi dhe Shqipëri, ku burrat vriteshin në luftë ose shkonin në kurbet, shpesh herë mbizotëronte figura e Nënës së madhe mbi tërë familjen e madje edhe mbi tërë fisin. Megjithëse te Kadareja nuk kemi të bëjmë me një rast të tillë, bëhet fjalë për një famile qytetare aristokrate të varfëruar por e cila ende mbahet disi në gjendje të mirë, ku fryma e Matriakatit ndjehet në mos asgjë tjetër, së paku në po atë kultin e nënës që përshkruan gjithashtu edhe Luan Starova në romanin „Erveheja“. Sepse të dy djemtë, presin më shumë nga nëna sesa nga babai. Në këtë pritmëri poetika e jetës dhe e rritjes në vetë agun e erës enveriane. Vetëm se njëra prej këtyre familjeve mbeti e mbyllur hermetikisht në Shqipëri, ndërsa tjetra u arratis në Jugosllavi, në Maqedoni. Do të ishte interesant leximi i krahasuar i këtyre dy romaneve...

Raporti mes nënës dhe të birit është tejet i poetizuar, i reduktuar gati në lojë. Kështu ndodh në jetën për të cilën flet ky libër. Në ndryshim nga nëna e tretë shqiptare historinë e së cilës e kemi lexuar, në atë prozën e madhërishme „Shkëlqim dhe tmerr“ të aktorit Bekim Fehmiu, Kukulla jeton jetën e saj e cila në një masë të madhe edhe jashtë jetës. Ajo në thelb nuk është e detyruar të bëjë asgjë, përeçse të mbajë parasysh me kujdes raportet e saj tejet të ndjeshme me familjen e të shoqit, dhe kryesisht është e paaftë për çfarëdolloj pune serioze. Ose atij i duket kështu teksa rritet. Një ditë, pasi i ishte botuar libri i tij i parë, dhe ky një libër me poezi, ajo fillon të pyesë e shqetësuar nëse ai është bërë i famshëm. Kurrsesi nuk do të donte të ishte i tillë, sepse diku kishte pas dëgjuar, se djali kur bëhet i famshëm ndryshon nënën. Ajo mendon se djemtë e famshëm nuk duhet të kenë të njejtat nëna të zakonshme.

„Kukulla“ është një libër i pazakontë, mjaft atipik, në korpusin e  librave të përkthyer të Kadaresë. I shkruar pothuajse me lehtësi, pa shqetësim të madh për faktin se çfarë do të thotë bota për të, apo si do ta lexojnë kritikët, është libër i një shkrimtari i cili është afër fundit të rrugës. Sepse me të vëretetë që, shkrimtarit të lavdishëm që jo vetëm ia ka krijuar vetes kontekstin dhe traditën, por edhe është aq i njohur në botë, saqë nuk i nevojitet më asnjë lëvdatë për ta ngritur dhe as një kritikë për ta ulur. Krahas kësaj, ai, fiksionalisti i vjetër, ëndërrimtar, krijues legjendash dhe shkatërrues i tyre, nuk ka më nevojë për të shpikur dhe shkruar, shpjegon sikur gjithçka ka ndodhur dhe jeta tashmë ka kaluar.

Libri fillon në muajin prill të vitit 1994, kur i vëllai nga Shqipëria e lajmëron shkrimtarin për vdekjen e nënës. Përfundon pesë vite më vonë, kur avionët e NATO-s fluturojnë mbi detin Adriatik dhe bombardojnë Shqipërinë. Shkrimtari ka në mend njëfarë ngashnjimi fëmjëror ndaj bombarduesve dhe historia nga Lufta e Dytë Botërore kur vetëm një bombë ishte e mjaftueshme për të shkatërruar shtëpinë e tyre të madhe. Se çfarë do të ndodhë atëherë do ta marrë vesh ai që do të lexojë „Kukullën“. Ky detaj nuk duhet t'i prishë përjetimin exuesit.

Libri me tregime, përkthimi i të cilit është botuar në Beograd, dhe të cilin ia vlente ta lexojë krahas me „Kukullën“, titullin e ka marrë nga historia e tij më e rëndësishme, e cila flet për ardhjen e një francezi si mik. Në darkë arrin edhe Zonja Vuksani me të bijën, emigrante, e afërt me oborrin e Mbretit Zog. Pason një prej tregimeve më të bukura që kam lexuar këto vitet e fundit, dhe në të cilin ka dy episode. I pari, më shumë violina në një ditë janë shkatërruar gjatë bombardimit në Dresden në vitin 1945, kohë në të cilën në më pak se një gjysëm ore janë bërë copë e çikë gjashtëmbëdhjetë stradivari dhe guarneri, që të gjitha pronë e viruozit të violinës Fric Krejsler, çifut i dëbuar, i cili në atë kohë ishte shtetas amerikane. Dhe e dyta. Në njëfarë kohe, në gazetat shqiptare ia filluan të duken fraza dhe fjali latine. Njerëzit e afërm me intelektualët e burgosur dhe elementët antishtet, menduan se nëpërmjet tyre, të burgosurit, fshehurazi, lajmëronin se së shpejti do të liroheshin dhe në njëfarë mënyre i informonin për këtë. Por asnjë prej tyre nuk u lirua. U liruan vetëm kriminelët, të cilët latinizmat i kishin dëgjuar në burg dhe u kishin pëlqyer. I nxorrën jashtë këto fjalë dhe fjali dhe ato u përhapën gjithandej. Në këtë mënyrë përfunduan edhe në faqet e gazetave.

Ja pra, ky është Ismail Kadare.

Botuar në: Gazeta “Jutarnji List”, Zagreb 19.11.2017.

Përktheu:  Xhelal Fejza

d.c./shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

VIDEOLAJM/ Vlora bëhet gati për ceremoninë e ngritjes së flamurit

VIDEOLAJM/ Vlora bëhet gati për ceremoninë e ngritjes së flamurit