Si e shikoni emërimin e Drejtorit të ri të SHIU-t Sokol Pollozanit? (duke marrë parasysh që Pollozhani ka qenë në drejtorinë e sektorit të kundërzbulimit, ku përfshihen edhe përgjimet, që ju pretendoni se janë kryer).
Për mendimin tim, individët vërtetë kanë rëndësinë e tyre kur emërohen, por e rëndësishme në institucion është të respektohet sistemi. Dua të them që individët, ose drejtuesit të mos përdoren politikisht. Ne nuk na intereson nga vjen, por na intereson që në krye të institucioneve të pavarura të vendosen profesionistë dhe jo militantë partie. Pra çdo emërim që duhet të bëhet, të bëhet sipas kritereve, dhe të mos keqpërdoret nga politika. Kjo na intereson ne si opozitë. Dua të them se ndoshta për emërime të tilla që i shërbejnë partisë në pushtet, ne nuk po lejohemi që të mbikqyrim ministrinë e Mbrojtjes, pas kërkesave të bëra dhe vendimeve të marra. Ne jemi transparent dhe nuk na shqetëson fakti se mund të përgjohet opozita, se as nuk kanë çfarë të përgjojnë, pavarësisht se objekti nuk është të përgjohet opozita. Objekti i SHIU-t është që të investigojë brenda strukturave, brenda ministrisë së Mbrojtjes në lidhje me atë dyshimin që kemi ngritur ne për trafikun e armëve, për planin e përhapjes së Forcave të Armatosura, privatizimin dhe detajimin e buxhetit. Këto individë që emërohen nuk duhet të dalin jashtë objektit të punës së tyre, duke kryer vepër penale është e dënueshme edhe moralisht, përveçse nga ana ligjore.
A keni informacione për veprimtarinë që ka pasur më përpara zoti Pollozhani? Se ndoshta mund të sulmohet që në fillim...?
Ne nuk merremi me sulme, ne na interson të funksionojë sistemi. Nëse ata shkojnë në atë pozicion për t'i shërbyer partisë në pushtet atëherë kjo nuk do të lejohet. Mua nuk më intereson Pollozhani kush është, por ai të shkojë atje për të respektuar ligjin. Në lidhje me zotin Pollozhani, apo me punën që ka bërë më përpara kam asnjë informacion se nga vjen, por po e ritheksoj që të zbatohet ligji.
Në mbledhjen e grupit, deputetët që janë anëtarë të komisionit të Sigurisë kanë mbledhur firmat e nevojshme për të thirrur komisionin, e cila do të ketë si detyrë hartimin e kërkesës për t'u lejuar të mbikqyrni në ministrinë e Mbrojtjes. Kur është caktuar dita?
Nuk e di ende. Rregullorja e përcakton që kur kërkohet nga 1/3 e anëtarëve është i detyruar që kryetari i komisionit të caktojë datën e mbledhjes. Deri tani nuk kemi asnjë informacion.
Nëse ndodh, mbikqyrja do të zhvillohet edhe pas mbylljes së punimeve të Kuvendit?
Me këto zvarritje që po bëhen po kërkohet të shtyhet në maksimum mbikqyrja e ministrisë së Mbrojtjes. Por ne jemi të vendosur për ta ushtruar detyrimin ligjor që na jep rregullorja. I mbetet ministrisë së Mbrojtjes për të na hapur derën.
Ti kthehemi imunitetit, u dorëzua në Parlament nisma nga PD për të bërë ndryshimet në Kushtetutë për nenet që lidhen me imunitetin. Cili është komenti juaj për miratimin e këtij drafti integral dhe bllokimit të tij?
E rëndësishme për mua është që të diskutojmë edhe çështjet e tjera që kanë lidhje me ndryshimet në Kushtetutë. Partia Socialiste në parim e ka dhënë 'ok' për ndryshimet në Kushtetutë për nenet e imunitetit. Por fakti që do të kufizohet imuniteti nuk është gjithçka për të luftuar korrupsionin. Praktika e ka treguar se si ka funksionuar heqja e imunitetit dhe se si janë zhvilluar hetimet. Po t'i referohemi praktikës, duke patur deputetë dhe ministra të akuzuar për korrupsion për vepra penale, shohim se nuk është bërë shkak imuniteti. Por shkak për t'u mos u vënë përpara përgjegjësisë penale për shkak të përkrahjes që iu ka dhënë pushteti apo Berisha. Dhe kjo do të thotë që nuk luftohet korrupsioni kur ekziston Berisha. Korrupsioni duhet të luftohet duke forcuar institucionin. Edhe për këtë duhet të bëhen reforma. Pjesë e kësaj reforme është edhe drafti i PS për votimin e gjyqtarëve.
Kjo reformë përmban edhe draftin e dytë të PS, për votimin me 3/5 të gjyqtarëve dhe Prokurorit të Përgjithshëm?
Ne kemi paraqitur një draft. Dhe ky draft duhet të futet në proces, të dëgjohen ekspertët dhe grupet e interesit. Por jo të mos merren farë në konsideratë ashtu siç po veprohet nga mazhoranca. Nuk mund ta ndryshojmë Kushtetutën sa herë të duam. Presidenti sot është i Partisë Demokratike dhe natyrisht nesër edhe institucionet do të jenë nga të zgjedhurit e Partisë Demokratike.
(Intervista u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com)
(sg/shqiptarja.com)