TIRANË, 19 Gusht/ATSH/.- Partia Socialiste kërkoi sërish sot nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha që të japë dorëheqjen, pasi nuk ka bërë asgjë për banorët e kryeqytetit.
Për të dytën ditë, sekretari për Çështjet Ekonomike në PS, Ervin Bushati në një prononcim për mediat nga parku i liqenit artificial, fajësoi kryebashkiakun për betonizimin e kësaj zone të kryeqytetit. Kjo pas lejes së dhënë nga bashkia për ndërtimin e një objekti 20 katësh në këtë zonë.
"Ka ardhur momenti që të largohesh nga bashkia e Tiranës, se qytetarët e Tiranës nuk janë të interesuar se çfarë politike mund të bësh ti, por çfarë mund të bësh për qytetin e tyre", tha Bushati.
Ai i kërkoi kryebashkiakut që të mbajë premtimet e dhëna në fushatë elektorale, se 'nuk do të merrej me politikë' dhe se 'do ishte një kryetar bashkie që do merrej vetëm me problemet e qytetarëve'. /a.s/