Mazhoranca dhe opozita, përmes anëtarëve të tyre në Komisionin e Posaçëm Parlamentar të Reformës Administrative shprehën pikëpamje të ndryshme për avancimin drejt një produkti final, që përllogaritet të arrihet brenda korrikut.

Bashkëkryetari i Komisionit, Arbian Mazniku, u shpreh se mazhorancën nuk e pengon asgjë për të nisur dëgjesat.

“Nuk na pengon asgjë të nisim dëgjesat. Në vend që të kemi një agjendë, po shohim shtyrje e vetëm shtyrje”, u shpreh Mazniku.

Nga ana tjetër, bashkëkryetari demokrat i Komisionit, Luçiano Boçi, tha se duhen dëgjuar komunitetet dhe mendimi i tyre për Reformën Territoriale.

“Po për agjendën, po për takimet pa trysni kohe. Ne duhet të jemi të ndershëm me komunitetet. Të dëgjojmë komunitet”, tha mes të tjerash Boçi.

Nga ana tjetër, Ermal Elezi anëtari socialist në këtë Komision pati një propozim konkret për kolegët e opozitës.

“Nuk kemi marrë me shkrim asnjë propozim nga opozita. Duket sikur po kthehemi në pikën zero”, tha Ermal Elezi, deputet i PS.

Kujtojmë se Reforma Territoriale ka tensionuar prej kohësh situatën politike në vend, pasi PS ka kërkuar një numër më të ulët të bashkive, ndërkohë që PD ka kërkuar rritje të numrit të tyre.