TIRANE – “Dhunimi i nxënësve shqiptarë, të sulmuar e të rrahur në mënyrën më barbare për arsyen e vetme se janë shqiptarë, përbën padyshim jo vetëm një akt të papranueshëm kriminal, por edhe një sinjal alarmi për të gjithë ata që të ardhmen e rajonit tonë e shohin në Europë dhe jo në një rikthim tek e shkuara e tensioneve e konflikteve etnike.” Është ky reagimi i fortë që ka ardhur nga partia më e madhe opozitare në Shqipëri pas dhunimit të disa nxënësve shqiptarë në Maqedoni.

Përmes një deklarate për shtyp Partia Socialiste i ka shprehur solidaritet viktimave dhe familjeve të tyre si dhe vendosmërinë për t’iu gjendur në krah komunitetit shqiptar në Maqedoni “jo vetëm kur përballën me situate të tilla të papranueshme për Europën e shekullit 21, por edhe gjatë gjithë përpjekjeve të tyre për të fituar vendin që u takon në shoqërinë dhe institucionet maqedonase”.

Socialistët thojnë se e kanë ndjekur “me shqetësim të thellë shtimin e incidenteve dhe rritjen artificiale të tensioneve me sfond etnik e fetar në Maqedoni; incidente e tensione, të cilat nuk i shërbejnë askujt përpos disa grupeve apo individëve të cilët nuk ndajnë as vizionin demokratik e as vizionin europian të popujve tanë”.

Fakti që incidentet e kësaj natyre “janë kthyer në rituale gati të përjavshme duhet të shihet nga të gjithë ne si një kambanë alarmi për kanosjen e bashkëjetesës demokratike në Maqedoni”, thuhet në deklaratën e PS e cila përfundon me një thirrje të fortë autoriteteve maqedonase “që të hetojnë e të ndëshkojë me forcën e ligjit autorët e këtij krimi të shëmtuar dhe të përballen pa ngurrim me çdo shfaqje të urrejtjes etnike apo fetare”. (im/shqiptarja.com)