Për të majtën janë dy kushtet që sipas së cilës duhet të zgjidhen në mënyrë të tillë që ky institucion të vijojë veprimtarinë e tij. PS kërkon rikthimin e Ilirjan Muhos, të shkarkuar nga Kuvendi ose rikthimin e legjimitetit në këtë institucion, kjo duke e riformatuar edhe një herë nga e para KQZ.
“Të kthehet gjendja e mëparshme, të zhbëhet akti i Kuvendit, ose të ulemi, të dialogojmë dhe të gjejmë një zgjidhje të qëndrueshme për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, të formatim të këtij Komisioni dhe gjetjes të disa mekanizmave që kthejnë besimin tek vendimmarrja në këtë komision", thotë Damian Gjiknuri, sekretari për çështjet zgjedhore në PS.
Duke mohuar propozimet e PS për komisionerët e KQZ, ai shton më tej se “Partia Socialiste nuk do të propozojë anëtarë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe nuk është e gatshme që të bëjë thjesht një zëvendësim njerëzish”. “Nëqoftëse Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Partia Demokratike ka vendosur ta trajtojë si një seksion të Partisë Demokratike, le ta mbajë dhe të vazhdojë në atë mënyrë.
Ne nuk do të bëhemi pjesë e kësaj farse, por njëkohësisht do të përgatitemi për zgjedhje, sikur asgjë s'ka ndodhur",thotë Gjiknuri.Ai thekson më tej se PS është përgatitur për të vazhduar zgjedhjet edhe me komisionet e niveleve të dytra dhe të treta. “Ne do të përgatitemi për zgjedhje, do vazhdojmë punët me komisionet e niveleve të dyta e të treta poshtë, zgjedhjet do vendosen aty. Nëse KQZ do të fusë duart në proces, do të përballet me skenarë, të cilët ne do të përgatitemi",deklaroi Gjiknuri.
KOLEGJI
Socialistët kanë zgjidhjen edhe për shpalljen e fituesit, i cili deri më tani bëhej nga KQZ me të paktën 5 vota pro. Kolegji, sipas tyre, do të certifikojë rezultatin final të 23 qershori.
ZËVENDËSIMI I ANËTARËVE TË KQZ
Kodi Zgjedhor e në nenin 19 të tij ka të përcaktuar edhe mënyrën e zvendëisimit të anëtarëve. “ Në rast të mbarimit të parakohshëm të mandatit të anëtarit të KQZ-së, Kuvendi emëron një anëtar zëvendësues brenda 30 ditëve nga data e njoftimit të vakancës nga KQZja, sipas shkronjave “b” “c” dhe “ç” të pikës 1 të nenit 18 të këtij Kodi ose nga çasti i shkarkimit.
Të drejtën për propozimin e kandidaturave e ka i njëjti subjekt politik që kishte propozuar anëtarin që i kishte mbaruar mandati, nëse subjekti i plotëson kriteret e përcaktuara në pikën 1 të nenit 14 të këtij Kodi. Në të kundërt, kandidaturat propozohen nga partia politike, e cila i plotëson kriteret e renditjes dhe përkatësisë.
Në rast se mandati i një anëtari të KQZ-së përfundon para kohe gjatë periudhës së zgjedhjeve, ai zëvendësohet nga Kuvendi sa më shpejt që të jetë e mundur, por jo më vonë se 48 orë nga krijimi i vakancës. Anëtari zëvendësues qëndron në detyrë deri në mbarimin e afatit të mandatit ligjor që gëzonte, sipas aktit të zgjedhjes, anëtari i larguar para kohe”, thuhet në kod.
Shkrimi u botua sot në gazetën shqiptarja.com (print) 23.04.2013
Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)