PS feston fitoren në Tiranë, Veliaj bën thirrje për bashkim në Këshill Bashkiak: Kemi më shumë gjëra që na bashkojnë, sesa na ndajnë

TIRANË- Edhe në mesazhin e tij të falënderimit për këdo që kontribuoi për fitoren e jashtëzakonshme të Partisë Socialiste në Tiranë, e sidomos të qytetarëve që i dhanë sërish votën për një mandat të tretë në krye të Bashkisë më të madhe në vend, Erion Veliaj kërkoi bashkëpunimin e të gjithëve për të vijuar punën për zhvillimin e Tiranës. 

Nga selia e PS, Veliaj tha se do t’i shtrijë dorën e bashkëpunimit kandidatëve që garuan së bashku me të në këto zgjedhje, por sidomos të gjithë këshilltarëve të çdo force politike të zgjedhur nga qytetarët për Këshillin Bashkiak të Tiranës.

“Dua të përdor këtë mundësi nga selia e partisë sonë, nga selia e familjes sonë, nga selia e bashkësisë më të madhe politike për t’i shtrirë dorën e bashkëpunimit të gjithë atyre që kandiduan për Bashkinë e Tiranës. Dua t’i shtrij dorën e bashkëpunimit Belindit, Arlindit, Rolandit, Markos dhe Lajlës. Ne nuk jemi armiq, jemi gdhirë në të njëjtin qytet, kalojmë në të njëjtat rrugë, do të kemi të njëjtat probleme. Shpresoj shumë që ta pranojnë këtë ofertë që të bashkëpunojmë, mos të hyjmë në një Këshill Bashkiak ku vazhdon avazi i vjetër i përçarjes dhe i ndasisë. Ne nuk kemi nevojë për të tjerë në Këshill Bashkiak, por kemi dëshirë që të bashkëpunojmë me të tjerë në Këshillin Bashkiak,” u shpreh Veliaj.

Ai theksoi se Partia Socialiste në Tiranë ka fituar shumicën absolute edhe të anëtarëve të Këshillit Bashkiak, por këtë bashkëpunim e kërkon për të mirën e qytetit.

“Falë mbështetjes së jashtëzakonshme që na kanë dhënë qytetarët, duke votuar logon e Partisë Socialiste për Këshillin Bashkiak, ne sot kemi dhe një shumicë vendimtare në Këshillin Bashkiak, një shumicë që na lejon që këtë vizion, këto premtime, këto projekte të vazhdojmë t’i çojmë përpara. Ne nuk kemi nevojë në sensin e numrave, për vota të tjera në Këshillin Bashkiak, por kemi një dëshirë shumë të madhe që të bëjmë një fillim të ri, të fillojmë një rrugë të re, të kemi një traditë të re, ku nuk vazhdon më kënga e Ilirit dhe e Saliut, tani e përkthyer në Këshillin Bashkiak ku për nevojat e qytetit për të ndërtuar ato shtëpi, që ende presin të ndërtohen për tërmetin, shkolla, kopshte, çerdhe, rrugë që ende presin që të shohin dritë ne zhvillimit, ne ta gjejmë këtë frymë bashkëpunimi dhe të japim një mesazh nga Tirana që pavarësisht diferencave kemi më shumë gjëra që na bashkojnë sesa gjëra që na ndajnë,” e mbylli apelin e tij Veliaj.

Kandidati i PS, Erion Veliaj ka marrë 54.69% (158.688 vota). Sakaq, kandidati i koalicionit “BF”, Belind Këlliçi e ndjek në vendin e dytë me 34.58%(100351), me mbi 58 mijë vota diferencë. Kandidat i tretë u rendit Arlind Qori i Lëvizjes Bashkë, i cili ka marrë 4.77% të votave ose 13835 vota. Roland Bejko i PD-së ka marrë 12.388 vora ose 4.27%. Nga ana tjetër Lajla Përnaska e PDIU ka marrë 0.73% ose 2104 vota, ndërsa Marko Dajti i Frontit të Majtë ka 0.97% ose 2807 vota. 

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:04
Xhafaj: Këlliçi humbi dhe në lagjen ku votoi bashkë me familjen! Edhe vetë demokratët nuk e mbështetën tek njësia 10

Deputeti i PS, Fatmir Xhafa teksa uroi fitoren e Erion Veliajt për Bashkinë e Tiranës, kishte edhe një mesazh për rivalin Belind Këlliçi. Në aktivitetin festiv në selinë e PS me rastin e fitores, Xhafa tha se ai zgjodhi liderin e gabuar dhe rrugën e gabuar.

Sipas Xhafës demokratët janë qytetarë, arsyetojnë dhe dinë për kë të votojnë.

“Disa thonë se ne kishim një kundërshtar të dobët, prandaj fituam kaq thellë. Unë nuk besoj që është kështu. Do ju jap një argument. Pak metra nga kjo seli është qendra e votimit 1981 atje ku votoi kandidati rival i Erionit, ku gjithë familja e tij dhe farefisi i tij dhe humbi. E dini pse humbi ? Sepse kishte zgjedhur lideshipin e gabuar dhe rrugën e gabuar, prandaj edhe demokratët vetë nuk e mbështetën tek njësia 10, sepse demokratët janë qytetarë të këtij vendi dhe dinë të arsyetojnë dhe votojnë për jetën e tyre”, tha Fatmir Xhafaj.

B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

OKB: Lufta ka shkaktuar 37 milionë ton mbeturina në Gaza, duhen 14 vite për t’i pastruar

OKB: Lufta ka shkaktuar 37 milionë ton mbeturina në Gaza, duhen 14 vite për t’i pastruar