PS fiton zgjedhjet në Kolonjë
trefish vota më shumë se 2015-ta

PS fiton zgjedhjet në Kolonjë<br />trefish vota më shumë se 2015-ta
​ERSEKE-Ilia Stefo është zgjedhur kryetari i ri i Bashkisë së Kolonjës, duke siguruar 2100 vota më tepër se rivali i tij Dritan Hajro.

Menjëherë pas numërimit të votave, Stefo reagoi në faqen e tij në Facebook duke falenderuar 65% të kolonjarëve dhe leskoviqarëve, që siç thekson ai i dhanë mundësinë për t'iu shërbyer të gjithëve.

"Rezultat i pastër :-) Rreth 65% e kolonjarëve dhe leskoviqareve më kanë dhënë sot detyrën më të bukur, mundësinë për tu shërbyer të gjithëve. Nga nesër fillon puna për një Kolonjë më të mirë. Faleminderit të gjithëve!"- shkruan Stefo.

Në përfundim të procesit të numërimit të votave, kandidati Dritan Hajro ka pranuar rezultatin dhe i ka dhënë dorën Ilia Stefos, duke e përgëzuar për fitoren.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur zyrtarisht se kandidati Ilia Stefo mori 62.8% të votave, ndërsa kandidati Dritan Hajro 37.1% të votave. 

Aleanca e majtë ka thelluar rezultatin në krahasim me zgjedhjet në vitin 2015, kur në Kolonjë fitoi kandidati Arben Malo me rreth 750 vota më shumë. Në zgjedhjet e së dieles, diferenca mes kandidatit të majtë dhe atij të djathtë është gati trefish më shumë, pasi Ilia Stefo fitoi me një diferencë prej 2100 votash.

Bashkia e Kolonjës votoi të dielën për të zgjedhur kryetarin e ri të Bashkisë, pas ndarjes nga jeta të Arben Malos, rreth dy muaj më parë.

Procesi i votimit nisi në orën 07:00 në të 36 qendrat e votimit, në 8 njësi administrative të kësaj Bashkie dhe u mbyll në orën 18:00.

Në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Kolonjës u thirrën 16 700 votues.

Në garë për Bashkinë e Kolonjës kandiduan Ilia Stefo i mbështetur nga Aleanca për Shqipërinë Europiane (ASHE) dhe Dritan Hajro, kandidat i PAA-së, i mbështetur nga koalicioni i djathtë Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet (APPD).

Rreth orës 18:15 minuta, zyrtarisht u mbyll votimi ku pjesëmarrja u shënua në masën 49.6%.

Zgjedhjet në Bashkinë e Kolonjës

Ora 08:40 - KQZ: Ilia Stefo mori 62.8% të votave
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bëri të ditur se në përfundim të procesit zgjedhor në Kolonjë, kandidati Ilia Stefo mori 62.8% të votave, ndërsa kandidati Dritan Hajro 37.1% të votave. 

"Sipas rezultatit paraprak kandidati i propozuar nga koalicioni “Aleanca për Shqipërinë Europiane”, Ilia Stefo ka marrë 5136 vota (62.86%), ndërsa kandidati i propozuar nga koalicioni “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet”, z. Dritan Hajro ka marrë 3053 vota (37.14%)

Rezultatet paraprake për çdo kuti të fletëve të numëruara u raportuan në kohë reale nga KZAZ në Qendrën e të Dhënave të KQZ-së,  rezultate të cilat u shfaqen edhe në faqen zyrtare të internetit të KQZ-së.

Theksojmë se Tabela Përmbledhëse e Rezultateve të Zgjedhjeve të ZAZ nr. 73, Kolonjë, për zgjedhjen e kryetarit të Bashkisë Kolonjë, miratohet dhe shpallet me vendim nga KZAZ-ja nr. 73.



KQZ është në pritje të marrjes në dorëzim nga KZAZ-ja  73, të çdo materiali zgjedhore (kuti votimi, kuti të materialeve zgjedhore, vulat, e të tjerë), të çdo dokumentacioni zgjedhor të administruar nga KZAZ-ja, veçanërisht Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit të Zgjedhjeve në këtë bashki, si dhe tabelat origjinale të rezultateve të çdo Qendre Votimi.

Së fundi,  në zbatim të detyrimeve ligjore, pas përfundimit të afatit kohor të ankimit në KQZ të vendimit të KZAZ nr.73, e cila është jo me vonë së 5 ditë nga shpallja e vendimit për miratimin e tabelës përmbledhëse të Rezultatit të Zonës Zgjedhore Bashkia Kolonjë, KQZ në zbatim të  nenit 2, pika 18, germa b, të Kodit Zgjedhor, shpall rezultatin përfundimtar të votimit për kandidatin për Kryetar të Bashkisë Kolonjë.  "- deklaroi zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj.
 

Ora 07:00 - Numërohen votat në Kolonjë
Ilia Stefo është zgjedhur kryetari i ri i Bashkisë së Kolonjës. Procesi i numërimit të votave është mbyllur në orët e para të mëngjesit të sotëm. Mjeku Stefo mori 2100 vota më shumë se kandidati i opozitës, Dritan Hajro.

Zgjedhjet e parakohshme në Kolonjë u zhvilluan pas ndarjes nga jeta të ish-kreut të Bashkisë Arben Malo, i cili përfaqësoi ASHE në zgjedhjet e 2015, dhe vinte nga radhët e LSI.

ZHVILLIMET 20 NENTOR

Ora 22:35 Numerohen votat
Nis numerimi i kutise s​e parë, 76 vota Stefo i PS, 31 vota Hajro i PAA.

Ora 22:15 Nis numrimi i votave te zgjedhjeve per kryetarin e ri te Bashkise se Ersekes

numerimi

Ora 20:15 zbardhet incidenti ne fshatin Barmash

Përfundimi i procesit të votimit dhe shoqërimi i materialeve zgjedhore pranë Vendit të Numërimit të Votave.

Në përfundim të procesit të votimit, punonjësit e policisë sipas kërkesës së Komisioneve të Qendrave të Votimit, janë afruar në pritje për të bërë shoqërimin e kutive të votimit me materiale zgjedhore.

Ky proces ka filluar pas orës 18:00 të datës 20.11.2016, ku aktualisht dorëzimi i tyre ka përfunduar pa pasur asnjë incident.

Në Vendin e Numërimit të Votave, janë shoqëruar dhe dorëzuar materialet zgjedhore nga të gjitha qendrat e votimit, të cilat në total numërohen 36.

Punonjësit e Policisë që prej orës 17:00, të datës 20.11.2016, po vijojnë shërbimin me ruajtjen fizike të Vendit të Numërimit të Votave, si dhe zbatimin e detyrave të përcaktuara me ligj, deri në përfundim të gjithë procesit zgjedhor.

Njëkohësisht janë marrë të gjitha masat, për të garantuar rendin e sigurinë në të gjithë territorin e qarkut të Korçës.

Gjithashtu ju bëjmë me dije se, gjatë ditës së sotme nga ana e specialistëve të Seksionit për Krimet në Komisaraiatin e Policisë Kolonjë, u referuan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë, për shtetasit :

· G.Z, 25 vjeç, banues në fshatin Barmash (neni 150) dhe

· A.L, 43 vjeç, banues në Durrës (neni 90)

Procedimi ndaj tyre filloi pasi, dyshohet se më datë 20.11.2016, në orën 12:30, rreth 30 m larg Qendrës së Votimit nr 4024, në fshatin Barmash, këta shtetas pas një konflikti për motive të dobëta, janë konfliktuar fizikisht me njëri- tjetrin.

Nga ana e Policisë, është bërë shoqërimi i të dyja palëve në Komisariat dhe nga marrja e deklarimeve respektive të tyre, rezulton se shtetasi A.L e ka goditur shtetasin G.Z, me grushta në pjesë të ndryshme të trupit duke i shkaktuar dëmtime të lehta trupore. Ndërsa ky i fundit, si pasojë e përplasjes fizike i ka thyer shtetasit A.L, një palë syze optike në pronësi të tij.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë, për veprat penale: “Shkatërrim i pronës” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”.

Ora 20:00 Dorëzohen materialet zgjedhore ne Vendin e Numrimit te Votave 
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon se ka përfunduar procesi i dorëzimit të materialeve zgjedhore nga Qendrat e Votimit në KZAZ-në nr. 73, ku ndodhet edhe Vendi i Numërimit të Votave.  
Të gjithë kutitë me fletët e votimit dhe kutitë e materialeve zgjedhore, janë dorëzuar të rregullta.
 Administrata e KQZ-së po zhvillon trajnimin për anëtarët e grupeve të numërimit dhe mënjëherë pas trajnimit do të fillojë edhe procesi i numërimit të fletëve të votimit.
 Rezultatet paraprake për çdo qender votimi, do të shfaqen në kohë reale në faqen zyrtare të internetit të KQZ.

[gallery]19761[/gallery]



Ora 19:00 PD, Boçi: PS bleu vota në Kolonjë, ka video që e kanë regjistruar
Deputeti demokrat Luçiano Boçi akuzoi se zgjedhjet në Kolonjë u regjistruan me incidente dhe se Partia Socialiste ka blerë votën.
“PS ka blerë vota. Zbriti gjithë administratën në Ersekë. Kemi video do e provojmë që vota është blerë”, u shpreh Boçi në një intervistë nga Report Tv.
Lidhur me incidentin e dhunimit, Boçi tha se dhe ky episod është provokim i PS.
I pyetur nëse PD ka fituar në këto zgjedhje, deputeti demokrat u shpreh se “fitorja është në kuti dhe se mbetet vetëm për t’u numëruar”.



Ora 18:15 Mbyllen votimi ne Erseke, pjesmarrja 49.2%
Ersekë mbyllet votimi në 36 qendra votimi. KQZ: Pjesemarrja ne votime, 49.6%

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve informon se në orën 18.00 ka përfunduar procesi i votimit.  Sipas të dhënave  të përcjella nga QV-të në Qendrën e të Dhënave në KQZ, pjesëmarrja  në votimet për zgjedhjet për Kryetarin e Bashkisë së Kolonjës,  rezulton si më poshtë:

Komisioni Qendror  i Zgjedhjeve vlerëson se procesi i votimi ka qenë i qetë dhe se në asnjë nga 36 qendrat e votimit nuk ka munguar asnjë nga elementët që parashikon Kodi Zgjedhor si bazë materiale zgjedhore.

Bashkëpunimi i komisionerëve të Qendrave të Votimit me KQZ-në, duke komunikuar në kohë reale dhe korrekte për të përcjellë të gjithë dinamikën e procesit të votimit, solli informimin korrekt dhe të saktë të opinionit publik.

Aktualisht,  komisionerët e Qendrave të Votimit po dorëzojnë materialet zgjedhore nga QV-të në Komisionin e Zonës së Administrimit Zgjedhor nr. 73, ku ndodhet edhe Vendi i Numërimit të Votave.  

KZAZ-ja ka emëruar anëtarët e grupeve të numërimit që do të numërojnë fletët e votimit dhe Administrata e KQZ-së do t’i trajnojë ata, ndaj ju bëjmë thirrje që të marrin pjesë në trajnim, sepse trajnimi i tyre është faktor kyç në mbarëvajtjen e procesit të numërimit të votave.

Procesi i numërimi i votave duhet të fillojë mënjherë sapo baza materiale të jetë dorëzuar nga të gjithë Qendrat e Votimit në VNV, dhe në zbatim të dispozitave të Kodit Zgjedhor, numërimi duhet të vijojë pa ndërprerje.

tabela e pjesmarresve



Ora 16:25 PAA: Po blihen votat, denoncim për tre raste
Partia Agrare denoncon blerjen e votave. Sipas PAA, mëngjesin e sotem rreth ores 2 eshte ushtruar presion ne Leskovik. "Thoma Gëllci drejtori i RTSH prej dy ditesh po ben fushate ne Kolonje dhe kjo ne menyre te njeanshme. Video e regjistruar nga njerez qe nuk kane dashur te shesin voten. Me Barmash militantet kane tentuar te detyrojne qytetaret qe te deklarojne voten e tyre hapur dhe kjo ka precipituar ne dhune fizike. Opozita ka bere rezistence qe te shkelet kodi zgjedhor dhe ne kemi bere kallzimin penal. Jane tre raste qe ne kemi bere kallzim Çlirimi, Barmashi dhe Leskoviku", thuhet në reagimin e Partisë Agrare Ambienaliste. 

Ora 16:10 KQZ: Pjesëmarrja në votime është 46.7%
KQZ ju bën apel të gjithë qytetarëve që ende nuk kanë votuar, të shfrytëzojnë kohën e mbetur dhe t’u drejtohen qendrave të votimit për të shprehur vullnetin e tyre me votë. Gjithashtu, KQZ ju bën apel komisionerëve që të sillen me përgjegjshmëri në kryerjen e detyrave të tyre, në përputhje me ligjin. 



Ora 13:50 Dhunohet djali i kryetarit te PS, Barmash Gledis Zaçe
Në Kolonjë është shënuar incidenti i parë që prej nisjes së procesit zgjedhor në orën 07:00 të mëngjesit të kësaj të diele.Ssipas informacioneve, djali i kryetares së PS-së në Barmash është goditur me sende të forta nga disa persona. Simpatizanti Gledis Zaçe është goditur nga disa persona nga Shijaku. 

Mësohet se Zaçe është qëlluar nga persona të ardhur në Kolonjë nga zona të tjera dhe dyshohet se dhunuesit janë nga Elbasani ose Shijaku. Ata janë mbështetës të kandidatit të opozitës, Dritan Hajro. 



Ora 13:10 Pjesëmarrja në zgjedhje, 30%

pjesemarrja

Ora 12:40 Rinis procesi i votimit në QV 4048/1
Komisioni i Qendrës së Votimit ka vendosur rinisjen e procesit të votimit në QV-në 4048/1 pas ndërprerjes disa minutëshe. 

Ora 12:30 Ndërpritet votimi në QV 4048/1
është ndërprerë procesi i votimit në Qendrën e Votimit 4048/1, në Barmash. Shkak është bërë një përplasje verbale mes komisionerit të PD dhe vëzhguesit të PS. Komisioneri demokrat pretendon se vëzhguesi i PS e ka kërcënuar. Pritet vendimi i Komisionit Qendror i Votimit për vijimin e procesit. 

Ora 12: 00 KQZ apel zgjedhësve: Dilni dhe votoni
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kërkon votuesve të Kolonjës të dalin dhe të votojnë. 

Ora 11:40 KZAZ: Pjesëmarrja në votime, 30%
KZAZ e Kolonjës raporton se pjesëmarrja në votime deri në orën 11:00 është në nivelin 30%. Vijon procesi i votimit në 36 Qendra Votimi të 8 njësive administrative.  

Ora 10:45 Voton dhe kandidati i ASHE, Ilia Stefo
Kandidati i mazhorancës për bashkinë e Kolonjës, Ilia Stefo ka votuar në QV-në e Gostishtit.

Në një prononcim për mediat, Stefo u shpreh se “ky ka qenë një muaj i bukur, kam shëtitur gjithë Kolonjën”.

Ai ftoi banorët e Kolonjës që të dalin masivisht në votime.



Ora 10:20 KQZ: procesi i votimit vijon i qetë, s'janë shënuar incidente
Zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj, në daljen e parë për mediat pas nisjes së procesit të votimit në Bashkinë Kolonjë, tha se votimi vijon normalisht, pa incidente. Ajo theksoi se qendrat e votimit janë hapur në orën 07:00 të mëngjesit dhe mbyllen në orën 18:00.



Ora 10:00 Deri në orën 10, pjesëmarrja në votime, 11.2%
Pjesëmarrja në votime në 38 qendrat e votimit të 8 njësive administrative të Bashkisë Kolonjë, deri në orën 10:00 të kësaj të diele, raportohet  11.2%. Pjesëmarrja më e lartë vërehet në njësinë administrative Ersekë, pjesa e qytetit, mbi 10%. 

Ora 09:40 Voton kandidati i opozitës, Dritan Hajro
Ka votuar kandidati i opozitës për kryetar të Bashkisë Kolonjë, Dritan Hajro. Përfaqësuesi i Partisë Agrare Ambientaliste iu drejtua kutisë së votimit rreth orës 09:40, në qendrën e Votimit në qytetin e Ersekës. 

"Votoj si qytetar me shpresën se do të jenë zgjedhje të ndershme", është shprehur ai në një prononcim të shkurtër për mediat. 



Ora 07:10 Policia dorëzon materialet zgjedhore dhe Qëndrat e Votimit
Përfundon dorëzimi nga punonjësit e Policisë i Objekteve të përcaktuara si Qendra Votimi dhe fillimi i procesit të votimit.

Dorëzimi i qendrave të votimit, ka filluar që prej orës 06:00 të mëngjesit të datës 20.11.2016, sipas të gjitha kërkesave ligjore, me proces-verbalet përkatëse të komisionit të votimit. Në të gjithë rrethin e Kolonjës, rreth orës 07:10, ka përfunduar  procesi i dorëzimit.

Të gjitha qendrat e votimit së bashku me materialet zgjedhore janë dorëzuar në rregull nga ana e punonjësve të Policisë, të cilët më pas janë grumbulluar në ambjentet e përcaktuara, për punonjësit e Policisë gjatë procesit zgjedhor.

Ora 07:00 Nis procesi i votimit në 36 Qendra Votimit në 8 njësi administrative të Bashkisë Kolonjë

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

'Demokracia lëngon', Bamir Topi në 'Repolitix': Bipolarizim! Pushteti i opozitës ekuivalent me fuqinë që ka kryeministri

'Demokracia lëngon', Bamir Topi në 'Repolitix': Bipolarizim! Pushteti i opozitës ekuivalent me fuqinë që ka kryeministri