TIRANË- Partia Socialiste i ka gati ndryshimet në ligjin e dekriminalizimit që largon nga politika Ilir Metën, me dyshimet për këtë të fundit si “bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit”, por edhe Sali Berishën e shpallur 'Non Grata' nga aleati më i madh i shqiptarëve, SHBA.

Report Tv ka siguruar dokumentin e plotë, ku në nenin 4 të saj, është shtuar edhe një pikë e re në të cilën u ndalohet kandidimi dhe ushtrimi i funksioneve të larta publike personave ndaj të cilëve provohet nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit.

Sa i përket atyre që aktualisht janë duke ushtruar këto funksione, propozojnë që t’u ndërpritet mandati dhe të shkarkohen automatikisht nga detyra. E thënë ndryshe, në rast se vërtetohen akuzat se Meta ka qenë bashkëpunëtor i Sigurmit të Shteti, atëherë do i ndalohet me ligj kandidimi. Duhet theksuar se drafti paraprak është në fazën e propozimeve. Ai do të depozitohet në kuvend për t’u diskutuar më pas në komisionet parlamentare në muajin shtator.

“Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët provohen nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të ligjit nr.45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. (...)3.      Personave që janë duke ushtruar funksione të larta publike nga ato që përcaktohen në pikat 1 dhe 2 të këtij neni dhe provohen nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit se kanë qenë bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit u ndërpritet mandati dhe shkarkohen nga detyra për këtë shkak ligjor dhe sipas procedurës përkatëse të shkarkimit të përcaktuar nga neni 10 ose neni 13 i këtij ligji”, thuhet në dokument.

Verifikimi i këtyre të dhënave për pastërtinë e figurës së nja kandidati, nuk do të bëhet më vetëm nga Prokuroria e Përgjithshme, por edhe Autoritetit të Përgjithshëm të Dosjeve. Ligji do të kap edhe ato persona të cilët refuzojnë që të japin informacione, pasi siç propozohet në pikën 1 të shtuar në nenin 15, atëherë do të merret i mirëqenë se kandidati ka kryer një nga shkeljet që e ndalon atë kategorikisht të kandidojë.

“Funksionarët publikë që janë subjekt i këtij ligji, sipas përcaktimeve të nenit 4/1, të cilët janë aktualisht në detyrë, kryejnë vetëdeklarimin dhe e depozitojnë pranë organit kompetent, sipas këtij ligji, brenda 2 muajve nga miratimi i formularit të vetëdeklarimit nga Kuvendi. Verifikimi për herë të parë bëhet në përputhje me rregullat dhe procedurat për verifikim, të përcaktuara në këtë ligj. Në rast refuzimi për të përmbushur detyrimet e parashikuara nga ky ligj lidhur me integritetin, personi trajtohet sikur të ketë rezultuar në një nga rrethanat që përbën kusht për ndalim e zgjedhjes apo emërimit të tij në funksionin publik. Ndaj tij zbatohet masa e parashikuara në pikën 3 të këtij neni.

Nëse provohet se ekzistojnë rrethanat për ndalimin e zgjedhjes apo emërimit, zbatohen procedurat e nevojshme kushtetuese apo ligjore për mbarimin e mandatit apo shkarkimin nga detyra. Në rastet kur organet e ngarkuara nga Kushtetuta apo ligji për konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkarkimin nga detyra të funksionarit të lartë publik, nuk veprojnë brenda 10 ditëve nga përfundimi i rezultateve të verifikimit, me kërkesë të 1/5 së deputetëve të Kuvendit, çështja i përcillet për shqyrtim Gjykatës Kushtetuese, e cila vendos konstatimin e mbarimit apo pavlefshmërisë së mandatit, ose shkarkimin nga detyra të funksionarit të lartë publik, kur plotësohen kushtet dhe rrethanat, sipas këtij ligji”, vijon dokumenti.

Nëse socialistët e kanë gati draftin përmes së cilit synojnë të verifikojnë nëse Ilir Meta ka qenë apo jo bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit, për Sali Berishën nuk ka një nismë konkrete, ndonëse i kanë paraprirë me deklarata të ndryshme politike, duke e cilësuar prezencën e tij në Kuvend, si absurde.

“Situatë e papranueshme dhe absurde prej një viti se si një sekretar partie i shpallur ‘Non Grata’ nga SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar vazhdon të përdhosë këtë institucion me praninë dhe gjuhën e tij”, ka shkruar më herët Balla. 

Në këto ndryshime të propozuara në ligjin e dekriminalizimit  nuk ka një pikë në të cilën e thonë qartë që do u ndërpritej mandati një deputeti që është shpallur ‘Non Grata’ nga SHBA apo partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë. Një ndryshim i tillë do e largonte automatikisht Sali Berishën nga Kuvendi.  Veç politikanëve, PS propozon edhe zyrtarë të fushave të tjera që t’ju ndalohet emërimi apo zgjedhja në poste publike si: gjyqtarë, prokurorë, prefektë.

Një nismë e tillë ligjore ka ardhur pas publikimit të dosjes ekskluzive nga Report Tv në të cilën Autoriteti i Dosjeve informonte Kuvendin se ish-presidenti Ilir Meta rezulton ish-bashkëpunëtor i Sigurimit, mirëpo ish-presidenti e cilëson si një sulm që po i bëhet nëpërmjet manipulimit të dokumenteve.

(Kliko këtu për të lexuar projektligjin e plotë)