TIRANË- Partia Socialiste është e vendosur të kalojë Reformën Zgjedhore e arritur në marrëveshjen e 5 qershorit, një javë para afatit më konkretisht në seancën e 23 korrikut.

Burime nga mbledhja e grupit socialist bëjnë me dije se kjo marrëveshje do t'i prezantohet komisionit të ligjeve javën që vjen, në mënyrë që të hidhet në votim në seancën e 23 korrikut.

Ky qëndrim i socialistëve vjen pas takimit që sekretari i  Përgjithshëm i kësaj force politike, Taulant Balla zhvilloi me ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Yuri Kim.

Pavarësisht marrëveshjes së arritur në Këshillin Politik, kjo reformë sërish ka përplasur palët me njëra- tjetrën. I gjithë debati është për listat të hapura, ku PD-ja ka dalë hapur kundër tyre me argumentin se nuk mund të bëhet brenda këtij viti, teksa opozita parlamentare e ka vendosur si kusht për votimin e marrëveshjes  në Kuvend, teksa sot pikërisht për këtë qëllim braktisën seancën plenare. Nga ana tjetër, PS-ja, me anë të sekretarit të Përgjithshëm, Taulant Balla tha se është dakord për hapje listash, por jo të plotë.

Mundësinë për hapje të listave e ka lënë të hapur edhe kryeministri Edi Rama, megjithatë në takimin e dytë që zhvilloi me përfaqësuesit e opozitës parlamentare,  ua bëri të qartë që marrëveshja e arritur në 5 qershor nuk mund të zhbëhet, por ofroi si zgjidhje një konsensus tri palësh, PS-opozita parlamentare- jashtë parlamentare lidhur me këtë çështje që po mban "peng" reformën zgjedhore.