TIRANE-Menjëherë pas ofertës së Partisë Socialiste për opozitën parlamentare që në këmbim të votës për reformën zgjedhore do të pranojnë ndryshimin e sistemit, reagoi Partia Demokratike duke e kundërshtuar. Selia blu u pozicionua hapur kundër ndryshimit të sistemit zgjedhor një vit para zgjedhjeve parlamentare. Përmes një deklarate shpërndarë për mediat, PD-ja tha se ndryshimi i sistemit kërkon reformim të plotë të sistemit kushtetues.

Kjo gjë, vijon më tej PD-ja, nuk mund të ndodhë tani për disa arsye duke akuzuar shumicën për kriminalizim të parlamentit dhe qeverisjes, blerjen e votës dhe faktin që jemi vetëm një vit para zgjedhjeve. Edhe për vendimmarrjen, PD-ja thotë se u takon qytetarëve me referendum.

Partia Demokratike kërcënon shumicën se çdo veprim i njëanshëm për ndryshimin e sistemit zgjedhor do të prishte marrëveshjen e 5 qershorit, drafti i së cilës pritet që të votohet në fund të korrikut në parlament.

"Palët në Këshillin Politik kanë firmosur marrëveshjen për Reformën Zgjedhore më 5 Qershor, me ndërmjetësimin dhe mbështetjen e SHBA dhe BE. Partia Demokratike nuk është kundër diskutimit për rishikimin e sistemit zgjedhor, por kjo kërkon një reformim të plotë të sistemit kushtetues për të cilën PD ka një propozim konkret.

Megjithatë, kjo nuk mund të ndodhë në kushtet e kriminalizimit të parlamentit dhe të qeverisjes, në kushtet e blerjes së votës nga pushteti dhe mosndëshkimit të këtij krimi nga drejtësia. Reforma kushtetuese, ku përfshihet edhe çdo ndryshim i mundshëm i sistemit zgjedhor nuk mund të jetë një pazar i fundit të korrikut.

Ky proces duhet të jetë transparent dhe vendimmarrja duhet t’u përkasë qytetarëve, përmes referendumit popullor. OSBE/ODIHR ka konfirmuar se ndryshime të tilla nuk mund të ndodhin një vit para zgjedhjeve.

Ndaj, hapja në këtë moment, e diskutimit për sistemin zgjedhor është vetëm alibi e Edi Ramës për të vonuar kodifikimin në parlament të dakortësisë së 5 Qershorit, që është një kërkesë e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo, si dhe 1 nga 15 kushtet për nisjen e negociatave të anëtarësimit me BE.

Çdo veprim i njëanshëm në këtë drejtim do të përbënte prishje të marrëveshjes konsensuale të 5 qershorit, me pasoja për vendin dhe të ardhmen europiane të Shqipërisë" deklaron PD-ja.

Me qëndrimin e prerë të opozitës së drejtuar nga PD-ja, hapja e listave duket shumë e vështirë pavarësisht se Partia Socialiste pranoi që të diskutonte me opozitën parlamentare për këtë pikë në këmbim të votave për miratimin e reformës zgjedhore. 

Kreu i grupit të PS-së Taulant Balla i tha sot opozitës në Kuvend se "Ne jemi gati të u japim konsensusin për ndryshimet kushtetuese", pra hapjen e listave, në këmbim të votave për reformën zgjedhore.

Ndërkohë që ministrja e shtetit për marrëdhëniet Elisa Spiropali i kërkoi Bashës dhe Kryemadhit që të flisnin. Vetëm disa orë më pas, Lulzim Basha e refuzoi hapjen e listave.