Partia Socialiste vijon takimet për zgjedhjet e ardhshme vendore, por në Partinë Demokratike, fushata, qoftë ajo e parakohshme, nuk është në skenar.

I pyetur në një konferencë nëse do të nisë punën në terren për të maksimizuar votat, Sali Berisha thotë se opozita ka vetëm 2 prioritete: ‘Largimin e Edi Ramës me protesta dhe përjashtimin e demokratëve që sipas tij janë vënë në shërbim të së majtës’.

“Strategjia jonë është, largimi i Edi Ramës nga pushteti, si kryetari i organizatës më të rrezikshme kriminale që ka qeverisur Shqipërinë. Si një rrezik real edhe për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë, për shkak të lidhjeve të tij me organizatat më agresive. Se të jesh rrezik për sigurinë je rreziku më i keq. Pra kjo është strategjia jonë dhe ne vazhdojmë të palëkundur në këtë strategji”, tha mes të tjerash Berisha.

Lidhur me përjashtimet e disa eksponentëve të lartë të PD-së në Durrës dhe Elbasan, Berisha tha se ata kanë punuar për kryeministrin Edi Rama dhe subjekte të tjera politike.

Sipas Berishës, PD ka një gjykatë që ka marrë përsipër të analizojë të gjithë faktorët që çuan në humbjen e zgjedhjeve të 11 majit. Është kjo Gjykatë sipas Berishës që po çon në përjashtimet e disa emrave nga partia.

“Së pari, nga ata që janë përjashtuar aty ishte vetëm njëri dhe ai është përjashtuar me motive të qarta. Ai ka qenë nënkryetar, në fushatë elektorale ka punuar për kundërshtarët, për të mos thënë edhe ca gjëra të tjera, nuk ka nevojë, por edhe ai dhe çdo njeri tjetër, ka një gjykatë kjo parti, duhet të paraqesë ankesat.

Nuk është Sali Berisha gjykatësi i partisë. Po, Sali Berisha ka premtuar me kohë që do bëhen analiza. Ka premtuar me kohë që në këto analiza do nxirren përgjegjësitë, pa diskutim. Në qoftë se iksi apo ipsiloni për shkaqe, nuk më interesojnë, bën fushatë dhe bën thirrje të votohet, bën thirrje ditën para votimit që të votohet për kandidatin e Tom Doshit, unë mendoj se është më e pakta që mund të them pacipësi ekstreme të pretendojë se ka ndonjë gjë të përbashkët me PD.

Marrin përsipër një mision të turpshëm, të neveritshëm. Shkove bëre fushatë për deputetin kundërshtar, tani shkon të më shitesh mua se të mbaroi periudha e qirasë? Jo. Këto janë përpjekje të dëshpëruara të Edi Ramës dhe atyre që bëhen lolo të tyre”, ka deklaruar më tej Berisha.

Kujtojmë se PD përjashtoi si këshilltarë të saj në Këshillin Bashkiak të Durrësit Dritan Burgijën dhe Arlind Boshkun, pasi këto të fundit mbështetën lëvizjen e Ervin Salianjit. Po ashtu nga PD e Elbasanit u përjashtuan Alesia Balliu, Zhani Gjergji, Doris Madhi dhe Rudina Alla.