PS: Nishani shërbëtor i Berishës
ktheu SHISH në kohën e Gazidedes

PS: Nishani shërbëtor i Berishës<br />ktheu SHISH në kohën e Gazidedes
TIRANE- Partia Socialiste kritikoi sot ashpër presidentin Bujar Nishani për emërimin e Visho Likës në postin e kreut të Shërbimit Informativ Shtetëror. Nëpërmjet deputetes Ermonela Felaj, PS deklaroi se me vendimin e djeshëm Nishani pushoi së qëni Presidenti i Republikës dhe pa asnjë mëdyshje plotësoi ëndrrën e vjetër të kryeministrit për të pasur nën kontroll SHISH njësoj si në vitin 1997.

“Nuk ka shqiptar që të mos kujtojë makabritetet e SHIK të Gazidedes që për të mbajtur me pahir Saliun në pushtet dhunoi, plagosi dhe vrau me qindra shqiptarë të pafajshëm.”- tha Felaj.

“Pas 15 vitesh të përfundimit të erës së SHIK-ut të Gazidedes, dje Bujar Nishani na ktheu pas në kohë duke rivendosur SHISH në duart e Sali Berishës, nën drejtimin e njeriut të afërt me Gazideden, Visho Ajazin,( Lika) ish punonjësin e SHIK të Gazidedes. Këtë veprim Nishani e bëri pa mëdyshjen më të vogël edhe pse ai vetë e di mirë arsyen përse Saliu kërkon ta ketë nën kontroll SHISH”0 nënvizon Felaj.

PS shkoi më tej duke akuzuar se për emërimin e Likës, kryeministri dhe Presidenti nuk denjoi të pyesë apo të këshillohet as me aleatin më të madh të Shqipërisë siç janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Felaj apeloi që qytetarët t'i bashkohen opozitës, për ti dhënë fund drejtësisë së gjunjëzuar para pushtetit “Çdo shqiptar të bashkohet me opozitën për t’i dhënë vendit një rilindje të vërtetë ku qeveria të punojë për qytetarët dhe jo kryeministrin”- deklaroi Felaj.

PIKEPYETJET E SHBA-se
Ambasada e SHBA përcolli dje shqetësimin e Uashingtonit, duke cituar një burim të nivelit të lartë nga Shtëpia e Bardhë: "E mësuam njoftimin nga lajmet. Koha dhe arsyeja përbëjnë pikëpyetje". Ky ishte reagimi jo më larg se një orë nga publikimi në faqen e presidencës së lajmit për shkarkimin e Bahri Shaqirit dhe emërimin në vend të tij të Visho Likës.

Kështu me sa duket vendimi i Presidentit Nishani për të shkarkuar kreun e SHISH duket se ka zënë në befasi edhe SHBA. Sipas burimeve të ambasadës mësohet se ata nuk janë vënë në dijeni më parë, s'janë informuar zyrtarisht për shkarkimin e Shaqirit, duke u shprehur se kanë mbetur shumë të befasuar nga një vendim i tillë i papritur. Kreu i SHISH ka qenë objekt i një konflikti mes SHBA dhe kryeministrit Berisha 2 vjet më parë, kur iu kundërvunë fort e hapur kërkesës së kreut të qeverisë për shkarkimin e drejtorit të SHISH. Mbeshtetja më e fortë publike nga Ambasada Amerikane iu dha Bahri Shaqirit në vitin 2009, kur qeveria bëri disa ndryshime në ligjin për SHISH. Këto ndryshime, përcaktonin vendosjen e një mandati kohor në ushtrimin e detyrës së Shefit të Sherbimeve Sekrete. Ky përcaktim u kundërshtua publikisht nga ambasadori i kohes, John Uithers dhe nën ndikimin e tij, disa deputetë të mazhorancës nuk i dhanë votën ligjit të qeverisë, duke bërë që ai të shtyhet edhe sot e kësaj dite. Madje, konflikti në Tiranë u transferua deri në Bruksel, ku qe vendimtare ndërhyrja e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Rasmussen, që përmes një telefonate i kërkoi Berishës të tërhiqej nga vendimi i tij për të shkarkuar drejtorin e SHISH. Marrëdhenia mes qeverisë dhe Shaqirit u tensionua më shumë pas 21 Janarit, kur kryeministri Berisha deklaroi se SHISH s'kishte dhënë informacion për "puçin".

(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Vendimet e Qeverisë/ Vlerësohen me pension të posaçëm shtetëror 15 personalitete nga fusha e artit, kulturës, muzikës dhe sportit! Ja sa do marrin

Vendimet e Qeverisë/ Vlerësohen me pension të posaçëm shtetëror 15 personalitete nga fusha e artit, kulturës, muzikës dhe sportit! Ja sa do marrin