“Ne besojmë që arsimimi është politika më e mirë ekonomike. Ka vetëm një rrugë për projektin afatgjatë dhe kjo është rruga që kalon përmes një sistemi arsimor, që u garanton të rinjve akses, zgjidhje dhe përpunimin e talenteve dhe dhuntive të tyre. Padyshim arsimi profesional është një instrument i cili garanton punësim dhe në rast se përdoret ashtu siç duhet, i jep një dorë të madhe çdo qeverie për t’i orientuar nxënësit pa i krijuar iluzione. Punësimi është i lidhur si trajektore me cilësinë e arsimit profesional. Problemi është se sot në Shqipëri kemi në letër dhe realitet shkolla për arsim profesional, po nuk kemi shkolla që garantojnë luftën kundër papunësisë.
Ne jo thjesht do dyfishojmë numrin shkollave profesionale, por do të rithemelojmë dhe kriteret e shkollat ekzistuese, për të mos u gjendur në situata si në Kamëz...ku është bërë investim 1 milion euro dhe inaugurim spektakolar...rezulton se pasi ikin kamerat ikën dhe iluzioni i hapjes dhe prapa mbetet boshllëku i atyre që trokasin në dyert e këtyre strukturave", tha Rama
RAMA: TE SHKEPUSIM SHKOLLEN NGA POLITIKA
Në fjalën e tij, Rama theksoi se në shkollën e mesme duhet të futet prindi në stukturën vendimmarrëse, në mënyrë që të shkëputet shkolla nga politika.
“Si mund të ndryshojë ky realitet, nuk mjaftojnë paratë e shtetit, nuk mjaftojnë as fondet e donatorëve, as angazhimet në një drejtim, duhet një bashkëpunim me sipërmarrjen. është një proces që kërkon dy forca qeverinë dhe sipërmarrjen...Në shkollën e mesme duhet të nisë një decentralizim, që të fus prindin në strukturën vendimmarrëse të shkollës dhe komitetin e prindërve si monitorues të cilësisë së mësimdhënies, për ta shkëputur shkollën nga politika dhe për ta ndarë përgjegjësinë bashkë me prindërit.
Në rast se sot në shkollë, qysh ne shkollën fillore, kemi një proces i cili është i njëanshëm, paguan mësues...mësuesi është në shkollë i dhunuar psikologjikisht, në bukën e qeverisë dhe ajo e kërcënon...i gatshëm që t’i ofrojë shërbime politikës, nuk kemi shans as ta kuptojnë fëmijën, as të nxjerrin në fund përfundime për çdo nxënës, as të orientojë prindërit kur të bëhet vendimmarrja në universitet.
Arsimi profesional kërkon hapësira, një sistem tërësisht tjetër. Edhe përsa i përket shpenzimeve e mjeteve, kërkon një investim të ri në mësimdhënie dhe nga ana tjetër një sistem që e konsolidon. Në financim kemi nevojë për të shkuar drejt një skeme te re, bashkërendimin e forcave me sipërmarrjen dhe në funksion të tyre" u shpreh Rama.
RAMA: 15 % ANALFABETIZEM, MBI 1 MILION TE PAPUNE
Kryesocialisti ka theksuar se procesi i reformimit të arsimit shqiptar rrotullohet drejt vetes dhe shkalla e analfabetizmit në Shqipëri ka shkuar në shifrën 15 %.
“Në këto 7 vjet e kusur të kësaj qeverie, ndryshimi i ministrave të Arsimit ka sjellë ndryshimin e strategjisë kombëtare për arsimin. Në këtë mënyrë procesi i reformimit të arsimit shqiptar në vend që të shkonte përpara është një proces që rrotullohet drejt vetes. Shqipëria ka 5 % analfabetizëm më shumë sesa në vitin 2008, duke shkuar në shifrën e15 %. Janë mbi 1 milion të papunë, 6 në 10 të papunë janë nga mosha e re”, tha Rama.
RAMA: QEVERIA BEN POLITIKE HILEQARE
Më tej në fjalën e tij, Rama tha se përsa i përket arsimit qeveria ka bërë një politikë hileqare, vetëm për të marrë vota apo për të mbajtur pushtetin, duke theksuar dhe problemin e universiteteve provate që po hapen pa standarde.
"...Qeveria jepi sot një lëmoshë, një copë bukë, atë që duhet për sot dhe nuk ka rëndësi çfarë duhet nesër. Kulmi është politika me universitetin si pasojë e politikës me punësimin, në pamundësi për t’u dhënë punësim qeveria u hap dyert e universiteteve jashtë çdo mase dhe jashtë çdo kriteri...po krijon kushtet e rritjes së numri të universiteteve private, pa kërkuar standarde dhe kritere që t’i garantojë prindërit që mos të kenë në dorë një diplomë të pavlerë...Kjo është një politikë hileqare për të shtyrë qëndrimin në pushtet, pa përgjegjshmërinë njësoj si një prind në raport me atë që do të ndodhë me këta të rinj...Pas mbarimit të universiteti do kenë shteruar kursimet e prindërve dhe do kenë një diplomë të pavlerë dhe do futen në rreshtin e gjatë të të papunëve...kjo është një politikë që ndërtohet ose në ethet e fushatës elektorale, me qëllim marrjen e sa më shumë votave, ose në ethet e mbajtjes së pushtetit të marrë pa përgatitur por vetëm për të qeverisur...kjo është një politikë nderohet sot dhe zbatohet nesër duke ndërtuar një ofertë që nuk është një listë dëshirash por është një angazhim për Shqipërinë ku gjithsecili me punë të përbashkët mund të realizojë ëndrrën e një Shqipërie që punon...që gjenerata e re ta shohin të ardhmen më të qetë...”, deklaroi Rama.
RAMA: INVESTUESIT E HUAJ NUK GJEJNE FORCA PUNE
Rama theksoi se një nga arsyet pse nuk vinë investimet e huaja në Shqipëri është forca e pakualifikuar e punës.
"Kur investuesit vinë në Shqipëri kërkojnë një forcë pune të kualifikuar ose e marrin jashtë vendit. Vetë sipërmarrja kërkon struktura për të kualifikuar punonjës, siç është rasti i kaskadës e Devollit, ku kompania ka investuar hapjen e një shkolle profesionale që të përgatisë teknikë që t’i shfrytëzojë më tej në punës e saj...në Greqi kompanitë më të kërkuara në ndërtim murator, gurgdhendës janë shqiptarë, ndërkohë që në Shqipëri kompanitë më të rëndësishme marrin krah pune nga kina dhe gjetkë... në rast se shqiptarët sfida e egër i ka detyruar të emigrojnë... këtu në shqipëri është e kundërta...Është e vërtetë sipërmarrja ka kohë që i bie kambanave të alarmit. Pa kualifikuar krahun e punës nuk thithim dot investime të huaja...”, tha më tej Rama.
Redaksia Online
(eç/shqiptarja.com)