PS:Prokuroria të hetojë,Argita:Jetim
burimi i 100 mln lekëve të Lindës

PS:Prokuroria të hetojë,Argita:Jetim<br />burimi i 100 mln lekëve të Lindës
TIRANE - Vajza e Kryeministrit, Argita Berisha (Malltezi) ka reaguar sërish në lidhje me akuzat e Partisë Socialiste, e cila i kërkon vazhdimisht transparencë për pasurinë e saj. Në një deklaratë për mediat, Argita akuzon kreun e PS-së, Edi Rama për shpifje dhe sulme spekulative, duke deklaruar se burimi i parave të huasë 100 milionëshe të gruas së tij mbeti jetim.

“Z.Rama ka zgjedhur t’u ofrojë shqiptarëve si alternativë të vetme të politikës së tij shpifjen dhe sulmet e paprincipta spekulative. Z.Rama beson se mund të fshihet duke përgojuar të ardhurat tona të krijuara nga burime transparente, të ligjshme, të deklaruara në tatime dhe ILDKP dhe të verifikuara prej tyre. Ndërkohe që burimi i parave të huasë 100 milionëshe të gruas së tij mbeti jetim, sikundër dhe burimi i parave të pallatit gjoja të ngritur nga një pensionist dhe një i vetëpunësuar me të ardhura të pakta, ndërsa pretendon se vila e Dajtit po ndërtohet me paratë e kurbanit”, thuhet në deklaratën e Argitës.

Më tej në deklaratën e saj, Argita sqaron edhe një herë se biznesmenit pakistanez Zafar Ansar i janë ofruar tarifat në përputhje me ligjin dhe në kundërshtim me detyrimet nuk ka paguar asnjë qindarkë. Ndërkohë që ka akuzuar sërish Ramën se ka lëshuar leje ndërtimi në këmbim të lejeve të ndërtimit.

“Z.Rama ti i je kthyer dëshpërimisht retorikës së Zafarit, të cilit çdo tarifë i është ofruar në përputhje me ligjet e vendit dhe që prapë, në kundërshtim me detyrimet, nuk ka paguar asnjë qindarkë për shërbimet e ligjshme që ka përfituar; kjo sepse ti në panik kërkon të zhurmosh dy lejet e ndërtimit të dhëna në konflikt të hapur interesi për familjen e bashkëshortes tënde Lindita Basha, akte këto të lëshuara dhe në shkelje të ligjit për urbanistikën, pasi ndërtimi prej afro 900m2 është ngritur në sheshin midis pallateve. Kjo është mënyra jote e abuzimit me pushtetin z.Rama. Ndërtues të tjerë, të mirënjohur në Tiranë të kanë akuzuar botërisht se për të lëshuar leje ndërtimi u ke kërkuar miliona euro. Z.Rama, unë kam qenë dhe jam krenare që çdo hap të aktivitetit tim profesional e kam kryer në përputhje të plotë me rregullat dhe ligjet në fuqi dhe kam ndjekur rrugën e punës së ndershme profesionale për të krijuar të ardhurat e mia, siç demonstrojnë dhe shembujt që ti i keqlexon publikisht”, thuhet në deklaratën e Argita Berishës.

PS APEL PROKURORISE: HETO ÇESHTJEN

Më herët deputetja e Partisë Socialiste, Ermonela Felaj hodhi akuza ndaj vajzës së Kryeministrit, për lidhjen e saj me biznesmenin pakistanez Zavar Ansar. Në një konferencë për shtyp, Felaj theksoi se deklaratat e zonjës Argita Berisha të lënë të kuptosh se për të, të përdorësh pushtetin dhe firmën e babait Kryeministër në këmbim të 3 milionë eurove, siç dëshmon biznesmeni pakistanez, është gjëja më normale”.

Deputetja e PS-së i ka bërë apel Prokurorisë që të nis hetimet ndaj kësaj çështjeje.
“Ne i bëjmë apel Prokurorisë që të nisë hetimin mbi këtë çështje të qartë konflikti interesi dhe kapjeje të shtetit e që në vetvete përmbajnë elemente të qartë të veprave penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, shpërdorimit të detyrës apo korrupsionit”, tha Felaj.

DEKLARATA E PLOTE E ERMONELA FELAJT

Ditët e fundit publiku shqiptar është njohur me disa fakte skandaloze që lidhen me familjen e ngushtë të Kryeministrit Berisha, e më konkretisht me vajzën e tij Argita Berisha. Publiku është njohur me të ardhurat marramendëse të kësaj zonje që pretendon se paguhet si mësuese më shumë sesa profesorët më të mirëpaguar të Harvardit apo Oksfordit edhe pse burimi i këtyre të ardhurave, pra universitetet që paskan paguar zonjën Argita Berisha, me plot 146 milion lekë në vit nuk janë bërë kurrë publike.

Kësaj historie i është shtuar ditët e fundit edhe një nga skandalet më të rënda të trafikimit të influencës dhe konfliktit të interesit, skandal i cili përfshin vajzën e kryeministrit Argita Berisha dhe një biznesmen pakistanez. Janë paraqitur fakte, dokumente e mbi të gjitha publiku ka pasur mundësinë të dëgjojë dhe intervistën e drejtpërdrejtë të biznesmenit pakistanez të përfshirë në këtë ngjarje.

Deri më sot zonja Argita Berisha përveç deklaratave me një gjuhë arrogante nga ato që dëshmojnë se me pushtetin mund të bësh gjithçka, ka zgjedhur të ndërmarrë një fushatë shpifjesh e akuzash qesharake. Deklaratat e zonjës Argita Berisha të lënë të kuptosh se për të, të përdorësh pushtetin dhe firmën e babait Kryeministër në këmbim të 3 milion eurove, siç dëshmon biznesmeni pakistanez, është gjëja më normale.
Për ne dhe për ligjin kjo është e papranueshme.

Në dëshminë e biznesmenit Zafar Ansar u fol qartë për gjobën prej 3 milion eurosh që vajza e Kryeministrit i kishte kërkuar biznesmenit në këmbim të firmës së babait të saj. Pikërisht për të gjitha këto arsye, ne i bëjmë apel prokurorisë që të nisë hetimin mbi këtë çështje të qartë konflikti interesi dhe kapjeje të shtetit e që në vetvete përmbajnë elemente të qartë të veprave penale të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike, shpërdorimit të detyrës apo korrupsionit".

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë

Elon Musk: Mos dhuroni më asnjë qindarkë për Wikipedia-n, kontrollohet nga ekstremi i majtë