Sapo u mbyll seanca plenare në Kuvend ku u votua me 82 vota kundër kërkesës së SPAK për arrestimin e Ballukut, Berisha iu bashkua protestës së opozitës para parlamentit. Ai tha se sot Rama shënoi vetëvrasjen e tij politike. Ai iu drejtua protestuesve duke thënë se sot është autorizim i plotë për kryengritjen më të fuqishme, duke thënë se “është pranvera jonë”.
“Burra e gra guximtarë që keni lënë çdo gjë për të përfaqësuar zërin e shqiptarëve në një ditë të zezë të historisë sonë. Keni ardhur në mbrojtje të Kushtetutës, të dinjitetit njerëzor, të interesave të çdo qytetari shqiptar nga një organizatë kriminale që përdor pushtetin e grabitur për të mbrojtur vjedhjet dhe krimet e veta. Sot Edi Rama kreu i organizatës kriminale shënoi vetëvrasjen e tij politike, fundin e tij politik. Firmosi të drejtën e shqiptarëve për ta nxjerrë me të gjitha mjetet nga pushteti i krimit. Sot ai nuk votoi për lubi Ballukun, votoi për veten e tij, për vjedhjet që ka bërë, krimet e shëmtuara që ka kryer. Në historinë kombëtare s’ka pasur njeri me standarde më të ulëta njerëzore se ky njeri. Theksoj prapë, është puna, qëndresa, protesta, kryengritja juaj që bëri që sot ai të dalë para mbarë shqiptarëve si qeveritari më i poshtëruar në historinë kombëtare, si qeveritar i më i poshtëruar në Europë. S’ka qeveritar në Europë që të ketë vjedhur me qindra herë pasurinë e qytetarëve. S’ka qeveritar në Europë që për të mbrojtur krimin të mbyllë dyert. Kjo që ndodhi sot është autorizim i plotë për kryengritjen më të fuqishme të qytetarëve shqiptarë kundër tij. Është kushtrim i plotë të vazhdojmë të pamposhtur kryengritjen tonë paqësore deri në largimin e tij nga pushteti. Kjo që ndodhi sot është apel për ndërgjegjen e çdo shqiptari që e do këtë vend të bashkohet për të larguar qeveritarin më të poshtëruar, Edi Ramën. Le të vazhdojmë ne këtë betejë. Edi Rama mendon se mbylli dosjen e tij duke votuar kundër heqjes së imunitetit, por dosja e tij s’mbyllet kurrë. Në varrin e tij do të shkruhet këtu prehet një kryehajdut. Kjo është pranvera jonë!
Lajmi kryesor:
Mungojnë dhuna e molotovët, PD protestë të qetë para Kuvendit për Ballukun! Berisha: Rama e mbrojti, shënoi vetëvrasjen politike











