PS: Trego të ardhurat, Argita:
Po rrëzoheni në llumin e shpifjeve

PS: Trego të ardhurat, Argita: <br />Po rrëzoheni në llumin e shpifjeve
TIRANE - Partia Socialiste ka vijuar sërish ditën e sotme akuzat ndaj vajzës së Kryeministrit, Argita Berisha në lidhje me takimit dhe konsulencat me biznesmenin pakistanez Zavar Ansar, duke kërkuar për të disatën herë transparencë për pasurinë e saj.

Në një konferencë për shtyp ditën e sotme, deputeti i PS-së, Eduart Shalsi u shpreh se Argita duke përdorur informacionin e zyrave të shtetit përzgjedh klientët e firmës ligjore dhe pasi kontakton biznesmenët u ofron mundësi investimi në Shqipëri.

“Dje e bija e Sali Berishës pohoi qartazi se “Po, e kishte takuar biznesmenin Ansar”, duke u shpjeguar se e paska kërkuar ai dhe se çdo veprim i zyrës së saj ligjore na paska qenë privat. Pranimi i çdo negocimi dhe aq më keq akoma i çdo pagese nga biznese, për aktivitetet e të cilëve, kërkohet aprovimi i Kryeministrit janë akte të pastra konflikti interesi. Të inkurajosh klientët e studios tënde të zhvillojnë biznese mbi bazën e informacionit që ti posedon, të përdorësh informacionin e zyrave të shtetit për të përzgjedhur klientët e firmës tënde ligjore, të kontaktosh biznesmenë dhe t’u ofrosh mundësi investimi për shkak të pushtetit që babai yt ka, këto nuk janë veprime private, por akte të pastra konflikti interesi dhe si të tilla të dënueshme. Për të bijën e Kryeministrit nuk duhet të mjaftojë të bëhen publike të ardhurat, pra sa fiton, por edhe si i fiton ato në mënyrë që të gjithë të kenë mundësinë të shohin dhe të gjykojnë se cilët janë klientët e saj dhe nëse kanë përfituar apo jo nga vendimet e qeverisë që drejton i ati i saj”, deklaroi Shalsi.

ARGITA: PO RREZOHENI NE LLUMIN E SHPIFJEVE
Pas akuzave të Partisë Socialiste ka ardhur edhe reagimi i Argita Malltezit (Berisha). Në një deklaratë për mediat, Argita deklaron se “Rama ka lëshuar arsenalin e tij me shpifje dhe spekulime ndaj aktivitetit tim privat avokator të 6 viteve më parë”.

Më tej Argita akuzon kreun e PS-së duke i thënë se bëhet qesharak kur i shmanget transparencës publike, por edhe duke theksuar se mungesa e vizionit politik të Ramës e rrëzon çdo ditë në llumin e shpifjeve dhe sulmeve të rëndomta.

“Z.Rama, bëhesh qesharak kur kërkon t’i shpëtosh transparencës publike duke krahasuar veprimtarinë time legjitime avokatore private me vendimmarrjen tënde publike. Çdo shqiptar e di se midis tarifave të mia avokatore të vendosura sipas ligjit mbi avokatinë dhe denoncimeve për gjobvënie në pozicionin e kryetarit të bashkisë nuk ka asgjë të përbashkët. Biznesmeni në fjalë, si dhe çdo aktivitet tjetër në të cilin jam angazhuar, ka qenë mbi investime me fonde private dhe jo me fonde shtetërore; toka e ofruar ka qenë private dhe pronari sigurisht që e vendos vetë çmimin sipas tregut. Të gjitha të ardhurat e mia janë të deklaruara, transparente dhe të tatuara konform ligjeve në fuqi. Qartazi Z.Rama, mungesa juaj e vizionit politik ju rrëzon çdo ditë në llumin e shpifjeve dhe sulmeve të rëndomta. Riciklimi i përsëritur i tyre pas katër vitesh do t'ju cojë në të njëjtin përfundim -humbjen, të cilën nuk keni ditur kurrë t’a përballoni me dinjitet”, thuhet në njoftimin për media të Argitës.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'