Pse duhet të ngrihet muzeu
për “40 shenjtorët”

Pse duhet të ngrihet muzeu<br />për “40 shenjtorët”
Muaji gusht është muaji e ekspeditave arkeologjike. Ekspeditat e drejtuara nga Instituti i Arkeologjisë tashmë janë shtrirë në gjithë terrenet arkeologjike të vendit, që nga Dimali i Shkodrës, në Lezhë, e deri në Sarandë. Ndërsa priten lajme për zbulimet më të fundit, një grup i madh arkeologësh të drejtuar nga Skënder Muçaj këto ditë kanë nisur ekspeditën në Manastirin e 40 Shenjtorëve në Sarandë.

Të ndodhur mes zbulimeve të shumta arkeologjike, vlerave të rralla, arkeologët frikësohen se këto objekte vijojnë të jenë të pambrojtura nga institucionet që përgjigjen për restaurimin dhe mirëmbajtjen e tyre. Skënder Muçaj rrëfen konceptin për muzeun e nëndheshëm, i cili përveç kënaqësisë që do t’u japë turistëve gjatë vizitave do të qëndrojë edhe si rojë e zbulimeve arkeologjike të bëra deri më sot në Manastirin e 40 shenjtorëve 
 
Çfarë shënon për ju ekspedita në Manastirin e 40 Shenjtorëve, duke pasur parasysh se edhe vitin e kaluar aty janë bërë disa zbulime nën drejtimin tuaj?

Kjo ekspeditë është një projekt që mbulohet nga Instituti i Arkeologjisë dhe departamentet e tij, i Prehistorisë, i Antikitetit dhe departamenti i Antikitetit të Vonë dhe Mesjetës që drejtohet prej meje. Nga ekspeditat e mëparshme arkeologjike që kemi kryer bashkë me stafin e këtyre instituteve kanë rezultuar të gjetura shumë objekte të rëndësishme, të cilat i nënshtrohen studimeve të specialistëve.

Mjafton të theksojmë se deri tani, në këtë vend është zbuluar numri më i madh i amforave që janë gjetur në Mesdhe, mbi 8000 të tilla, të cilat ndonëse të thyera, janë një dokument arkeologjik i rëndësishëm dhe këto zbulime përbëjnë një pasuri të madhe për arkeologjinë shqiptare e më gjerë. Monumenti i 40 Shenjtorëve gjatë viteve të fundit ka qenë në vëmendjen time dhe të  arkeologëve të tjerë, me të cilët disa herë kemi përsëritur kërkesën që aty të bëhet një muze i madh i nëndheshëm, i cili për nga rëndësia dhe bukuria do të ishte ndër më të jashtëzakonshmit në Mesdhe, por Ministria e Kulturës as që na ka dhënë përgjigje kurrë, edhe pse kërkesa jonë u përsërit disa herë.

Kjo kërkesë është e argumentuar edhe për rëndësinë që ka për mbrojtjen e zbulimeve të gjetura atje. Pra zbulimet më të fundit në këtë manastir dihet që kanë një rëndësi të madhe historike.
 
Cilat janë disa nga zbulimet më të rëndësishme?

Ne kemi zbuluar se atje ndodhet një kishë e madhe, ku një pjesë të rëndësishme e kësaj kishe gjendet nën tokë. Më mjediset e saj është zbuluar se ka pasur shumë ambiente pa dritë, të cilat kanë shërbyer për kultin e pelegrinëve. Sipas hipotezave të deritanishme të arkeologëve, ka shumë mundësi që në këtë kishë të vinin banorë nga vise të largëta të Europës Perëndimore, të cilët ishin nisur për pelegrinazh drejt tokës së shenjtë të Jeruzalemit.

Sipas krahasimeve që janë bërë, ngjashmëritë e këtij manastiri me kishat e Jeruzalemit janë shumë të mëdha, por rezultatet e studimeve të derisotme në fakt tregojnë se kulti i 40 Shenjtorëve e ka origjinën nga Armenia. Po të marrim vetëm zbulimin e amforave, këtu rezulton një fakt interesant që këto amfora kanë ardhur nga shtete e kontinente të ndryshme drejt vendit tonë, nga Siria, Palestina, Libani, nga pellgjet e Detit të Zi, Turqia, Tunizia, Libia, Italia etj.

Po ajo që ne si arkeolog e quajmë interesante për të krijuar një muze të rallë, është zbulimi i mureve të nëndheshme të Manastirit të 40 Shenjtorëve, të cilat janë zbuluar gjatë ekspeditave të fundit arkeologjike. Këtu janë edhe gjurmët e dy shkatërrimeve që ky manastir ka pasur ndër vite. Shkatërrimi i parë është shkaktuar nga ushtria greke dhe i dyti nga anglezët gjatë Luftës II Botërore.
 
Pra, edhe gjurmët e këtyre shkatërrime historike ju i keni konceptuar si pjesë të muzeut?
 
Manastiri i 40 Shenjtorëve ka qenë në këmbë deri në 1944, me mure deri 13 metra të larta, ku 5 metra të këtyre mureve ndodheshin nën tokë. Kur manastiri u bombardua nga armata angleze pjesa e mbitokës u shkatërrua krejtësisht gjatë sulmit të flotës angleze, ndërkohë që shtresa nëntokësore e këtyre mureve u dëmtua në vende të ndryshme. Armata angleze ishte e pozicionuar midis Korfuzit dhe Sarandës dhe meqë mendonin se në manastir qëndronte një garnizon gjerman, ë e bombarduan manastirin që nga flota e tyre ushtarake detare. 
Një tjetër dëmtim manastiri e ka pasur edhe në vitin 1878, koha para Kongresit të Berlinit, në prag të Lidhjes së Prizrenit, kur ushtria greke e hodhi në erë një pjesë të nëntokës së Manastirit të 40 Shenjtorëve. 

Gjurmët e shpërthimit të barutit dhe të goditjes nga anglezët tashëm janë të dokumentuara dhe të identifikuara nga ne. edhe ato duhet të jenë pjesë e muzeut, sepse janë gjurmë të historisë. Në këtë monument, gjatë Luftës II Botërore kanë qëndruar edhe reparte të ndërlidhjes dhe artilerisë bregdetare italiane. Kur kapitulloi Italia, personeli u largua, por një pjesë e tij u kapën robër dhe më pas u pushkatuan nga gjermanët.

Ndaj unë dhe kolegët e mi mendojmë se Manastiri i 40 Shenjtorëve është një ndër monumentet më të mëdha në botën mesdhetare. Ai paraqitet si rast unikal. Qëllimi kryesor që ne kërkojmë të ngrihet muze mbetet ruajtja e monumenteve të zbuluara, të cilat aktualisht në mungesë të një ndërhyrje restauruese po rrezikojnë të degradojnë.
 
Kush duhet të kujdeset për mirëmbajtjen e objekteve të zbuluara?
 
-Ato janë pronë e trashëgimisë kombëtare dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës me grupin e restauratorëve bashkë me drejtoritë në Ministrinë e Kulturës duhet t’i mbrojnë. Për fat të keq vjet kur ishim për të parë gërmimet arkeologjike në Manastirin e 40 Shenjtorëve, mësuam se prej 3 vjetësh nuk kishte shkuar askush nga Instituti i Monumenteve të Kulturës për të parë, dhe as për t’u interesuar për afreskun që po dëmtohet.

Kjo është për të ardhur keq, sepse këtu duket edhe indiferenca e Ministrisë dhe institucioneve vartëse të saj, kur dihet që në Manastirin e 40 Shenjtorëve kanë dalë në dritë shumë vlera të pazbuluara deri tani, të cilat e rrisin dhe më shumë imazhin e trashëgimisë kulturore shqiptare.

Por me sa duket ndërsa specialistët zbardhin “sekretet” e Manastirit të 40 Shenjtorëve, dikush nga ju gazetarët duhet të zbardhë sekretet se ku shkon buxheti për trashëgiminë, kur lihen në këtë gjendje këto vlera të rralla kombëtare.

Cili është pikësynimi shkencor i këtyre zbulimeve?

-Ka vite që arkeologët shqiptarë po gërmojnë në mjedisin e Manastirit të 40 Shenjtorëve. Gërmimet bëhen për të hedhur dritë dhe për të dokumentuar  historikun e kësaj qendre kulti e pelegrinazhi, e cila siç thashë më lart është një nga më unikalet në gjirin e Mesdheut dhe një ndër monumentet më të mëdha në botën mesdhetare. Kisha e madhe dhe pjesa e saj 5 metra nën tokë ruan gjurmë të shërbesave për kultin e pelegrinëve. në këtë manastir gjenden një shumice pagëzimoresh.

Prania e këtyre vatrave të pagëzimit brenda një vendi përbën një rast unikal në Mesdhe dhe tregon se manastiri, sipas të gjitha gjasave i kishte këto pagëzimore për t’u ardhur në ndihmë pelegrinëve që vinin një ditë të caktuar, më 9 mars që është dita e 40 shenjtorëve, apo edhe në data të tjera. Aty është zbuluar edhe banja termike, furra që përgatiste ujin e ngrohtë për ata që do të pagëzoheshin.

Në dhomat e Manastirit janë zbuluar më parë edhe disa piktura murale. Një nga këto afreske i përket një dishepulli dhe konsiderohet ndër më të vjetrat e Bizantit. Faltoret e ndryshme nëntokësore ndodhen përgjatë një korridori oval dhe siç thamë më lart, ato duhet të kenë qenë funksionale për pelegrinët që ndaleshin në këtë manastir. Muzeu do të bënte kureshtarë shumë turistë të ardhur në vendin tonë, edhe për vendndodhjen e tij, Manastiri i 40 Shenjtorëve ndodhet në kodrën përbri Kalasë së Lëkurësit, vetëm 4 kilometra larg nga Saranda.

(v.gj/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në Shëngjin, por me intensitet më të ulët

Vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në Shëngjin, por me intensitet më të ulët