Pse faraonët e lashtë egjiptianë ndaluan së ndërtuari piramida?

Pse faraonët e lashtë egjiptianë ndaluan së ndërtuari piramida?

Piramida në Egjipt

Për më shumë se 1 mijë vjet, faraonët egjiptianë ndërtuan piramida dhe shpesh varroseshin nën ose brenda tyre. Faraonët egjiptianë ndërtuan piramida midis kohës së sundimit tëfaraonit Xhozer (vitet 2630-2611 Para Krishtit), që ndërtoi një piramidë me shkallë në Sakara, dhe deri në kohën e mbretit Ahmos I (1550-1525 Para Krishtit), që ndërtoi piramidën e fundit mbretërore të njohur në Abidos.

Këto piramida të famshme simbolizonin fuqinë dhe pasurinë e faraonëve, si dhe promovuan besimet e tyre fetar. Por pse egjiptianët e lashtë ndaluan ndërtimin e piramidave menjëherë pasi filloi e ashtuquajtura epokë e Mbretërisë së Re?Në Egjiptin e lashtë, ndërtimi i piramidave nisi të zbehet pas mbretërimit të faraonit Ahmos, teksa mbretërit nisën të varrosen në Luginën e Mbretërve në afërsi të kryeqytetit të lashtë egjiptian të Tebës, që ndodhej në Luksorin e sotëm.

Projekti “Theban Mapping” thekson në faqen e saj të internetit se varri më i hershëm mbretëror i konfirmuar në luginë u ndërtua nga Tutmosi I (1504-1492 Para Krishtit). Edhe paraardhësi i tij Amenhotep I (1525-1504 Para Krishtit), mund të ketë ndërtuar varrin e tij në Luginën e Mbretërve, megjithëse kjo është një çështje e debatueshme midis egjiptologëve.

Ndonëse nuk është plotësisht e qartë se pse faraonët nisën të heqin dorë nga ndërtimi i piramidave mbretërore. Por një faktor mund të kenë qenë shqetësimet e sigurisë.“Ka shumë teori. Por meqë piramidat nisën të plaçkiten, fshehja e varrezave mbretërore në një luginë të largët, të gdhendur në shkëmb, dhe me sa duket me shumë roje, ka luajtur një rol në këtë aspekt”-thotë Piter Der Manuelian, egjiptolog në Universitetin e Harvardit.

Sipas Manuelian edhe përpara se të hiqnin dorë nga piramidat mbretërore, ata kishin ndaluar praktikën e vendosjes së dhomës së varrimit nën piramidë. “Piramida e fundit mbretërore – ajo e Ahmosit I në Abidos, e kishte dhomën e saj të varrimit 500 metra larg në shkretëtirë”,- shprehet Eidan Dodson, egjiptolog në Universitetin e Bristolit.

Një shënim historik, që mund të përmbajë të dhëna të rëndësishme, është shkruar nga një njeri i quajtur Ineni, dhe që ishte përgjegjës për ndërtimin e varrit të Tutmosi I në Luginën e Mbretërve. Ineni shkroi:“Vetëm unë mbikëqyra gërmimin e varrit shkëmbor të madhërisë së tij, që askush të mos shihte apo dëgjonte”.

Ky procesverbal “sugjeron qartazi se fshehtësia ishte një element kryesor” thotë Ana Mejsi Rot, profesoreshë e historisë së artit dhe studimeve hebraike në Universitetin e Nju Jorkut.

Vetë topografia natyrore e Luginës së Mbretërve, mund të shpjegojë pse ai vend ishte i preferuar për varret mbretërore.

Ajo ka një majë të njohur tani si El-Qurn, që duket paksa si një piramidë. Ajo i ngjan shumë një piramide, dhe në një farë mënyre të gjitha varret mbretërore të ndërtuara në luginë u vendosën nën një piramidë, thotë egjiptologu Mirosllav Barta, zëvendës/rektor i Universitetit Çarls në Republikën Çeke.

Për faraonët egjiptianë, piramida ishte e rëndësishme pasi ishte një vend “ngritjeje dhe transformimi” në botën e përtejme, shkruan Mark Lehner, drejtor dhe president i “Ancient Egypt Research Associates”, në librin e tij  “Piramidat e plota:Zgjidhja e mistereve të lashta”.

Topografia e Luksorit, që u bë kryeqyteti i Egjiptit gjatë Mbretërisë së Re (1550-1070 Para Krishtit), mund të ketë luajtur gjithashtu një rol në heqjen dorë nga ndërtimi i piramidave. Ajo zonë është “shumë e kufizuar në hapësirë, dhe me shumë gunga” tha Dodson.

Pra kryeqyteti i lashtë mund të ketë qenë shumë i vogël dhe sfidues nga pikëpamja arkitektonike, për të shërbyer si një vendndodhje e piramidave të reja. Ndryshimet fetare që e forcuan traditën e varreve nën tokë, janë një tjetër arsye e mundshme pse egjiptianët hoqën dorë nga ndërtimi i piramidave të mëdha.

“Gjatë Mbretërisë së Re, u bë shumë popullor koncepti i udhëtimit të mbretit nëpër Botën e Ulët, dhe kjo kërkonte plane të sofistikuara mbi varre të gdhendura me gurë nën tokë, thekson Barta. Dhe varret nëntokësore të gdhendura në Luginën e Mbretërve i përshtaten shumë mirë këtij koncepti.

Ndërsa faraonët hoqën dorë nga ndërtimi i piramidave, këtë praktikë e vazhduan individët e pasur privatë. Për shembull, arkeologët zbuluan në vitin 2014 një varr 3.300 vjeçar në Abidos, që u ndërtua për një shkrues i quajtur Horemheb, dhe që kishte në hyrje një piramidë 7 metra të lartë.

Gjatë mijëvjeçarit të parë Para Krishtit, ndërtimi i piramidave u bë i njohur në Nubia, një zonë që ndodhet në Sudanin e sotëm dhe pjesë të Egjiptit Jugor. Nubianët ndërtuan piramida si për mbretërit ashtu edhe për individët privatë.

Se sa ndërtuan në total nuk është e qartë, por Lehner flet në librin e tij për rreth 180 piramida mbretërore, ndërsa kërkimet e fundit arkeologjike zbulojnë se kishte shumë piramida të tjera të ndërtuara për individë privatë. Sundimtarët e Nubisë vazhduan të ndërtonin piramida deri rreth 1700 vjet më parë. / “Livescience” – Bota.al

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • tani: 08/12/2021 09:47

    Piramidat i ka ndertuar populli i ADIT dhe jo faraonet. Njerezit e ADIT ishin deri 15 metra te gjate.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?