Pas më shumë se tre vjetësh lufte të përgjakshme, Ukraina vazhdon të qëndrojë heroikisht përballë agresionit rus. Çdo ditë, populli ukrainas mbron jo vetëm tokën e vet, por edhe parimet e sovranitetit dhe lirisë që janë themel i rendit ndërkombëtar. Por pavarësisht sakrificave, fati i kësaj lufte nuk do të vendoset vetëm në fushën e betejës, por ai do të përcaktohet në zyrat e Uashingtonit.

Nëse Shtetet e Bashkuara, nën ndikimin ose drejtimin e Donald Trump, vendosin të mbështesin fuqishëm Ukrainën me armatim modern, si raketat me rreze të gjatë Tomahawk, balanca e fuqisë do të ndryshojë rrënjësisht. Rusia, e cila prej fillimit e justifikoi pushtimin si “operacion special”, e ka zbuluar tashmë fytyrën e vërtetë imperialiste me synimin për të marrë Donbasin dhe territore të tjera jugore. Tashmë nuk bëhet fjalë për sigurinë e popullsisë ruse, por për rindërtimin e ndikimit perandorak.

Uashingtoni është sot pika më e rëndësishme e këtij ekuacioni. Trump, pavarësisht se shpesh është parë me skepticizëm për qëndrimet e tij ndaj Kremlinit, e ka kuptuar se Putini nuk është partner kompromisi, por një udhëheqës që nuk ndalon pa fitore. Një mbështetje e plotë amerikane do të sillte një kthesë historike, jo vetëm për Ukrainën, por për gjithë rendin e sigurisë europiane.

Tre janë faktorët që mbajnë sot Rusinë e Putinit.

Shitjet e energjisë, mbështetja e heshtur e Kinës dhe Indisë, dhe propaganda e brendshme që ushqen ndjenjën e “rrethimit” nga Perëndimi. Nëse SHBA-ja, me ndihmën e aleatëve, arrin të bindë Pekinin dhe Nju Delhin të kufizojnë importet e gazit dhe naftës ruse, goditja ekonomike ndaj Kremlinit do të ishte e menjëhershme.

Sanksionet e ashpra dhe izolimi financiar do të minonin aftësinë e Rusisë për të financuar luftën, duke e çuar vendin drejt një krize të re të brendshme.  Pra, një kombinim i sanksioneve të reja, në izolimin financiar dhe mungesës së tregjeve të mëdha do ta vërë Kremlinin përballë krizës më të thellë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik.

Ndërkohë, Europa është përpjekur të gjejë një zgjidhje diplomatike, por çdo përpjekje është përplasur me arrogancën e Kremlinit. Pra agresiviteti i Putinit ka shuar çdo iniciativë.   Shtetet kufitare me Rusinë e Bjellorusinë janë detyruar të forcojnë armatimin dhe praninë ushtarake në kufi, duke reflektuar frikën e një ekspansioni të ri rus.  Kjo situatë e vazhdueshme tensioni ka rritur ndjeshëm ndjenjën se vetëm një ndryshim i qëndrimit amerikan mund ta përshpejtojë përfundimin e luftës.

Pra, Europa pret një sinjal të qartë nga Uashingtoni, dhe sidomos nga Presidenti Trump për të përcaktuar se në cilin drejtim do të ecë aleanca perëndimore.

Trump e ka treguar se di të përdorë diplomacinë në mënyrë pragmatike, siç ndodhi me armëpushimin mes Izraelit dhe Hamasit. Ai arriti ta bindte Benjamin Netanjahun për ndaljen e operacioneve dhe të ulte palët në tryezë, duke treguar se një strategji e drejtpërdrejtë dhe e fortë mund të japë rezultat.

Nëse Donald Trump e mban fjalën për ta mbështetur Zelenskyn me armë strategjike dhe presion ekonomik ndaj aleatëve të Rusisë, atëherë fundi i “Carit të Kremlinit” nuk do të jetë më një pyetje nëse, por  kur.

Kjo nuk është vetëm një betejë për Ukrainën, por për parimin e sovranitetit dhe të drejtës së popujve për të jetuar të lirë. Dhe në këtë betejë, historia do të mbajë mend se kush zgjodhi të qëndrojë në anën e lirisë.