Pse humbi kaq rëndë, pse mund të humbë edhe më rëndë dhe çfarë mund të bëhet?

Pse humbi kaq rëndë, pse mund të humbë edhe më rëndë dhe çfarë mund të bëhet?

Sali Berisha dhe Ilir Meta

Humbja e zgjedhjeve nga grupimi opozitar i Bashkë Fitojmë i drejtuar nga Berisha dhe Meta në një mënyrë të tmerrshme nuk mund të shpjegohet kurrë thjesht dhe vetëm me manipulimin e zgjedhjeve. Fakti që drejtuesit e këtij grupimi në mënyrë këmbëngulëse, të paargumentuar dhe pa asnjë reflektim thonë përditë pandalur se ata humbën sepse zgjedhjet u manipuluan është tregues se ata as që kanë për qëllim që të fitojnë dhe as që duan që të fitojnë ndonjëherë zgjedhjet.

Në qoftë se do të donin të fitonin ndonjëherë ata do të duhet të kuptonin shkaqet. Nga pikëpamja praktike, ajo e shifrave, ajo e njerëzve që votuan reflektimi do të duhet të merrte në analizë të hollësishme shumë gjëra nga çdo kënd. Një nga këto analiza të rëndësishme është cilat ishin grupet apo shtresat që votuan dhe cilat nuk votuan. Pastaj të analizonte pse këto grupe votuan apo bojkotuan.

Gjithmonë një parti i fiton zgjedhjet kur ajo arrin të nxjerrë në votim të gjitha grupet shoqërore apo të gjitha shtresat që janë votues të natyrshëm të saj. Për shembull në zgjedhjet e vitit 2016 në SHBA presidenti Trump arriti të mundë senatoren Hillary Klinton sepse mbështetësit e natyrshëm republikanë dolën në një masë dërrmuese. Presidenti Trump arriti të nxjerrë në votime në një masë më të lartë (rreth 25% më shumë ) se sa Romney apo Mc Cain në vitet 2008 dhe 2012 shtresën e të bardhëve të pasur, arriti të nxjerrë në një masë shumë më të lartë se sa Romney dhe MC Cain votuesit evangjelistë (rreth 35% më shumë). Presidenti Trump arriti të nxjerrë po aq sa Romney dhe Mc Cain votues nga shtresa e njerëzve me origjinë hispanike (madje në dy shtete nxori pak më shumë). Hillary Klinton nuk arriti të nxjerrë aq votues nga shtresat që votojnë demokratët sa Obama në zgjedhjet e 2008 dhe 2012. Nga shtresa e mesme dolën rreth 12% më pak. Nga votuesit me ngjyrë dolën rreth 15% më pak dhe Klinton nga këta mori 80% të votave ndërkohë që Obama mori rreth 93% të votave të tyre, etj.

Në vitin 2020 presidenti nxori masivisht votuesit e tij evangjelistë, votuesit e bardhë të pasur, rriti numrin e votave nga hispanikët por demokratët e presidentit Biden arritën të nxjerrin një numër rekord nga shtresat e tyre. Numri i votuesve që nxorën demokratët ishte shumë më i lartë se sa numri i lartë që nxori presidenti Trump. Votuesi me ngjyrë që doli në zgjedhje tejkaloi votuesit që dolën për Obamën në 2008 dhe 2012. Në qytetet ku u bë diferenca (për shtetet kyçe të Pensilavanisë, Xhorxhias, Arizonës, Miçiganit dhe Nevadës) si Filadelfia, Detroit, Atlanta, Feniks, Las Vegas dolën gati 95% e votuesve me ngjyrë.

Ata votuan masivisht presidentin Biden. Shtresa e mesme doli masivisht dhe votoi si kurrë më parë presidentin Biden. Të rinjtë dolën gjithashtu me shumë se çdo herë tjetër dhe votuan më shumë për presidentin Biden, sidomos ata që njihen si milenials. Kjo bëri që presidenti Biden të fitojë.

Kështu ndodhi me fitoren e Xhorxhia Melonit në Itali pak kohë më parë në Itali. Ajo arriti të nxjerrë masivisht në zgjedhje italianët që ndjehen të frustruar nga kriza ekonomike, nga mungesa e qëndrueshmërisë së vendeve të punës si pasojë e emigrantëve, si pasojë e politikave ekonomike të imponuara nga BE-ja. Ajo arriti të nxjerrë në zgjedhje votuesit konservatorë (rreth 15% më shumë se sa më parë dhe ky votues në masën 63% votoi për të), ata që besojnë tek vlerat kristiane të familjes, tek kuptimi kristian mbi gruan dhe burrin, tek kuptimi kristian mbi vendin dhe shoqërinë. Ky votues doli më shumë në masën 18% dhe votoi gjerësisht për Melonin. Ajo në dallim nga Salvini apo politikanë të tjerë që i kishin mbrojtur ide të ngjashme kishte treguar seriozitet dhe ndershmëri dhe nuk kishte bërë pazare politike apo kapërcime duke ndryshuar qëndrime. Kjo i dha asaj pjesën dërrmuese të votuesit të djathtë.

Vetëm pak ditë më parë në Turqi presidenti Erdogan mori një mandate të ri nga populli turk. Profesori i shkencave politike në Stamboll Hakki Ocal thotë se pjesëmarrja e lartë në përkrahje të presidentit Erdogan, erdhi pasi për atë votojnë ata që ndjehen të paavantazhuar, votojnë shtresat e gjera konservatore, njerëzit e thjeshtë, ata me lidhje me të forta me besimin fetar.

Për kandidatin e opozitës Kilicdaroglu votojnë njerëzit që janë më mirë ekonomikisht, votojnë të pasurit, votojnë njerëzit e zonave urbane, votojnë ata me botëkuptim të qartë sekular, etj.

Pjesëmarrja e lartë padyshim që favorizoi presidentin Erdogan. Pjesëmarrja në tërësi shkoi në 87%. Presidenti Erdogan por edhe kandidati i opozitës arritën të nxjerrin masivisht votuesit e tyre, por duke qenë se votuesit e Erdogan përbëjnë një masë më të madhe, ai fitoi, – thotë professor Ocal. Erdogan ka arritur gjatë këtyre dy dekadave të krijojë një bazë solide votuesish më të madhe se sa opozita, të cilën, arriti ta nxjerrë të gjithën në votime.

Çfarë ndodhi me zgjedhjet tek ne. Ndonëse Berisha dhe Meta u përpoqën prej dy vitesh ta polarizojnë në ekstrem gjuhën politike, u përpoqën të flasin për Shqipërinë në rrezik, për pluralizmin në rrezik, për vendin që po boshatiset plotësisht, për komplotin e madh sorosian ndaj Berishës dhe nëpërmjet tij ndaj opozitës, për vjedhjet gjigande të qeverisë Rama, për përfshirjen e krimit në qeverisjen e vendit, etj. Ata nuk arritën asfare të prodhojnë ndjeshmëri të tillë që votuesi opozitar të dalë në zgjedhje. Një gjuhë e tillë, një rrezik i tillë i madh për zhdukjen e pluralizmit, për atdheun në rrezik, për qeverinë si armiken me të madhe të vendit do të prodhonte pjesëmarrje masive. Në fakt pjesëmarrja ishte llahtarisht e ulët. Në zgjedhje munguan të paktën 200 e ca mijë votues krahasuar me zgjedhjet e para dy viteve.

Kryeministri Rama dhe Partia Socialiste, me vjedhje, me blerje, në terror siç thotë Berisha dhe Meta, me komplot kombëtar dhe ndërkombëtar ndaj opozitës siç thonë Berisha dhe Meta nuk ka marrë asnjë votë më shumë se sa në zgjedhjet e kaluara. Krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2015, ndonëse numri i zgjedhësve me të drejtë vote është më i lartë, Rama ka marrë 8 mijë vota më pak në Elbasan, 7 mijë vota më pak në Durrës, mbi 6 mijë më pak në Vlorë, ka marrë njëlloj në Tiranë, njëlloj në Lushnjë etj. Pra makineria e Ramës thjesht ka nxjerrë votuesit e tij në zgjedhje.

Cila është në mënyrë të natyrshme baza votuese e PD-së, cilat janë grupet apo shtresat që në mënyrë të natyrshme duhet të nxjerrë në votim PD-ja, e cila këtë herë para shqiptarëve u shfaq nën uzurpimin nga Berisha nën emrin Bashkë Fitojmë. Shtresat janë ish të persekutuarit, pronarët e shpronësuar nga komunizmi, besimtarët myslimanë dhe të krishterë që kanë një kuptim mbi familjen, njeriun dhe shoqërinë sipas besimit në Zotin një dhe të vetëm. Shtresat janë tregtarët e vegjël, njerëzit e thjeshtë (jo nostalgjikë të komunizmit) që jetojnë me pak ose shumë pak dhe nuk shkollojnë dot fëmijët dhe ndjehen të harruar dhe të braktisur nga qeverisja e cila është bërë gjithnjë e më “elitare”, më e pasur, jeton në luks dhe në vila etj.

A arriti Bashkë Fitojmë t’i nxjerrë këta? Vetë shifrat e lemerishme ku ky koalicion i opozitës mori vetëm 500 mijë vota për kandidatë dhe vetëm 240 mijë vota për këshilltarë e tregojnë këtë. Që të fitojë opozita duhet t’i nxjerrë masivisht këto shtresa të cilat me gjasa nuk i ka nxjerrë kurrë në masë dërmuese që nga vitit 1992. I ka nxjerrë në nivele më të larta se sa në 2023 në vitin 2001, 2003, 2005, 2009, 2011, 2013, 2015, 2017 dhe 2021.

Këtë herë ishte e pamundur që nën drejtimin e dyshes Berisha-Meta, të mënyrës se si këta politikanë janë sjellë në 32 vite, në kushtet e sulmeve të egra ndaj PD-së së drejtuar nga Alibeaj të nxjerrë masivisht ish të persekutuarit dhe ata që kanë ndjenja neverie apo urrejtjeje për komunizmin. Ishte e pamundur në kushtet e koalicionit Bashkë Fitojmë, të mënyrës se si ky grupim u soll për dy vite, në kushtet si është sjellë në 32 vite Berisha dhe Meta të nxirrje në votim pronarët e shpronësuar nga komunizmi. Ishte e pamundur dhe është të nxjerrësh në votim bizneset e vogla, njerëzit që punojnë në sektorin privat, profesionistët në kohën kur lëvizja e Berishës dhe e Metës është e mbushur me inkoherenca të përditshme, kur sulmon, shan dhe shantazhon këdo, kur përdor një gjuhë hiperbolike dhe kur si zgjidhje ke revolucionin.

Ishte dhe është e pamundur të nxjerrësh në votime njerëzit e thjeshtë, hallexhinj kur ata e dinë dhe e kanë parë prej 32 vitesh se për politikën ata kanë qenë gjithnjë të harruar. Nuk mund të nxirreshin dhe nuk mund të nxirren të votojnë gjerësisht opozitën besimtarët myslimanë dhe të krishterë kur e shohin përditë se çfarë gjuhe, çfarë sjellje, çfarë qasjeje kanë ndaj fesë apo ndaj mënyrës se si besimi fetar e kupton jetën dhe shoqërinë, drejtuesit e Foltores apo të LSI-së. Besimtarët e kanë të qartë se çfarë mendojnë njerëzit e Bashkë Fitojmë për islamin dhe krishtërimin dhe njerëzit që i ndjekin këto besime. E kanë treguar në 32 vite, e kanë treguar në fjalime dhe sjellje, e kanë treguar me mënyrën se si jetojnë dhe si qeverisin apo kanë qeverisur.

Të gjitha shtresat që mund të votojnë opozitën, ose që janë baza votuese e opozitës janë të mërzitura, të zhgënjyera dhe janë gjerësisht të bindura se ajo që përfaqëson Bashkë Fitojmë nuk ka sinqeritet askund dhe asfare. Është e gjitha një truk, një lojë, një kurth në të cilin njerëzit nuk bien dot më. Ata nuk dalin fare të votojnë. Kur opozita ta bëjë këtë analizë, kur të kuptojë se gjithçka ka një limit dhe pas kësaj gjërat bëhen gjithnjë e më keq atëherë mund të nisë një ngritje, mund të çelet një mundësi. Shansin për këtë gjë e ka vetëm Partia Demokratike, por që ajo ta bëjë, duhet që drejtuesit t’i bartin këto vlera që bëjnë bazën votuese dhe kur të dalin në zgjedhje të kenë kapacitetin për t’i bindur njerëzit se pikërisht këto vlera, ata i bartin vërtet.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • usa emigrant: 02/06/2023 13:19

    populli i denoi me vote te dy monstrat e kombit ose me mire felliqesirat e kombit

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë