Eshtë tashmë e stërnjohur për ne të gjithë se Sali Berishës i pëlqen veçanërisht të mbajë njerëz me “cen” në krah e sidomos t’i mbrojë deri në vetmohim. Për arsye misterioze, njeriu që do të duhej të ishte një distilues i vlerave më të mira shqiptare, për shkak të eksperiencës së tij të gjatë dhe “mençurisë” që mendohet se mund t’i japë dhe mosha, në të disatën herë që shqiptarët i japin mundësi të zgjedhë, prezanton dikë si Belind Këlliçi; një kandidat për Bashkinë e Tiranës që mesa duket dhe dëshmohet, është lodhur për të bërë shumë marifete për të ndërtuar figurën që ka. Duke nisur nga shkollimi.
Shumë mbështetës pa sy të Sali Berishës vazhdojnë të justifikojnë edhe në dritë të fakteve se “shumë shqiptarë kanë bërë nga këto gjëra me falsifikime diplomash e dokumentesh”, apo se… “edhe nuk është e domosdoshme që një kryebashkiak të jetë me shkollë të lartë”. Nuk kuptohet nëse duan të tolerojnë kandidatin e zgjedhur nga Berisha pavarësisht paralajmërimeve të bëra edhe nga disa prej të vetëve më parë, apo vazhdojnë të justifikojnë çdo lloj korruptimi njerëzor, (mjafton të jetë bërë nga një prej tyre), duke nisur që nga hapat e parë të jetës që një individ nis të ndërtojë të ardhmen e tij: pra nga Shkollimi.
Është e qartë se Këlliçi e ka nisur karrierën e tij me një dëshirë për korrupsion pa dashur të aludojmë se në ç’mjedis është rritur me të vërtetë dhe sa të përfshirë janë familjarët e tij në “paketimin” e studentit nga Tirana pa gjimnaz të mbaruar për në SHBA. Por ata që do të duhej të kërkonin llogari, në vend që të ndezin dritën e të kërkojnë të shohin më qartë se si ka gdhirë e ka ngrysur kandidati i tyre mbi dokumentacione hileqare (dhe ky po që është krim), këtë herë, deklarojnë pa ndroje se … “meqë ka studiuar në SHBA, SHBA i hap sytë mirë dhe bën kontrolle”. Pra njerëzit që në të njëjtën kohë baltosin ambasadoren SHBA dhe deri presidentin dhe gjithë administratën amerikane se deklaroi “non grata” idhullin e tyre, për Belindin, SHBA bëhet papritur një fanar ndriçues, që zbut verbërinë.
Dhe fatkeqësisht, në vend që në bllok, e gjithë ajo pjesë e opozitës dhe e mbështetësve të saj, të kërkojnë të mësojnë më shumë, të dinë e të njohin më qartë se deri në ç’pikë Belind Këlliçi është i korruptuar dhe ka korruptuar për të arritur një qëllim, sulmojnë pa mend e me egërsi kë nxjerr në dritë këtë fakt. Në vend që të pretendojnë me forcë, ta pyesin, të jenë ata që të dëshirojnë të publikohet edhe më i fundit dokument i gjithë zinxhirit të formimit mësimor, vazhdojnë të hedhin lopata e lopata pa fund me dhe’ në mbulimin e një gjëje që nuk mund të mbulohet më e si zakonisht edhe fuçi me baltë.
Dhe përsëri fatkeqësisht, nuk është hera e parë e kësaj ane të rëndësishme që duhet të jetë garante e vlerave, barazisë e demokracisë, që merr rolin e varrëmihësit të lloj lloj krimeve, duke nisur që nga ato më të rëndat me vrasje, zhdukje apo shpërthime, deri tek këto falsifikime për një të ardhme më të mirë nga një i ri. Kjo është shumëfish më e rëndë për një vënd që dëshiron, ëndërron të mos mbajë gjatë moçalin e pushteteve që askujt nuk i bën mirë. Një korrupsion në opozitë vret ëndrrat për ndryshim.
P.S. Në deklaratën e Harry Fultz në Tiranë, justifikohet se është praktikë e shkollës të pajisë me dëshmi direkt për Universitete nxënësit e saj pa mbaruar ciklin 5 vjeçar të shkollës së mesme vendosur nga kjo shkollë. Kioskëzimi (bëj shkollë sa të duash) paska rrënjë më të thella sa i mendojmë dhe nuk nguron as të dëshmohet me emër dhe firmë nën të.