Pse Kuteli, mjeshtri i rrëfimit
mbetet ende i pazbulua

Pse Kuteli, mjeshtri i rrëfimit<br />mbetet ende i pazbulua
Ndërsa po rilexoja “Testamentin”, tekstin e fundit të shkruar prej Kutelit, kuptova edhe njëherë pse mjeshtri i rrëfimit dhe tregimtarisë i letrave shqipe mbetet i [pa] zbuluem përjetësisht.

I pazbuluem sepse humbja, nëse do ta kundronim jetën dhe veprën e tij, është gati e përputhur me triumfin dhe prurjen letrare. Përveç ndarjes nga jeta, një humbje e parakohshme, janë humbjet e tjera, sidomos ato letrare që ta tërheqin vëmendjen për ta kundruar vemendshëm si dukuri.

Dhe nuk janë dosido, po të shumta dhe të mëdha, e një pjesë e tyre pothuajse të pariparueshme. Në gjallje Kuteli nuk mori asnjë lëvdatë si shkrimtar, jo se kishte nevojë, por se ai me veprën e larmishme letrare, veçmas me lëvrimin e prozës pati krijuar shkollën e rrëfimit dhe të tregimtarisë shqipe. Në fillimet e jetës letrare, fal përkujdesjes së tij, realizohet botimi i poezive të Poradecit, Emineskut dhe F. Nolit.

Madje librat e këtyre poetëve janë shoqëruar edhe me hyrje të gjata, në nivel të shqyrtimit kritik, pra si metatekste të mirëfillta të zbërthimit të veprës së tyre poetike, një modelim i shkrimit të kritikës letrare.

As kjo punë fisnike, madje që atij i shkakton shpenzime të shumta dhe kohë të humbur, nuk e pati mirënjohjen dhe kujdesin e kulturës dhe të institucioneve të saj. Në vitin 1947, që përkon me shkrimin e novelës “E madhe është gjëma e mëkatit”, për arsye politike Mitrush Kuteli përfundon në burg.

[gallery]22042[/gallery]
Nëpër njëzet vite, anktheshumë dhe tronditëse, vazhdon kalvari i tmerrit për jetën dhe bukën e gojës. Këtu, pikërisht në këtë çast frikësjellës, në mënyrë të paimagjinueshme ndërpritet edhe ëndrra e shkrimtarit.

Tashmë, me lejen e redaktorëve të realizmit socialist, ai do të merret me përkthimin, me përkthimin e normuar në mënyrë të zyrtarshme, me përkthimin detyrim ku u përfshin me dhjetëra mjeshtër të kulturës dhe letërsisë, të cilët vinin nga periudha e mëparshme. Përkthimet mjeshtërore të Gogolit, Emineskut, Ostrovskit, Turgenjevit etj, jo vetëm i dhanë bukën e gojës për vete dhe fëmijtë, por mbajtën të ndezur edhe “kandilin” letrar, atë ëndrrën e madhe të autorit, për të cilën ishte gati që të sakrifikonte gjithçka.
***
Në këtë periudhë terri, torturash, burgimesh, ndalimesh, internimesh dhe letnimi, Kuteli, megjithatë arriti të botonte librat: “Xinxifillua”, me përralla dhe “Tregime të moçme shqiptare”, ritregime të epikës legjendare dhe historike të folklorit shqiptar. “Kandilja” shkrimore kuteliane, edhe në kushtet e terrorit diktatorial, rrezaton dritë, art, përthekime letrare edhe në këto hapësira të ngushtuara të shprehësisë letrare, pra një mosthyrje e habitshme karakteriale.

 Prapë asnjë rresht për ta përmendur punën e madhe krijuese në dobi të kulturës shqipe, një heshtje vrastare më e ndyrë se sa sulmi dhe përndjekja. Përmasat e prozatorit, si tregimtar, novelist, ligjërues rrëfimesh dhe rrëfenjash, ishte formatuar plotësisht para lirimit të vendit nga fashistët, ku bie në sy numri i madh i botimit të librave me prozat e larmishme. Fitimtarët, në pushtet dhe kulturë, ishin vënë në gjurmë të peshkimit të artistëve dhe shkrimtarëve, pa talent dhe biografi shkrimtarie, në kërkim të shkrimtarit shërbestar.

Gjithnjë sipas modelit {gjedhit} letrar socrealist, fakti që Kuteli ishte i formuar si shkrimtar dhe intelektual, madje me personalitet të spikatur, për këto arsye dhe të tjera, ai i trajtua si dru i shtrembër, që do të duhej mënjanuar nga udha e letrarëve fitimtarë. Shmangia erdhi rrufe, erdhi e tmerrshme, edhe pse intelektuali Dhimitër Pasko, i doktoruar në Rumani për financat, kishte mbrojtur monedhën shqiptare në dy raste; nga pushtuesit nazist, si dhe nga synimet e komunistëve jugosllavë. Mbase, këto ngjarje, që nxorën në pah aftësitë e avokatit të ekonomisë shqiptare, u bën shkaku kryesor, që ta përzinin njëherë e përgjithmonë nga institucionet shtetërore. Përzënia e parë përgaditi dhe shtroi udhën për përzënien e madhe prej panteonit të letrave shqipe, nga mundësia për ta ushtruar ndikimin e vetë legalisht, çka pati ngjarë pa pengime gjer në vitet 1944. Në vitet e territ të ndritur ngjau ndëshkimi i paimagjinueshëm i mjeshtrit të fjalës shqipe.

Sa qe gjallë, me frymë e forcë të jashtëzakonshme shpirtërore, nuk preku dhe ndjeu as vlerësimin më të vogël si shkrimtar, prozator dhe poet, kritik dhe përkthyes, si botues dhe intelektual. Mbase prania e këtyre shenjave dhe shenjëzimeve identifikuese, u bënë shkasi kryesor për ta goditur me të gjitha format; goditje fizike duke e burgosur, goditje shpirtërore duke ia vrarë ëndrrat për një Shqipëri demokratike, goditje letrare duke ia heshtur veprën letrare, botuar para lirimit të vendit nga pushtuesit, e sidomos ndërprerjen e ëndrrës letrare duke e detyruar, në mënyrë pseudodemokratike apo diktatoriale, që të përkthente me normë dhe jashtë dëshirës dhe shijes letrare të shkrimtarit.
***
Ndëshkimi në gjallje, merr fund me ndarjen e parakohshme nga jeta, më 4 maj 1967, pra pa i mbushur as gjashtëdhjetë vitet. Pas këtij momenti zë fill periudha e dyzuar, e pranim-mospranimit të veprës letrare të Kutelit. E pranimit, sepse qysh në vitet 1972 nisi botimi i krijimtarisë së gjerë letrare, siç është vrejtuar nga verifikimiet e mëvonshme duke krahasuar dorëshkrimet me tekstet e botuara, vërtet duke ia ndryshuar disa trajta ligjërimore gjuhësore, gjë që do të thotë se kemi të prekur autentiken, autoriale, pra e një pranimi gjysmak të veprës së shkruar. Ndërsa në fillim të viteve ’80 duket edhe ndonjë konsideratë, e përgjithshme dhe krejt e përciptë rreth veprës letrare kuteliane, e tipit “mjeshtër i rrëfimit”, një frazë ekuivoke, sepse në krijimtarinë e Kutelit, rrëfimi është edhe lloji letrar, njëri nga më të dashurit e shkrimtarit, por është edhe mjeti i poetikës së prozës. Ngatërrimi emërtues nuk ka gjasa të jetë i rastësishëm, përkundrazi është një qëndrim prej xhirafe, fshehje e kokës në rërë me shpresë se ka shpëtuar edhe trupi, nga ana akademikëve.

Ku formulim, por edhe të tjera të matura me metrin e akademistëve të socrealizmit, lë në hije tipologjinë e zhanreve të lëvruara prej autorit, si dhe thelbin e prurjes së shkrimtarit, ligjërimin e prozës moderne. Kuteli dhe Koliqi, me prozën e larmishme të lëvruar para mbarimit të luftës, kanë meritën e shkëputjes së prozëshkrimit shqip nga moralizimi, rapsodizmi bisedimor dhe shtjellimi monoton, dhe e futjen në vijën [hullinë] e lëvrimit bashkëkohor si frymë, si teknikë dhe shprehësi letrare.

Në fillim të viteve ’90, nën përgjegjësinë e N. Jorgaqit, botohet e plotë, së paku sipas shënimeve të bëra, vepra letrare e M. Kutelit, me pesë vëllime, ku është përfshirë poezia, proza, ktitika letrare etj. Megjithqë, edhe në këtë sipërmarrje, simbas studimeve të mëvonshme letrare, lihen jashtë botimit disa tekste origjinale të shkrimtarit, dhe tanimë thellohen ndryshimet gjuhësore, të cilat e kanë zbehur ndjeshëm praninë shkrimore të autorit. Pas viteve ’90, që përkon me shembjen e diktaturës komuniste dhe fillesat e demokracisë shqiptare, figura e Kutelit i kthehet vlerave letrare të shqipes, zë e zbulohet si vlerë letrare e mëvetësishme, madje në jo pak raste hienat e studimeve të dikurshme tentojnë të fshihen prapa artit të Kutelit për të mbetur qendër e verifikimit letrar, kur me shqyrtimet e kryera vërtetojne se u ka mbetur ora në studimet sociologjike dhe ideologjike.

Mendimi hedhur nga M. Camaj, se Kuteli është ende i pazbuluem, vijon të nxisë kërshërinë e leximit, shfletimit dhe shqyrtimit të pambarimtë të krijimtarisë së mjeshtrit të prozës shqipe.
***
Kjo ide, pra se Kuteli vijon të jetë i pazbuluar, nxit studimet për ta interpretuar pjesën që e trashëgojmë, e patjetër për të thelluar kërkimet për humbjet e mëdha, për humbjet të cilat gjithsesi nuk zbehin literaritetin në tekstet e lexuara, shqyrtuar nga studimet letrare. Merita të posaçme, sa i përket mënyrës shkrimore kuteliane, në lëmin e prozës posaçërisht, bart edhe sintagma “mik tre ditësh rrymash letrare”, si e pati formuluar M. Camaj, këtë përvojë shkrimore. Formatimi i mjeshtrit për mjeshtrin si “mik tre ditësh” sjellë me vete shumë shenja dhe mbishtresime letrare, të cilat fokusojnë dimensionet reale të autorit:

Së pari: Se Kuteli është i paqëndrueshëm në raportimin e vetë me letraren. Paqëndrueshmëria në art nuk është e barabartë me mosqëndrueshmshërinë në jetë, e rrafshit etik, pra si karakter i paqëndrueshëm, në idealitet si gjurmë e ndryshimit të menjëhershëm. Paqëndrueshmëria në art dhe letërsi është diçka tjetër, mbase është vetë thelbi i qëmtimit dhe materializimit të letrares.

Së dyti: Se artin e fjalës, Kuteli e mendon dhe e realizon në dinamikën e lëvizjes, në dinamikën e kërkimit të vlerave letrare, të vlerave si thënie dhe shprehësi letrare. Paqëndrueshmëria ndaj rrymave letrare është tregues i kërkimit të letrares në të gjitha vatrat ekzistenciale.

Së treti: Se fakti i lëvrimit të të trija gjinive letrare, poezisë, prozës dhe dramatikës, faktologjia e shkrimit të gjithë llojeve të prozës, tipike si: tregimi, novela, romani, të prozës me origjinë orale, si rrëfimi dhe rrëfenja, të prozës së rishkruar nga poezia dhe drama, tashmë në formën e ritregimit, e pasqyron natyrën e mosqëndrueshmërisë si vlerë letrare, si vlerë e dinamikës dhe kërkimit të pafundëm.

Leximi me tezë, edhe në këtë ndërkohje, i veprës letrare të Kutelit, gati ka pamundësuar komunikimin real me veprën e shkrimtarit, madje edhe keqkuptimin e shpërdorimit të vlerave letrare të krijuara prej tij. Vijimi i leximit sociologjik, madje duke e menduar si të vetmin, çka shprehet me krenari edhe nëpër tryeza shkencore, e vështirëson leximin dhe shqyrtimin e teksteve të autorit. Leximi i realizmit të Kutelit si realizëm grotesk, nuk shjegon dot magjinë letrare të Kutelit, por e fut në qorrsokak trajtimin e prozës së autorit. Teoritë letrare, klasike dhe moderne, në të gjitha trajtat dhe lakimet e veta, deri më tani ofrojnë trajtimin e konceptit realizëm, me tre ngjyresa: realizëm kritik, realizëm socialist dhe realizëm magjik. Qenia akademik në këto trajtime dhe përcaktime shpikje, nuk e lehtëson situatën, përkundrazi ajo tregon se çfarë lloji akademikësh na vijnë nga koha e Babaqemos.
***
Po ashtu leximi eseistik, një mënyrë interesante, por e pacitueshme si trajtim shkencor, nuk e zbërthen vlerën e teksteve të Kutelit. Pra, bashkë me zbulimin në këtë periudhë është thelluar edhe keqleximi, keqinterpretimi i veprës letrare të Mitrush Kutelit, herë-herë duke e përfshirë në situata të çuditshme interpretimi. Titujtë e shqytuesve, nuk mbrojnë dot nderin e nëpërkëmbur prej vetë atyre.

Leximi ideologjik, një term i K. M. Shalës, për të gjithë autorët, e veçmas për Kutelin duhet të marrë fund. Kjo është njëra nga humbjet e jashtëzakonshme, që e lë në hije mjeshtrin e prozës shqipe. Këto që përmendëm, pra mospërfilljen e veprës letrare, përkthimore, kritike dhe botuese, përsa kishte frymë, botimi i cunguar letrar dhe gjuhësor i krijimtarisë letrare autoriale, si dhe leximi i pamundshëm sociologjik dhe ideologjik prej studiuesve dhe estetëve të estetikës së brendisë, që kanë shpërfillur formën, janë një pjesë e vogël e humbjes së madhe, humbjes së disa teksteve letrare.

Këto humbje të mëdha dhe të pariparueshme, na i bën me dije A. Pasko, e bija e shkrimtarit. Ndër të tjera shprehet: “humbi tërë novella kryesore, “Dashuria e barbarit Artyan për të bukurën Galatea” dhe gjysma e novelës tjetër, “Sbulesa e dytë e Pjetër Kulirës nga Liqerasi. Humbi edhe një roman që u kushtohet të burgosurve të kampit të Prishtinës si dhe drama “Ura”, me motive të legjendës së murimit…S’dihet ç’u bënë edhe librat “Rrëfimet me të gjallë e me të vdekur” dhe “Shënime ekonomike.” Humbja është e madhe dhe dyfishe:

- Humbja në lëmin ekonomik, të fushës së financave, e cila do të sqaronte përmasën e intelektualit dhe të ekspertit në fushën financiare. Nga njoftimet e medias është marrë vesh se këto shënime do të botohen deri në muajn shtator dhe do të paraqiten para lexuesit në kuadrin e 100- vjetorit të lindjes së shkrimtarit. Është një shenjë e mirë e kthimit të pranisë së vlerave të krijuara nga Kuteli.

- Humbjet në lëmin e letrave, pra të teksteve letrare të autorit, e cila është më e thellë dhe mbase e pariparueshme. Është më e thellë sepse në mungesë të tekstit të dramës, portreti i shkrimtarit do të mbetet përjetësisht i paplotë. Po ashtu, në mungesë të romanit të dytë të Kutelit, kushtuar të burgosurve të Prishtinës, ngelet në zgrip teza e shkrimit të romanit prej autorit, natyrisht mbetet pezull prej atyre lexuesve, e sidomos prej atyre studiuesve, graduar si akademik nën kudhrën e socrealizmit, pra kryekëput prej atyre që nuk duan ta shqyrtojnë realisht tekstin mbi Enkelinë si roman.Megjithatë, prania e tekstit të romanit mbi të burgosurit e Prishtinës do ta dyfishonte tezën e shkrimit të llojit të gjatë, romanit nga autori.
***
Edhe në lëvrimin e novelës dhe të rrëfimeve humbja është shumë e madhe, aq sa konkluzionet për krijimtarinë autoriale nuk e përmbushin dot boshëtirën e krijuar për shkak të humbjeve të konsiderueshme. Paplotënia shkrimore e Kutelit, në dramatikë, prozën e të gjitha llojeve, është shenjë e pamundësisë për ta kuptuar dhe shpjeguar universin letrar të shkrimtarit në caqet e plota të përfaqësimit. Megjithatë, kjo paplotëni e vlerave letrare të sendërtuar prej tij, nuk ka se si të frenojë dhe të pengojë shqyrtimin e teksteve letrare kuteliane, të atyre teksteve që trashëgojmë, veçse tanimë interpretimi të realizohet në nivel të formës dhe formësimit letrar, të strukturës dhe shprehësisë letrare, të rrafsheve të rrëfimtarisë, aq të larmishme dhe si shenjëzim vlerash letrare.

Humbjet e të gjitha llojeve, por veçanërisht ato të teksteve letrare, erdhën prej rrethanave jashtëletrare, nga burgimi, letnimi dhe përndjekja e pandërprerë. Për arsye letrare, si të thuash të prekjes dhe shijimit të letrares magjike, të asaj esencës shkrimore, sidomos në lëvrimin e prozës, papërjashtim në shkrimin letrar të gjithë llojeve të saj, ka kuptim interpretimi i faktologjisë letrare të realizuar prej shkrimtarit. Faktologjisë letrare, që ka shpëtuar nga përndjekja e diktaturës, e cila tashmë nuk ka pengesa botimi.
Leximi, shfeltimi, shqyrtimi dhe rivlerësimi i teksteve të shkruara si variante dhe versione, i teksteve metatekste ose i kritikës letrare, aq të parapëlqyer dhe të lëvruar me sukses nga autori, i teksteve në poezi, në poezitë drithëruese kushtuar vendlindjes, e veçmas në vargjet lapidar të “Poemit Kosovar”, një krijim i shkëlqyer i atdheut virtual, i atdheut real, por të ndaluar prej rrethanave dhe paderjtësive, i gjysmës së Shqipërisë, të ndarë në fillimshekullin e kaluar.

Pjesë e vëmendjes së studimeve bashkëkohore, e rivlerësimit dhe vendosjes në vendin ku i takon, në krye të vlerave letrare të shkrimit të prozës, duhet vënë edhe trashëgimija në këtë gjini, tregimet, rrëfimet, rrëfenjat, novelat, dhe mbi të gjitha të jepet një përgjigje e plotë dhe e argumentuar e faktit të lëvrimit të romanit, madje e shkrimit me kualitet, nëse e kundrojmë vëmendshëm prozën e gjatë mbi Enkelinë.

Proza në duart e Kutelit, vetiu shpërndërrohet në mrekulli letrare, në magji që të befason dhe të mbush shpirtin plotë ndjesi të holla. Dhimitër Pasko, alias Mitrush Kuteli, emri i tij letrar, nga këto humbje që u vunë re, të cilat nuk janë të vetmet, mund të vështrohet si shkrimtar i humbjeve të mëdha, madje i humbjeve të pazëvendsueshme. Prania e tij, me tekstet e botuara në poezi, prozë, kritikë letrare dhe përkthimet, paprania prej humbjeve të ndjeshme në analizat ekonomike, dhe tekstet letrare, janë në ekuilibër të habitshëm, në ekulibër që nuk e humbet autorin, përkundrazi na e zbulon në një dritë të dyfishtë, që flet me praninë dhe papraninë.
***
Megjithëkëtë, falë mjeshtërisë rrëfimore dhe tregimtarisë së shkrimtarit, prania e Kutelit është më e fuqishme dhe më funksionale se sa paprania. Prania e Kutelit, si përvojë shkrimi letrar dhe krejt origjinale në tekstet në prozë dhe patjetër edhe në shkrimet e tjera letrare, në poezi dhe kritikë letrare. Kjo prani është e prekshme me ndikimin e vetë mbi shenjat e literaritetit të letërsisë moderne shqipe.

Pra, humbjet e shumta në tekstet e prozës së shkruar prej Kutelit, por edhe të pagjetura, pra të panjohura dhe të pavelerësuara, që ngërthen në vetvete një sasi të përfillshme vlerash letrare, nuk zbehin përfundimisht tipologjinë shkrimore kuteliane, e cila shpërndrit plotëninë e magjisë letrare në sendërtimin e rrëfimit dhe rrëfenjës, proza këto që e kanë origjinën tek arti gojor, me realizimin cilësor të tregimit dhe novelës, me tonalitetin dhe ngjyresat mbresëlënëse të pagjasshme në letrat shqipe, me shkrimin e romanit me nivel të ngritur literariteti. Pohimi i bërë nga shkrimtari në fund të “Testamentit”: “Terreni i letërsisë është një tokë tek gëlojnë gjarpërinjtë.

Të vrasin shokët, se u bën hijë. Dhe kur nuk bën hije do të thonë se nuk je i zoti për letërsi.”, sikur është shkruar enkas për këndej kohën, kur mbarshtohet estetika e refuzimit estetik, estetika e përbaltjes dhe jo e komunikimit ndërmjet të ndryshmëve të barabartë, jo në dije dhe vullnet, po në të drejtën e shprehjes.

Kuteli, emri dhe vepra e tij letrare, pavarësisht humbjeve të konsiderueshme, në historinë e letrave shqipe, ka një vend të veçantë, çka lidhet ngushtësisht me prurjen letrare, e veçanërisht me tekstet e shkruara prej tij, të cilat aspirojnë dhe sendërtojnë letraren në kuptimin e parë të kësaj fjale. Letraren që e shpërfill kontekstet dhe rrethanat jashtëletrare. Letraren si magji e shprehësisë dhe shumfishësisë emocionale, letraren që i braktis patericat ideologjike dhe ndërkomunikon vetëm si art, si esencë letrare e pastër, pra si paraqitje e pastër e njëmendësisë.
 
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit