Për këtë realitet të trishtë mediatik pat ngritur zërin i pari që në vitet ’90, në shumë dalje në TV e vetme të asaj kohe, RTSH, si dhe në gazetat periodike me aq sa ishin hapësirat e ngushta mediatike personaliteti i njohur i gjuhësisë shqipe prof. Gjovalin Shkurtaj. Ai nuk ndalej në tituj të veçantë gazetash apo revistash, por përcillte në publik, me një shqetësim prej akademiku të vetëdijshëm për rolin e tij, se nuk mund të bëhet gazetari e lirë dhe profesionale nga persona që kishin vetëm pasionin, por u mungonte kultura gjuhësore e të shkruarit shqip.
Megjithëse në atë kohë ishin vetëm dy gazeta të pavarura në treg, “Koha Jonë”, që filloi botimin në maj të vitit 1991 dhe “Gazeta Shqiptare”, që nisi një vit më vonë, mund të thuhet me plot gojën se gazeta që shkelte me shumicë rregullat bazë të drejtshkrimit shqiptar, të vendosura në Kongresin e Drejtshkrimit në vitin 1972, ishte gazeta “Koha Jonë”. Ky konstatim vlen të nënvizohet sot.
Nëse KJ do të zhvendosej në kohë e të lexohej sot, përveç anëve pozitive të padiskutueshme, kurajos së atij grupi gazetarësh për të përcjellur fjalën e lirë edhe në ato kushte të vështira ku punonin etj, do të piketohej në jo pak raste si një gazetë që përçoi dasi krahinore. Gabimet ortografike, e jo vetëm, që haseshin në këtë gazetë, ishin të shumta dhe të dallueshme, edhe për faktin se ajo kishte një tirazh shumë të lartë në krahasim me të tjerat, kulmin e të cilit e arriti në muajt e trazirave 1997, me rreth 100 mijë kopje në ditë.
Nga ana tjetër, Gazeta Shqiptare paraqiste një format krejt tjetër të konceptimit të gazetarisë nga ai ambjent konfliktual që kishim dhe e kemi ende këtu. Botuesi i saj i ardhur në Shqipëri qysh në vitin e fundit të monizmit, mbase nuk do ta kishte menduar kurrë se vazhdimin e karrierës së tij si gazetar do ta vijonte në vendin deri atëherë të mbyllur, edhe për fqinjët e përtej Adriatikut.
Përsa i takon zbatimit të drejtshkrimit dhe të rregullave të shkruara e të pashkruara të stilistikës dhe publicistikës, Gazeta Shqiptare bënte dallimin esencial, jo vetëm në raport me gazetën Koha Jonë, por edhe me ato pak të përditshme partiake si ZP, RD dhe gazetat e atëhershme periodike. Ndërkohë, gjithsesi, vlen të përmendet se një ndër gazetat periodike, që kontribuoi jo pak në botimin e këtyre kritikave dhe këmbanave të alarmit për bastardimin e shqipes së shkruar ishte gazeta “Intervista”, e cila ishte gazeta më e shitur javore në Shqipëri dhe Greqi, në shtetin që ka më shumë shqiptarë emigrantë.
Vijimi i traditës së mbrapshtë në shkrimin skandaloz të shqipes nga gazetarët dallohet tashmë, shumë më shpejt se sa nga leximi i gazetave, edhe në leximin e titrave të lajmeve të televizioneve private, jo vetëm në Tiranë, por në të gjithë qytetet e Shqipërisë. Mungesë e theksuar shenjash të pikësimit, gabime drejtshkrimore, sidomos në përdorimin e bashkëtingëlloreve dhe zanoreve jo të duhura për fjalë të veçanta etj, etj, janë mangësi që mund t’i vërejë kushdo pa u sforcuar shumë.
Një barsaletë ka qarkulluar në vend në vitet ’80 dhe mësuesi i gjuhësisë na e kallzonte shpesh. Një ditë, ai na dha si detyrë të shkrutër, duke na e diktuar, që të shkruanim fjalinë: “Të pushkatohet nuk ka mundësi të falet”. Vendi se ku duhej vënë presja, mund të shoqërohet me marrjen ose jo të jetës së atij të gjori të presupozuar në pritje të dënimit…
*) Autori është koordinator rajonal i Veriut dhe i Marrëdhënieve me Jashtë në Unionin e Gazetarëve Shqiptarë (UGSH) **) Ky shkrim është përgatitur në bashkëpunim me Osservatorio Balcani e Caucaso për Qendrën Europiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), bashkëfinancuar nga Komisioni Evropian. Përmbajtja e shkrimit është përgjegjësi vetëm e Shqiptarja.com dhe nuk mund të pretendohet në asnjë mënyrë se pasqyron pikëpamjet e Bashkimit Evropian
d.c./shqiptarja.com











