TIRANE - Nëse do të kishim lexuar romanin e fundit të Gjerak Karaiskaj, “Ferma e dijes”, do ta kishim fare të qartë, se përse gjatë kësaj fushate të stërzgjatur nuk u shfaqën vetëm akademikët dhe shkencëtarët e vendit. Ata nuk u angazhuan as në këtë proces të rëndësishëm dhe jetik për fatet e vendit. Mungoi prania e tyre në studio televizive, munguan shkrimet e tyre në gazeta, mungoi përgjithësisht gjykimi shkencor për programet e partive.

Prej vitesh ka munguar gjykimi shkencor për çështjet tona jetësore, por nuk ka munguar renditja e akademikëve në lista partish, sa herë që këto kanë pasur nevojë për të demonizuar palën tjetër. Pra, kemi qartësisht rreshtim, po jo analizë dhe guxim intelektual të shfaqur.

Po qëllimi i këtij shkrimi është të japim disa arsyetime se përse klasa e emëruar akademike e vendit, ka heshtur dhe vijon të heshtë, duke u marrë vetëm me pispillosje intelektuale dhe vetëkënaqje, ndërsa vendi prej dekadash qeveriset nga barbarët. Përgjigjet janë krejt të qarta në romanin e sipërpërmendur, që fillon me një shprehje të Milan Kunderës, ku flitet për mungesën e plotë të shpresës në këtë periudhë tranzitive.

Po kur ka filluar tranzicioni, sipas studiuesit Karaiskaj? Ka filluar në vitin 1944 dhe përfundimisht mbyllet tashmë me zgjedhjet e vitit 2013, ku mes gëzimit dhe dhembjes, do ndahemi përfundimisht me periudhën pararendëse. Jo për ndonjë arsye sublime, jo sepse mendësia jonë është evropianizuar, po sepse ndërkaq gjithë pasuria e grumbulluar e diktaturës, tashmë është ndarë, madje dhe grimcat e fundit.

Pra, ata që prodhuan komunizmin, tashmë janë të sigurt në vetvete. Këtë mund ta pikasni lehtë, te retrospektiva që bën personazhi kryesor i romanit, që tashmë ndihet i sigurt. Ai ndihet i sigurt edhe për një fakt tjetër, për shkak të trajnimit që ne u bëjmë të huajve: në vend të na mësojnë, ne i përshtatim.

Penës së Gjerakut nuk i shpëton as i ashtuquajturi revolucion demokratik i vitit ’90, ku mbizotëroi teza, tashmë e realizuar në pikëpamjen kohore, se bota duhet të na pranojë ashtu siç jemi. Revolucioni në të vërtetë ka ndodhur, po ai ka qenë thjesht një revolucion terminologjik, pra ndryshoi vetëm gjuha, po jo thelbi.

Detyrën e vështirë të këtij revolucioni në gotë, e mori përsipër Ferma e Dijes, ajo duhej t’i paraprinte ndryshimit, duke caktuar komisione gjuhësore në të gjitha fushat, ku ca fjalë e shprehje u lanë ashtu siç kishin qenë, e ca të tjera u ndryshuan. Dhe pikërisht kjo ndodhi: të njëjtët personazhe, ishin dhe janë në krye, madje dhe ata që u përndoqën, dhe për cilën arsye?

Sepse treguan zell të tepruar në dashurinë e tyre për sistemin, pra e donin sistemin më shumë se sa duhej. Ata nuk duhej ta donin sistemin më tepër se sa ata që e krijuan, dhe për këtë arsye u dënuan, por me ndryshimin e kohëve, u rehabilituan, ose më mirë të themi se u përgatitën të ishin në krye në kohë të tjera, çka tregon largpamësi. Kjo çështja e largpamësisë, është një çështje që e paskërkemi pas pasur, po që sot çuditërisht e paskemi humbur.

Zgjidhjet ishin shumë të lehta në dukje: ideologjia u zgjerua, që të nxinte më shumë. Termat e përdorur gjatë tranzicionit e tregojnë qartazi: ish-pronarë, dhe jo borgjezë, sepse pikërisht termi ish, heq pasurinë. Dhe tani, me mbylljen e tranzicionit, do të rifillojë përdorimi i termit borgjez, jo sepse kjo fjalë ka ndryshuar ngarkesën e saj negative, por sepse u krijua borgjezia e re e telekomanduar. Pikërisht në ujëra të tilla të ndenjura ka notuar klasa jonë akademike, jo thjesht për të mbijetuar, por për të pasur privilegjet që kishte pasur dikur.

Këtë na thotë me zë të lartë letrari Gjerak Karaiskaj, autori i dy përmbledhjeve me tregime, Horriada dhe Zëvendëskrimineli. Dy vëllime ku peneli humoristik i autorit, ngjyros tablo të tipit të Gojës, si varianti i njeriut që mban gomarin në kurriz, dhe që çuditërisht i afrohen shumë jetës sonë të jetuar.

Dhe nëse do të flasim për letërsinë e realizmit socialist dhe letërsinë bashkëkohore, ka ardhur koha të pyesim, se çfarë vendi duhet të zërë autori ynë në letërsinë shqipe, pra në grupin e shkrimtarëve të padëmshëm që e kanë të lejuar të shkruajnë për seksin, siç ka shumë në qarkullim në kohët tona, të shenjuar edhe prej medaljeve që ja japin vetë njëri-tjetrit.

Dhe për t’u kthyer te fushata që zien e vlon, dhe që ka prekur çdo centimetër katror të vendit, po nuk ka tronditur asnjë vetëdije akademike deri më tani, mund të themi me plot gojën sipas autorit, se kemi arritur në pikën kur është kryer bashkimi i plotë i popullit me parinë e vet, ata janë popull dhe populli është si ata.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 15.06.2013
 
Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)