Në momentet vendimtare, Vladimir Putin e ka thirrur gjithmonë në krah të tij. Është i vetmi tek i cili mund të mbështetet, sepse nuk është thjesht një aleat, por një vasal: nuk mund t’i thotë jo. Pikërisht për këtë arsye, në klimën e tensioneve dhe përshkallëzimit të sulmeve ndaj Ukrainës, vizita e papritur e Aleksandër Lukashenkos në Moskë po ngre shumë pikëpyetje. Sot ai do të takohet me Putinin dhe të gjithë pyesin nëse do të diskutojnë për një zgjerim të luftës apo për një rrugë drejt paqes.
Deklaratat e bëra dje nga udhëheqësi i Minskut, pas bisedës me kryeministrin rus Mikhail Mishustin, janë të dykuptimta. Agjencia TASS ka veçuar pikërisht deklaratën e tij për Ukrainën:
“Duke parë nga e ardhmja, do të diskutojmë për problemin tonë të përbashkët, me të cilin po përballemi në jug të Bjellorusisë dhe në perëndim të Rusisë”, tha Lukashenko. “Është një problem real, por do ta zgjidhim, pavarësisht se sa shumë disa e dëshirojnë këtë. Dhe, ju pëlqen apo jo, ne tashmë i kemi kuptuar këto dëshira dhe e kuptojmë shumë mirë se çfarë po ndodh rreth nesh.”
Pyetja është: si synojnë ta zgjidhin këtë “problem të përbashkët”? Toni i deklaratës është shqetësues. Megjithatë, edhe në këtë rast sinjalet janë kontradiktore.
Gjatë gjithë verës, trupat e Minskut kanë zhvilluar stërvitje të jashtëzakonshme ushtarake, duke thirrur edhe rezervistët. Ata janë stërvitur për të luftuar në një qiell të mbushur me dronë, pikërisht ajo që nevojitet për të mbijetuar në fushëbetejat ukrainase, ndërsa “inspektimi i fundit i gatishmërisë operative” u urdhërua vetëm katër ditë më parë.
Ushtria bjelloruse nuk përbën në vetvete një kërcënim veçanërisht të madh. Është e vogël dhe ka pak mjete moderne, por prej tre vitesh po fuqizohet vazhdimisht. Mes instruktorëve të saj janë edhe shumë veteranë të grupit Wagner, të dërguar në Bjellorusi pas dështimit të rebelimit të Yevgeny Prigozhin.
Ky është një tjetër nga favorët që Lukashenko i ka bërë Putinit, duke ndihmuar në zgjidhjen e një prej krizave më të vështira me të cilat është përballur Kremlini. Por më i rëndësishmi mbetet ai i shkurtit 2022, kur Lukashenko hapi territorin e vendit të tij për ushtrinë ruse që u nis drejt Kievit.
Në atë operacion, trenat luajtën një rol vendimtar, pasi u përdorën për të transportuar me shpejtësi një numër të madh ushtarësh dhe tankesh. Tani opozita bjelloruse po jep alarmin për punimet që po zhvillohen për të rritur efikasitetin e rrjetit hekurudhor. Sipas saj, po dyfishohen qendrat e kontrollit, në mënyrë që sistemi të mund të vazhdojë të funksionojë edhe në rast bombardimesh.
Këto janë elemente që duket se përforcojnë shqetësimet e shërbimeve sekrete ukrainase, të ngritura edhe nga presidenti Volodymyr Zelensky, për mundësinë që Kremlini të nisë një ofensivë të re nga territori i Bjellorusisë.
Sipas këtij skenari, forcat ruse mund të avancojnë drejt Chernihivit, me synimin për të çarë vijën mbrojtëse dhe për të izoluar kryeqytetin ukrainas nga rajonet lindore të Kharkivit dhe Sumyt.
Në letër, ky do të ishte një makth për Ukrainën. Një manovër shkatërruese që do të godiste pikërisht pikën e dobët të Kievit: inferioritetin numerik të ushtrisë së tij. Forcat ukrainase do të detyroheshin të menaxhonin një tjetër front lufte, në një kohë kur nuk kanë më rezerva të mjaftueshme këmbësorie.
Nëse analiza zgjerohet edhe te skenari i një provokimi rus kundër republikave baltike, me qëllim testimin e kohezionit të NATO-s – një çështje që, sipas disa burimeve, ka qenë në qendër të misionit në Moskë të drejtorit të CIA-s, John Ratcliffe – atëherë mbështetja e Minskut duket e pashmangshme. Mjafton të shihet harta për të kuptuar se Bjellorusia në një skenar të tillë është thelbësore, në mos e domosdoshme.
Këta janë faktorët shqetësues që po diskutohen në takimet e shërbimeve të inteligjencës perëndimore. Megjithatë, ato duhen peshuar përballë kompleksitetit të situatës.
Lukashenko ka qenë gjithmonë i kujdesshëm për të shmangur përfshirjen e drejtpërdrejtë të Bjellorusisë në konflikt. Prej muajsh ai ka vënë në dispozicion të Kremlinit rafineritë e vendit, rezervat e karburantit dhe madje edhe furnizime ushqimore, për të lehtësuar pasojat e dëmeve të shkaktuara nga sulmet ukrainase.
Por ai ka shmangur përplasjen e drejtpërdrejtë, duke arritur madje, në qershorin e kaluar, të ndërpresë lidhjet radio të dronëve rusë pas ultimatumit të Zelenskyt.
Dhe jo vetëm kaq. Udhëheqësi i Minskut ka realizuar një afrim të vërtetë me administratën Trump. Pavarësisht kundërshtimit të Bashkimit Europian, ai ka arritur të sigurojë heqjen e një pjese të sanksioneve në këmbim të lirimit të 500 të burgosurve politikë.
Madje, Lukashenko është pranuar nga Shtëpia e Bardhë edhe në “Bordin e Paqes” për Gazën, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump e ka cilësuar atë si “një lider të respektuar”.
Me pak fjalë, udhëheqësi bjellorus mund ta vërë këtë marrëdhënie në shërbim të një ndërmjetësimi për të shmangur zhvillime katastrofike. Ose mund t’i nënshtrohet edhe një herë vullnetit të Putinit.
Vetëm tri javë përpara zgjedhjeve dhe me mbështetjen brenda vendit të goditur nga sulmet ukrainase, Putin nuk duket i gatshëm të pranojë refuzime: atij i duhet një zgjidhje e shpejtë për “problemin e përbashkët”./La Repubblica








Komente
Komento