Shtatë pikë në gjashtë javët e para të sezonit të ri dhe viti i tretë në stolin e Manchester United, por trajneri Erik ten Hag nuk po mundet të vendosë në pah idetë e tij te gjigantët e futbollit. Paçka kësaj ecurie, pyetja e tifozëve me të drejtë ngrihet me arsyen e mos shkarkimit.
Edhe pse drejtuesit e klubit shprehën besimin te trajneri dhe i rinovuan një tjetër vit kontratën në fillimin e sezonit, rezultat nuk po vijnë dhe tashmë trysnia e tifozëve po bëhet e papërballueshme. Por, për të bërë realitet dëshirën e tifozëve të cilët nuk e duan më holandezin në drejtim, klubi duhet të bëhet gati për një shpenzim kolosal.
Sipas Goal.com, zgjatja e kontratës së Ten Hag gjatë verës do të rëndojë ndjeshëm arkat e klubit nëse mbyllin para kohe marrëveshjen me teknikun. Totali që Manchester United duhet të paguajë do të jetë 21.5 milionë euro, shifër e cila do të ishte afërisht 12 milionë euro nëse nuk do të kishin rinovuar gjatë verës.

Komente

