Nga Artan Fuga

Sikur pensionet në Shqipëri të mos ishin sa për një krodhe buke,
 
– sikur vëllai dhe motra mos dërgonin në familje paret e fituara me djersë në dhéra të huaj,
 
– sikur shqiptari të mos pranonte të kishte shërbime mjeksore ose sociale si të një skllavi,
 
– sikur sigurimet shoqërore të paguheshin dhe të mos kishte punë të zezë,
 
– sikur rrogat të ishin krahasimisht aq sa në vendet fqinje,
 
– sikur shteti të detyrohej të mirëmbante rrugë, lulishte, ndërtesa, muzera etj,
 
– sikur të quheshin të papunë të gjithë të papunët dhe jo të quheshin si gjoja fermerë a shitësa brenda një ekonomie familjare krejt në degradim,
 
– sikur të kishte sindikata që të luftonin për rroga dhe të drejta në punë,
 
– sikur shqiptari të kishte cmirë dhe të thoshte se kur fqinji deputet ka X-5 edhe unë dua ta kem,
 
do të shihnim se ku do të vente borxhi ynë dhe sa shpejt do të kishim falimentuar.
 
Rroftë mendja e lehtë e shqiptarit thuaj, që i fut një bukë e djathë a me gjizë, që është mësuar të mos ketë dinjitet, të mos ketë një libër a një cd-rom në shtëpi dhe të jetojë sikur është në zborr ushtarak a në aksion me punë vullnetare dhe ta quajë sëmundjen, varfërinë, vdekjen, mjerimin si një dhuratë e dërguar nga Zoti të cilën vetëm mund ta pranosh por kurrë ta refuzosh.
 
Mendja e lehtë na shpëton nga kriza dhe falimentimi financiar.