Përtej nervozizmit dhe një diskursi përgjithësisht patetik, debati mbi protestat e natyrisht protestat e opozitës nuk ka një vijë lineare logjike. Në panele nalistët shpërthejnë, nxefen dhe bëhen viralë në tik tok apo reels-a të facebook.
Dhe kjo po ju pëlqen shumë, madje ka edhe politikanë apo zëra publikë të balancuar, që me të zbuluar viralitetin e një reel-si, kanë braktosur të shkruarin. Kryesisht i fusin dy tre fjali me gërma kapitale pa “ë” dhe “ç” dhe pastaj videon, ku aktrojnë në një studio televizive.
Në këto ditë, që u bënë javë e muaj që nga nëntori, temë kryesore është si rrëzohet Edi Rama dhe si duhet të jenë protestat. Dikush thotë se duhet të jenë të forta, madje shumë të forta, duke shtuar metafora savanash apo të botës së kafshëve që janë kohët e fundit si simbole politike.
Ka të tjerë që i mëshojnë më shumë kohëgjatjes, përkatësisht konsistencës që mund të krijojnë një efekt politik më të madh. Siç ka të tjerë, si përshembull një nga politikanët më të njohur në vend si Dashamir Shehi, i cili nuk lodhet së theksuari se fuqia e një opozite është tek ideja, platforma apo reformat që ajo promovon në një aksion politik.
Protestat fryhen me një objektiv të madh, rrëzimin e qeverisë, megjithatë objektivi real i tyre ësht krijimi i një fryme, i një efekti domino që të krijojnë një momentum politik rreth qendrës gravitacionale që është dora vetë Sali Berisha.
Për ta bërë më të prekshme analizën, thërrasim analogjinë si letër lakmusi. Le të marrim si model protestat e viteve 2003-2004 dhe të ashtuquajturat protesta për armët kimike të Bashar Al Asadit.
Protestat kundër qeverisë së Fatos Nanos, u organizuan nga një grup shoqatash, ku në qendër ishte MJAFT-i i Erion Veliajt dhe organizata e drejtuar nga Kreshkin Sspahiu. Të cilët kishin hapur dhe qartazi support ndërkombëtar në vullnet dhe financime.
Këto protesta krijuan një aleancë fluide me opozitën e Sali Berishës, grupet e rëndësishme mediatike, por edhe politikanë të mazhorancës së atëhershme, e cila ishte e ndarë dhe me luftë të brendshme.
Protestat krijuan një frymë, por edhe një efekt politik, pasi mazhoranca po shkonte drejt një dezintegrimi, që u vulos me krijimin e LSI. Kryeministri Fatos Nano humbi edhe mazhorancën në Kuvend, pasi një pjesë e deputetëve socialistë nuk i votonin ministrat dhe ai qeverisi me zv.ministra. Kjo atmosferë shkoi për dy vjet deri në zgjedhje ku mazhoranca nuk e mori mandatin e tretë dhe opozita e Sali Berishës erdhi në qeveri. Protestat, që ishin mjet dhe formë komunikimi, ishte një rrugë drejt një procesi që u konsakrua me zgjedhjet. Suksesi i tyre, përpos masivitetit dhe galvanizimit civik, erdhi edhe si pasojë e aleancave me shoqërinë, politikën, mediat dhe madje edhe mazhorancën.
Në vitin 2013, pak muaj pasi kishte ardhur në pushtet, Edi Rama u përball me një kërkesë të rëndësishme nga SHBA që mund t’i siguronin mazhorancës por edhe vendit një mbështetje të madhe amerikane.
Shkatërrimin në një process monitorimi të një arsenali të armëve kimike të Asadit. Këtë aksion, SHBA e shoqëroi me premtime për mbështetje të fortë politike dhe financiare.
Të alarmuar se me këtë akt Edi Rama do të fuqizohej shumë dhe menjëherë, Sali Berisha dhe Ilir Meta, së bashku me aleatët e tyre vendosën t’i kundërvihen fort.
PD organizoi dhe financoi grupe “civike” për të protestuar fort kundër këtyre arsenaleve, sa u arrit për herë të parë nga disa ambjentalistë të opozitës që të protestohet edhe para ambasadës Amerikane.
Ilir Meta, i cili ishte kreu i Kuvendit në aleancë qeverisëse me Edi Ramën dhe kondiciononte politikisht shumicën qeverisëse në Kuvend. Ai e kundërshtoi hapur këtë propozim amerikan, duke dalë kundër. Kundër doli edhe Ben Blushi, atëherë deputet i Partisë Socialiste që ishte kritik me Edi Ramën dhe lidershipin e tij.
Pas një “reflektimi” disa ditor, Edi Rama bëri llogaritë politike dhe pa që mazhoranca e tij mund të çahej pa bërë akoma tre muajt e parë në krye të vendit. Dhe doli publikisht duke e refuzuar propozimin amerikan. “JO” që ka pasur një kosto të rëndësishme për vendin, ndërkohë që arsenalet e municioneve të armëve siriane u shkatërruan pa zhurmë në Itali, e cila mori lekët.
Po përse kishin sukses këto protesta? Pasi ata kishin një objektiv të aktuar, një përfshirje të rëndësishme në grupet e interesit dhe më e rëndësishmja aleanca të forta politike.
Sot, protestat e Sali Berishës çfarë synojnë? Të përdorin teorinë e “fait açompli”-faktit të kryer që të krijojnë e gjenerojnë një process politik me detyrim përcktim.
Mungesa e njerëzve nuk ka dyshim që është thjeshtë një refuzim i qartë dhe i prerë ndaj Sali Berishës. PD vetëm në Tiranë ka mbi 10 mijë anëtarë, ku vetëm ata të dalin në rrugë mund të bëjnë protesta të plota e masive.
Por siç dihet, PD e Sali Berishës nuk e kontrollon partinë e ndarë, trazuar dhe frustruar nga procesi i dhunshëm që provokoi pas shpalljes Non Grata.
I frustruar për këtë refuzim nga ata qytetarë që janë dukshëm kundër mazhrancës, Sali Berisha kërkon të prodhojë një process politik nga lart. Madje fute dhe “abalistat” pro tij që ta krijojnë si imperative krijimin e në fronti kundër Edi Ramës. Front që në fakt opozitarët e duan, por jo me Sali Berishën, e këtë e kanë treeguar qoftë me votë, qoftë nga sondazhet. Kërkimi që njerëzit ta duan me zor është pikërisht shkaku i dështimit të protestave. Pse Berisha nuk bën një eksperiment, le ‘ja lërë organizimin, drejtimin dhe foltoren e protestës së 10 shkurtit një ekipi të ri dhe ta provojë a ka ndryshim në formë dhe përmbajtje? Nuk humb gjë, barazimin e ka në xhep dhe ndoshta edhe e rrëzon Edi Ramën!/TemA
Komente











