Është një zë i fortë në mikrofon, një zë i plotë SI DREJTUES I NJE KORI i zgjedhur me kujdes që i thotë protestuesve në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” çfarë të bëjnë: “Le të themi të gjithë bashkë tani: Rama Ik! Rama Ik! Fort! Fort! Fort! Thotë zëri potent nga një fjalim në tjetrin”… dhe protestuesit e ndjekin: Rama Ik! Rama Ik!... dhe mezi dëgjohen… pa entuziazëm, pa frymë.

Fjalët që dëgjohen nga foltorja kanë sens, shprehin një vuajtje opozitarësh që tashmë, më shumë se 13 vite, nuk janë në pushtet…. Në pushtet? A qëndron këtu problemi se përse protestat e opozitës kanë nevojë për zërin e fortë që t’i nxisë? Protestat e opozitës janë protesta për pushtet dhe jo protesta për përmirësim, për optimizëm, për ndërtimin e një të ardhmeje që do të ishte më e ndryshme, më e bukur, më e mirë, më e drejtë, më e pastër, më e barabartë.

Kemi një protestë entuziaste apo një protestë që në ajër nuk çliron ëndrra shqiptare për një Shqipëri që ëndërrohet, por për një Shqipëri ku ndryshon ngjyrat e doganierëve, ngjyrat e ministrave, ngjyrat e tenderistave, ngjyrat e karrigeve...

Nuk ishin kaq shumë protestues në Bulevard sa për ta përmbysur një qeveri, por fryma e atyre që flasin në mikrofon, urrejtja e Sali Berishës për kundërshtarët e tij, nuk mjafton as për të krijuar emocionin që çdo protestë, edhe më e vogël, do të shkaktonte në zemrat e shqiptarëve që i ndjekin ata nga shtëpitë. Si mund të bashkohen shqiptarët në një protestë të komanduar nga Zëri në mikrofon: Rama ik! Fort, Fort, Fort! Thirrni tani: Rama Ik!