Një qytetar denoncoi sot pranë Report TV atë që ai e ka konsideruar si një akt arbitrar nga ana e doganës greke, që sipas tij e ka kthyer pas sot pas asnjë arsye, edhe pse ishte me të gjitha dokumentacionet e rregullta. 

Sipas qytetarit që është identifikuar me emrin Danjel Toska, pala greke nuk e la që të fliste, por i vendosi menjëherë kryq mbi pasaportë.

Pasi u pyet se ku po shkonte dhe shtetasi shqiptar u përgjigj se ishte nisur për te tezja e tij në Greqi për të festuar Pashkën, polici grek ia pret: “Pse Pashkë kemi çdo ditë ne?! Kthehu pas menjëherë”. 

Qytetari këmbënguli që ta denonconte rastin e tij tepër i revoltuar, pasi sipas tij kjo është një tallje e qëllimshme dhe poshtëruese që pala greke bën enkas ndaj shqiptarëve.

Ky rast ndodh në një kohë kur Shqipëria dhe Greqia janë ulur në tryezën e bisedimeve për të arritur një marrëveshje lidhur me delimitimin detar mes dy shteteve.

Sot mediat greke raportuan se kryeministri helen Aleksis Tsipras e ka shtyrë vizitën e tij në Shqipëri që pritej të ndodhte për Pashkë, duke aluduar se kjo ndodhte pas zvarritjes që iu bë procesit të negociatave nga ngërçi i brendshëm shqiptar presidencë-qeveri lidhur me çështjen e autorizimit për plotfuqinë e negociatorëve.