Habitemi me protestat në vendet e qytetëruara: Studentë, punëtorë, intelektualë, me jelekë, pa jelekë, mbushin sheshet, rrugët. Energjia e tyre është shpërthyese, argumentet e tyre janë mbërthyese. Dhe pyesim këtu në Tiranë: Pse nuk ndodh tek ne e njëjta gjë? Pse të mjerët, fatkeqët e Astirit, nuk marrin zemrat e shumë shqiptarëve që të bashkohen me ta e të përmbysin ata që bëjnë padrejtësi, pse studentët qëndrojnë të vetëm me çantat e tyre të shpinës, me shallat në qafë në këtë gjysëmtëftohtë dhjetor, marrin vetëm mallkimin e qytetarëve që udhëtojnë dhe bekimin e vetëm pak të përkëdhelurve të politikës?

Eshtë një vijë e hollë, në dukje e padukshme, që bën dallimin mes kauzave të vërteta, jetike; kauzave që sjellin zhvillim e përmirësim, në dallim me kauzat shkatërruese, penguese të ecjes përpara në çdo fushë. Këtë dallim mund ta bëjnë dy kategori të rëndësishme njerëzore: Intelektualët e ndricuar dhe ajo pjesë e popullsisë që ka një inteligjencë të lindur, të natyrshme, instiktive. Intelektualët e ndriçuar i kemi me pakicë. Ajo që me shumicë haset rrugëve të Shqipërisë dhe rrjeteve sociale, është finesa popullore, një zgjuarsi e lindur,  e shprehur në batuta, në reagime impulsive, në qëndrime ndaj revoltave që prodhohen kohët e fundit në Shqipëri.

Shqiptarët kuptojnë "intelektualin" fals, që hedh helmin e tij të keq sa për të ndezur me zor rrëmujë e zjarr, siç dallojnë rrezikun real dhe regresin. Eshtë vetëm ky rrezik që do ta bëjë shqiptarin të protestojë, të bashkohet me heronj të rinj a të moshuar. Shqiptarët i kanë dhënë provat se dinë të mbushin rrugët e të protestojnë, siç, përditë e më shumë tregojnë se nuk do të dëgjojnë gazetarucë, politikanucë, e të tjerë ucë që ujrat tentojnë të trazojnë vetëm për përfitime personale.

Derisa kauzat e vërteta, shpirtërore dhe jo, të duken në horizontin tonë, shumica do të vazhdojnë të shohin "gallatë" nga TV apo rrjetet sociale, disa, do të vjellin vrer për këta që nuk protestojnë, apo për ata që nuk vlerësojnë protestën, e për ata që protestës së radhës  nuk i bashkohen se nuk kanë dëshirë apo kohë; e të tjerë, do të mbeten vetëm rrugëve të Tiranës, në përpjekjet e dëshpëruara për të ndezur drurë të lagur në këtë dimër deri tani, jo shumë të ftohtë.