Paraqitur kryesisht si një akt mbrojtjeje për popullsinë amerikane kundër një regjimi venezuelan që synon të destabilizojë SHBA-në duke eksportuar drogë dhe kriminelë të liruar nga burgjet e Madurós, sulmi i vendosur nga Donald Trump ka një rëndësi kryesisht gjeopolitike, me ndikime të thella edhe ekonomike dhe mbi zbatimin e rregullave të së drejtës ndërkombëtare.
Doktrina Monroe
Droga ka rëndësi deri në një masë të caktuar, pasi nga Venezuela dërgohet kokainë dhe jo fentanyl-i i frikshëm, që ka origjinë kineze dhe përpunohet në Meksikë. Ajo që ka më shumë rëndësi është vizioni neoimperialist i Trump. Premtimi i tij ndaj amerikanëve për të mos angazhuar më ushtarë amerikanë në luftëra të gjata në rajone të largëta kishte bërë që disa të mendonin për një kthim në izolacionizëm. Në realitet, presidenti amerikan vazhdon të përdorë forcën kur e sheh të nevojshme, pa konsultuar Kongresin, duke u mbështetur në sulme të shkurtra, intensive dhe të targetuara: nga eliminimi i gjeneralit Soleimani, bombardimet e impianteve bërthamore iraniane, sulmet ndaj rebelëve dhe terroristëve, nga Jemen-i deri në Siri.
Në rastin e Venezuelës ka edhe më tepër: rikthimi tek doktrina Monroe e shpallur nga presidenti i vitit 1823. Në thelb, kjo është teoria e “oborrit të shtëpisë”: afirmimi i supremacisë amerikane mbi të gjithë kontinentin amerikan. Kjo nënkupton se çdo ndërhyrje e fuqive të huaja në Amerikën Latine konsiderohet si një akt armiqësor ndaj Uashingtonit. Në atë kohë, James Monroe kishte parasysh veçanërisht përpjekjet evropiane (sidomos të Spanjës) për të shtypur proceset e pavarësisë në jug të SHBA-ve, ndërsa sot kërcënimi vjen kryesisht nga ndikimi në rritje i Kinës në të gjithë nënkontinentin.
Nafta
Venezuela e Madurós ka qenë prej kohësh objekt i synimeve të Trump, por edhe të sekretarit të tij të Jashtëm, Marco Rubio, kryesisht për shkak se Rusia dhe Kina kishin rritur ndërhyrjet e tyre në mbështetje të regjimit të vendit, i cili ka rezervat më të mëdha të naftës të provuara në botë.
Njëherë e lidhur kryesisht me kompanitë amerikane të naftës, Venezuela kishte nisur prej kohësh të furnizonte vendet kundërshtare të SHBA-së: Kinën, Rusinë, Iranin dhe Kubën. Një situatë e papranueshme për Trump. Në këtë kuadër, nuk është krejt e pabazuar akuza e zyrtarëve të regjimit të larguar të Madurós: kontrolli i burimeve energjetike të vendit si shkak i vërtetë i ndërhyrjes amerikane. Vetë Trump ka deklaruar disa herë dëshirën për ta rikthyer ekonominë venezuelane në sistemin kapitalist të Amerikës së Veriut.
Droga
Trump përdori trafikun e drogës si justifikim për presionin në rritje mbi Venezuelën që nga gushti. Ai ka transferuar një flotë gjithnjë e më të madhe pranë bregdetit të vendit, ka vendosur një bllokadë detare dhe ka shkatërruar me raketa dhe dronë 35 mjete të dyshuara për trafik droge, duke shkaktuar mbi 100 viktima. Javët e fundit, sulmet me forca speciale ndaj disa anijeve dhe të paktën dy sulme në territor venezuelan ishin zyrtarisht për të shkatërruar një mol portual nga ku nisnin anije të ngarkuara me drogë drejt SHBA-së.
Megjithatë, droga është përdorur edhe si pretekst nga Trump për të shmangur rregullat që do të kërkonin konsultim me Kongresin para se të ndërmerrte veprime ushtarake jashtë vendit që nuk ishin urgjente. Qeveria amerikane bazohet te AUMF, një ligj “për autorizimin e përdorimit të forcës ushtarake” miratuar në 2001 pas sulmit terrorist të Al Qaedës në New York dhe Washington më 11 shtator. Ky ligj lejon ndërhyrje të menjëhershme, pa aprovim parlamentar, kundër organizatave terroriste që kërcënojnë SHBA-të, ligj i përdorur nga Administrata Bush për sulmet ndaj talebanëve dhe Al Qaedës dhe më pas, në 2003, ndaj Irakut.
Maduro
Uashingtoni deklaron se sulmet ndaj anijeve të huaja në ujëra ndërkombëtare dhe ndërhyrja direkte kundër diktatorit venezuelan janë të ligjshme, pasi nuk konsiderohen akt lufte, por operacione antiterrorizmi.
Trump ka “degraduar” Madurón nga lider i Venezuelës në “narko-terrorist”, duke deklaruar se ai është kreu i Cartel de los Soles, një organizatë trafikante droge e shpallur nga qeveria amerikane si “organizatë terroriste e huaj”.
Për këtë arsye, Trump nuk ka informuar Kongresin për sulmin ndaj Venezuelës dhe rrëzimin e Madurós. Për të, një operacion me përdorimin e një flote të madhe, përfshirë edhe aeroplanmbajtësen më të madhe amerikane, USS Gerald Ford, është një operacion antiterrorizmi.
Përtej pasojave gjeopolitike të parashikueshme, kjo ndërhyrje pritet të dobësojë edhe më shumë rrjetin e tashmë të dobët të rregullave të së drejtës ndërkombëtare. Nuk është rastësi që të parët që akuzuan Trump për shkelje të këtyre rregullave ishin rusët, regjimi që katër vjet më parë e quajti pushtimin e një vendi sovran, Ukrainës, jo një luftë, por një “operacion ushtarak special”./ Corriere della Sera
Komente




