Të sëmurët mendorë në vendin tonë ende trajtohen në kushte skandaloze. Ata që janë më rëndë, janë sistemuar në katin e nëndheshëm, dhe kanë vetëm një dritarez të vogël, të mbyllur me rrjetë dhe sigurisht me kangjella hekuri, nga ku ata shikojnë nëse është ditë apo natë.

Fiqiretja është nga Berati. Çdo 10-ditë udhëton nga qyteti i Beratit për të parë nipin e saj që është i shtruar pranë Psikiatrisë te Qendra Universitare "Nënë Tereza". Nuk ka nevojë fare të futet brenda dhe të takojë mjekun. Shkon tek dritarja, i thërret në emër dhe ai shfaqet i zbehtë pas kangjellave të hekurit. Ajo nxjerr ushqimet e preferuara të nipit nga çanta dhe ia jep një e nga një nga dritarja. E përshëndet, i çon të fala nga të afërmit dhe i thotë të mos mërzitet se ajo do vijë sërish ta shikojë.

Dhe si kjo nënë veprojnë thuajse të gjithë ata që i kanë të shtruar të afërmit e tyre në këtë shërbim. Sigurisht, na tregon ajo, në katin e nëndheshëm "jetojnë" vetëm ata që janë të sëmurë më rëndë. "Unë kam nipin tim që është shtruar që prej një viti e gjysëm. U bë shumë i dhunshëm dhe e sollëm në spital. Vij çdo 10-ditë, se jam larg, vij nga Berati dhe i sjell ca gjëra. Sot i solla fiq, një koka-kola që atij i pëlqen shumë, ca fruta të tjera. I solla gjërat që i pëlqejnë më shumë", - na tregon Fiqiretja. Sa i përket mënyrës së si i trajtojnë ajo thotë se është e kënaqur, pasi vetë në shtëpi nuk mund ta mbajnë. "Po e kënaqur jam moj vajzë, ku do ta mbanin ne aty në shtëpi? Pastaj çdo të bëjë njeriu i shkretë, po të jetë i mbyllur aty brenda. Se mos i ka parë njeri se çfarë u bëjnë???" - e përfundon dialogun, jo pa një dyshim, gruaja e moshuar.
psikiatri
KUSHTET
Ajo që të bie në sy është fakti se të sëmurët mendorë janë vendosur në katin e nëndheshëm, që ngjan më tepër me një bodrum. Duket se i vetmi ndryshim nga të burgosurit, është fakti se familjarët nuk duhet të marrin leje nga askush për t'i takuar. Ashtu si edhe dhomat e burgjeve, këta të sëmurë mendorë, kanë vetëm një dritarez fare të vogël, të blinduar me kangjella hekuri, rrjeta dhe madje në disa raste edhe të kyçura me dry, që është në lartësinë e murit. Ky është i vetmi komunikim me botën reale, dhe nga ku atyre u futet pak dritë brenda. Dhe si për t'i vënë kapakun të gjithë kësaj situate, me të sëmurë mendorë që mbyllen në kushte burgu, shërben edhe ambienti përreth. Mbeturina të ushqimeve që u dërgojnë familjarët, për të cilët askush nuk është kujdesur që t'i largojë, por që me sa duket shërbejnë për të ushqyer macet e qentë që vërtiten vërdallë. Ndërkohë që spitali psikiatrik në Tiranë, është rikonstruktuar nga themelet dhe bërë një ndër shërbimet më të mira vetëm dy vite më parë, duket se mënyra se si trajtohen të sëmurët mendorë shumë pak ka ndryshuar nga metodat tradicionale, ku të sëmurët kyçen pas hekurave.

Shkrimi u botua sot ne gazeten Shqiptarja.com
(sg/shqiptarja.com)