Çfarë bluajnë në mendje njerëzit me pushtet? E shtrojmë këtë pyetje – dhe ndodh jo rrallë – kur sjelljet e tyre na duken kontradiktore, ose pak të kuptueshme, ose aq arrogante, sa bëhen të vështira për t’i duruar. Një artikull i ditëve të fundit, botuar në revistën “The Atlantic”, na fton ta shtrojmë pyetjen në terma edhe më radikale: çfarë i ndodh trurit të njerëzve me pushtet?

“Atlantic” citon dy opinione me autoritet. Sipas Dacher Keltner, profesor i psikologjisë në Universitetin e Berkeley-t, dy dekada kërkime dhe eksperimente në këtë fushë konvergjojnë në një fakt: subjektet në një pozicion të pushtetshëm veprojnë sikur të kenë pësuar një traumë cerebrale. Bëhen më impulsivë, më pak të ndërgjegjshëm për rreziqet dhe, mbi të gjitha, më pak të aftë të marrin në konsideratë faktet nisur nga këndvështrimet e njerëzve të tjerë.

Sukhvinder Obhi është një neurolog i Universitetit të Ontarios. Nuk studion sjelljet, por trurin. Kur i vendos disa studentë në pozicione të pushtetshme, zbulon që një gjë e tillë influencon mbi një proces specifik neural: ri-pasqyrimin, njërën prej pjesëve themelore përbërëse të aftësisë për të kuptuar emocionet e dikujt tjetër.

Dhe këtu vijmë tek shkaku i mundshëm i asaj, që Keltner përkufizon si paradoksi i pushtetit. Kur njerëzit marrin pushtet, humbasin (më mirë, truri i tyre humb) disa aftësi themelore. Bëhen më pak empatikë, domethënë më pak perceptues. Më pak të gatshëm për të kuptuar të tjerët. Dhe, ndoshta, më pak të interesuar apo të gatshëm për t’ia arritur kësaj.
 
Si pula pa kokë

Veç kësaj. Shpesh njerëzit me pushtet rrethohen nga një oborr vartësish, që përpiqen të ri-pasqyrojnë shefin e tyre për t’u shpërblyer, gjë që, natyrisht, nuk ndihmon të mbash një marrëdhënie të shëndoshë me realitetin.

Dhe, më tej: është vetë roli, i cili kërkon që njerëzit me pushtet të jenë të shpejtë në marrjen e vendimeve (edhe pse nuk kanë elemente të mjaftueshëm për ta bërë këtë, as kohë për të menduar), të mbajnë qendrim (edhe kur nuk e dinë mirë se çfarë. Ose kur do të ishte mirë që t’u kushtonin vëmendje nuancave) dhe të kenë një vetëbesim në kufijtë e arrogancës.

Drejtuesit kryesorë të shoqërive shumëkombëshe bredhin nëpër botë në mënyrë frenetike si pula që u kanë prerë kokën: vendosin të drejtuar nga ankthi, pa menduar, pa kuptuar, pa parë dhe pa u konfrontuar. E kam dëgjuar këtë, gjatë një mbledhjeje, ku merrnin pjesë partnerët e një shoqërie ndërkombëtare të konsulencës, thënë nga folësi më i vjetër dhe më me autoritet. Prisja të dëgjoja ndonjë zhurmë mosaprovimi nga dëgjuesit, por, në të kundërt, u shfaqën shenja të shumta aprovimi.

Dyshoj se sindroma e pulës nuk ka të bëjë vetëm me ata që drejtojnë ndërmarrje, por edhe me ata që qeverisin institucione dhe shtete.

Fakti është që njerëzit me pushtet “duhet” të ecin drejt në rrugën e tyre, pa pyetur për gjithshka që kanë përrreth. Kjo mund t’i ndihmojë ata të arrijnë objektivat e tyre (çka jep shumë dorë në afat të shkurtër), por u dëmton aftësinë vendimmarrëse, atë të bashkëveprimit dhe të komunikimit, të cilat, në afat të gjatë, janë strategjike.

Andreotti thoshte se pushteti rraskapit ata që nuk e kanë. Dhe Andreotti, që merrte vesh shumë nga pushteti, citonte Talejranin (Maurice de Talleyrand). Por edhe vetë ky citim përmban një dozë të madhe arrogance të pacipë.
Ekziston një fjalë shumë antike, që e përshkruan më së mirë gjithë këtë: hybris. Tregon një arrogancë prej mendjemadhi të atij, që ka arritur një pozitë me rëndësi dhe mbivlerëson veten. Është me rëndësi fakti që, në termin grek, përfshihet edhe fataliteti i një ndëshkimi të mëpasëm, hyjnor apo tokësor: falimenti, rënia.

Adrian Furham, profesor i psikologjisë në University College të Londrës, shkruan se vlerësohet që 47% e menaxherëve dështojnë. Kjo është një përqindje mjaft e lartë. Një nga motivet kryesore të dështimit është narcizizmi: një koktej shkatërrues
arrogance, ftohtësie emocionale dhe hipokrizie.  

Ka një paradoks: është e lehtë të admirosh dhe respektosh njerëzit karizmatikë dhe me besim në vetvete. Por nuk është aq e thjeshtë të dallosh mes karizmës dhe narcizizmit, që, në shumë aspekte, është ana e errët e saj. A dimë me të vërtetë të dallojmë kufirin mes mbajtjes së një qendrimi dhe prepotencës? Mes sigurisë dhe kokëfortësisë? Mes aftësisë tërheqëse dhe manipulimit? Mes pragmatizmit dhe cinizmit?

Ka edhe një paradoks tjetër: prepotenca, kokëfortësia, manipulimi dhe cinizmi mund të rezultojnë madje të dobishme në betejat për marrjen e pushtetit, që shpesh janë rraskapitëse, të pandershme dhe mizore. Por, pasi merret pushteti, për ta mbajtur atë do të duhej pikërisht ai vizion më i hapur dhe më i ekulibruar që – siç e pamë më parë – vetë roli duket se e bën shumë të vështirë për ta marrë dhe mbajtur. Pushteti është afrodiziaku suprem, thoshte Henry Kissinger.

Por “shumë i vështirë” nuk do të thotë “i pamundur”.

Nga ana tjetër, të paktën në demokracitë perëndimore dhe në ndërmarrjet moderne, pushteti në një afat të gjatë mbahet vetëm nëpërmjet konsensusit. Dhe aftësia që të mbash konsensusin është në përpjestim të drejtë me aftësinë për të komunikuar, për të dëgjuar dhe për të bashkëvepruar duke u konfrontuar.   

Po, pra, mund të bëhet! Ekzistojnë edhe njerëz me pushtet të pajisur me karizëm, pa narcizizëm. Në mëse 40 vjet, kam arritur madje të takoj disa të tillë, në politikë e biznes, por mund t’i numëroj me gishtat e dorës. Do të duhej të ishin shumë më tepër.

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com