TIRANE-Në muajt e fundit të paktën 120 efektivë policie në të gjithë vendin me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, janë dërguar në Drejtorinë e Standardeve, ku pritet të nisë një hetim ndaj tyre apo deri në marrjen e ndonjë mase të rëndë disiplinore.

Hetimet kanë nisur pasi dyshohet se efektivët e policisë janë futur në sistemin TIMS për të marrë të dhëna që nuk kanë lidhje me individët të ndryshëm për operacione që janë duke u zhvilluar, por e kanë përdorur për cështje të tyre. Kjo ka bërë që Veliu të urdhërojë nisjen e një hetimi për të zbuluar emrat e efektivëve të policisë së shtetit që kanë akses në sistem dhe që e kanë përdorur për interesa të tyre.

Por edhe rasti më i fundit i nxjerrjes së fotos së Santiago Malkos është hetim me akuzën që policët kanë ndihmuar gazetarët në punën e tyre. Burimet sqaruan se kjo lëvizje e kryepolicit Ardi Veliu, vjen pasi këta efektivë kanë hyrë në sistemin TIMS e kanë kërkuar të dhënat për ish efektivin e vrarë më 27 Gusht, Santiago Malko foto e te cili ka dalë në Report Tv dhe më vonë u publikua dhe nga disa media të tjera. Qëllimi i investigimit është pikërisht zbulimi kush e ka marrë foton e viktimës nga sistemi TIMS për të ndihmuar gazetarët.

Mësohet se për efektivët e çuar në Drejtorinë e Standardeve do të nisë një hetim administrativ, e ndërsa në përfundim të hetimeve, po me urdhër të drejtorit Ardi Veliut, pritet të jepen edhe vërejtje, pasi për policinë çuditërisht publikimi i fotos së Santiago Malkos ne media, klasifikohet si një sekret hetimor.

Ështe hera e parë që ndodh, jo vetëm në Shqipëri, që 120 policët janë nën hetim për një foto zakonshme të botuar nga media duke i shërbyer kështu të drejtës së informimit. Sulmi nga drejtoria e përgjithshme e policisë ndaj policëve që kanë ndihmuar punën e gazetarëve vjen në të njëjtën ditë kur edhe opozita e ka sulmuar median,  duke vendosur ta bojkotojë studiot e 5 televizione kryesore të vendit, duke përfshirë Report Tv.