TIRANË- Nëpërmjet kqyrjes së kamerave të sigurisë në rrugën “Xhanfize Keko”, grupi hetimor tashmë ka rindërtuar dinamikën e plotë si dhe mënyrën se si ish efektivi Santjago Malko u ekzekutua në mënyrë mafioze mbrëmjen e 27 Gushtit në Tiranë.

Burime pranë uniformave blu sqaruan për Report Tv se nga pamjet e kamerave të sigurisë të disa bizneseve përgjatë zonës së Porcelanit, ku ndodhi edhe vrasja, ka rezultuar se teksa 26 vjeçari Malko ishte në lëvizje me automjetin e tij tip BMW X5, pas tij qëndronin edhe dy automjete të tjera, njëra tip “Volkswagen Golf 6”, e ndersa pas tyre në një distancë shumë të afërt automjeti tjetër tip “Mercedes-Benz CLS”. Të dyja këto automjete të fundit, e me ngjyrë e zezë dyshohet të jenë automjete me të cilat kanë lëvizur atentatorët dhe bashkëpunëtorët e tyre.

Sapo autorët që lëviznin me automjetin “Mercedes-Benz CLS” kanë qëlluar me breshëri automatiku në drejtim të 26 vjeçarit, grupi hetimor dyshon se ky i fundit në atë moment ka qenë duke biseduar në telefon, e ka tentuar menjëherë që të ulë shpejtësinë, por për shkak të plumbave humb kontrollin e mjetit duke u përplasur me shtyllën anës rrugës, e duke përfunduar në murin e një godine aty pranë.

Në pamjet e kamerave të sigurisë u fiksua edhe lëvizja e një furgoni të bardhë, për të cilin fillimisht u dyshua se pikërisht ky automjet i pret rrugën 26 vjeçarit, por nga hetimet rezultoi se personat që lëviznin me të nuk kishin lidhje me ngjarjen.

Menjëherë pas ngjarjes, të dy automjetet e përdorura nga atentatorët dhe bashkëpunëtorët janë larguar në drejtim të Tufinës, e ndërsa në ecje e sipër, automjeti “Mercedes-Benz CLS” është përplasur me një bordurë duke çarë dy gomat e pasme. Përgjatë gjithë rrugës, thanë burimet, e deri në fshatin Ferraj, kjo makinë ka lëvizur me goma të çara. Në kamerat e sigurisë është parë që dy gomat e pasme të makinës së djegur bënin xixa në ecje.

Pasi dogjën automjetin “Mercedes-Benz CLS” me targa AA 434 LX, bashkë me dy armë zjarri që u gjendën në brendësi të saj, autorët dyshohet të jenë larguar me automjetin tip “Volksëagen Golf 6”. Të dyja automjetet e përdorura në krim, si dhe target e tyre rezultojnë të vjedhura e të denoncuara në qytetet të ndryshme.

Për këtë ngarje policia ka si të dyshuar deri më tani dy persona me iniciale D.A dhe L.D, e ndërsa si pistë hetimi është ajo e hakmarrjes, si dhe konfliktet e mundshme të ish punonjësit të policisë, Santjago Malkos.