Apeli i Posaçëm ka lënë në fuqi dënimin prej 28 vitesh burgim për Ilir Selmanin, i shpallur fajtor si pjesë e grupit kriminal që ekzekutoi ish-policin Santiago Malko. Selmani nuk u paraqit në seancë. Tashmë, nga arresti në shtëpi, ai duhet të dërgohet në një burg të sigurisë së lartë. 

Çështja u rikthye për gjykim në Apelin e GJKKO-së nga Gjykata e Lartë, ndërsa Selmani u lirua pak kohë më parë në 'arrest shtëpie', për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit.

Selmani është shpallur fajtor nga GJKKO për ekzekutimin e Santiago Malkos më 19 gusht 2019. Disa ditë më parë, pranë banesës së tij që ruhet nga forca të shumta policie, u arrestua me armë Emiljano Nina, një prej personave më të afërt të Ervis Martinajt. Ky episod çoi hetuesit të dyshojnë se po tentohej një atentat për hakmarrje.

Si ndodhi ngjarja?

Santiago Malko, ish-punonjës policie, u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit të vitit 2019 me breshëri plumbash në zonën e "Xhamllikut" në Tiranë. Malko u largua nga detyra si polic pasi u arrestua pas një sherri për lojërat e fatit. Ishte një emër jo pak i njohur për autoritetet, i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale. Emri i tij doli në skenë në Tetor të 2018, ku i plagosur mbeti miku i tij Ervis Martinaj, por u lirua për mungesë provash. Malko dyshohej se ishte i përfshirë në disa ngjarje kriminale

Lajm në përditësim...